“Komploti u zbulua nga një xhelozi, unë dhe Zogu planifikuam vrasjen”

August 8, 2019 23:47

“Komploti u zbulua nga një xhelozi, unë dhe Zogu planifikuam vrasjen”

Nga Auron Tare

Dita botoi dje (kliko KËTU) pjesë nga ditari i kolonelit britanik që asistoi në krijimin e Xhandarmërisë gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut.

Dëshmia më interesante që vjen nga ditari i kolonelit Sterling është përgatitja dhe zbatimi i një prej vrasjeve politike të cilat janë gatuar shpesh në Oborrin Mbretëror të Zogut.

Nëse marrim si të vërtetë dëshminë e kolonelit, vrasja e këtij personi mjaft të fuqishëm, i cili fatkeqësisht nuk identifikohet me emër ka qenë pjesë e kundër përgjigjes ndaj një prej skenarëve të influencës jugosllave në Shqipëri.

Kolonel Sterling, i cili është mjaft i sinqerte mbi rolin e tij në vrasjen e senatorit shqiptar, e përshkruan me detaje këtë person por fatkeqësisht duke mos na dhënë emrin e sakte na jep mundësi për të spekuluar mbi identitetin e politikanit të vrarë.

Ka shume mundësi që largësia e viteve kur këto kujtime janë shkruar mund të kenë hedhur mjegull në disa prej emrave dhe ngjarjeve të asaj kohe duke mos e bërë të mundur që koloneli britanik të sqaronte më saktë emrin e personit që u vra.

Megjithatë nëse do të shikojmë me kujdes ngjarjet e kohës dhe zhvillimin e tyre mund të ngremë hipotezën se personi për të cilin flet koloneli ka mundësi  të jetë Ceno Bej  Kryeziu.

Ngjarja megjithëse është paksa e turbullt mbi vendndodhjen e saj korrespondon saktësisht me vrasjen e Ceno Beut më 1927 të cilit iu bë edhe një funeral madhështor në Tiranë.

Vrasja e Ceno Beut, kunati i Zogut, shok armësh si dhe personi kryesor që siguroi mbështetjen jugosllave për rikthimin e Zogut në fronin e Presidentit pati një jehonë shumë të madhe në ngjarjet e Shqipërisë së asaj kohe.

Megjithëse emri i Zogut gjithmonë mbeti si i dyshuari kryesor i kësaj vrasjeje misterioze, që në fakt u krye jashtë Shqipërisë, asnjëherë nuk u zbulua vrasësi i vërtetë.

Nëse do të shikojmë politiken jugosllave të kohës dhe afërsinë e Ceno Bej Kryeziut me jugosllavet, ka shumë mundësi që “Senatori Shqiptar” për të cilin flet koloneli britanik mund të jetë vërtet Ceno Beu, një prej njerëzve më të fuqishëm të asaj kohe.

Më poshtë pjesa e ditarit që flet për këtë:

“Në 1927 unë zbulova një komplot. Babai i sekretarit tim kishte një hotel në Tiranë, i cili ishte vendi ku qëndronte  zakonisht një faktor, apo më mirë agjent, që punonte për një  nga  familjet e  mëdha pronare tokash e prijësve të Klanit të Dibrës. Ky prijës ishte gjithashtu edhe Senator dhe ishte në krushqi me Ahmet Beun pasi i kishte marrë motrën.

Agjenti ynë  pinte shumë dhe dehej të shumtën e mbrëmjeve që qëndronte në hotel dhe një natë i thotë sekretarit tim se gruaja e tij ishte joshur nga padroni i tij, senatori, dhe tani ai donte që të tregonte mbi një komplot në të cilin padroni i tij ishte i implikuar.

Ai tha se senatori ishte nën pagesën e jugosllaveve të cilët kishin organizuar që në një ditë të caktuar Ahmet Beu do të vritej dhe Tirana do të merrej nga trupat dibrane të cilat do t’i paraprinin një avancimi të trupave jugosllave.

Unë sigurisht që nuk e besova këtë histori të cilën e mora si një gënjeshtër të një burri xheloz për të shoqen. Megjithatë sekretari im insistoi se agjenti i kishte thënë se senatori në fakt po merrte një pagesë floriri nga Legata Jugosllave.

Unë vendosa një person që të mbante senatorin nën vëzhgim. Nga vëzhgimi i vazhdueshëm pame se ai doli dy herë nga Legata Jugosllave natën duke pasur një qese në dorë.

Unë tashmë fillova të isha i kujdesshëm dhe urdhërova raportime të vazhdueshme për çdo lëvizje trupash në kufirin me Jugosllavinë.

Dyshimet e mia u konfirmuan menjëherë kur zbuluam se një brigadë këmbësorie në Manastir ishte lëvizur në qytetin e vogël të Strugës pranë Drinit dhe ishte zëvendësuar me një Divizion të tërë.

Refuzova të besoja se Ministri Jugosllav kishte dijeni mbi këtë plan.

Në fakt në këtë periudhe ishin dy Qeveri në Beograd, një Qeveri e zgjedhur nga populli  dhe “Qeveria” ushtarake  një klikë gjeneralësh e njohur si “Dora e Zezë”.

Unë zbulova që ky plan ishte përgatitur nga kjo organizatë dhe në Tiranë kontrollohej nga Atasheu Ushtarak Jugosllav.

Ahmet Beu e dëgjoi këtë lajm që i dhashë me plot neveri pasi senatori  ishte mik i tij dhe merrte financime të mëdha nga vetë Ahmet Beu.

Ky zbulim në fakt u kontrollua me shumë kujdes nga ne dhe u pa që nuk  kishte asnjë dyshim për vërtetësinë e tij. Me Ahmet Beun bëra një bisedë shumë të gjatë se çfarë duhej të bënim.

Ishte e qarte se si President, Ahmet Beu nuk mund të akuzonte një Legatë të Huaj akredituar pranë Qeverisë së Tij që thurte plane për ta vrarë. 

Në të njëjtën kohe nuk mund të injorohej ky rrezik i madh aq më shumë pse nuk ishte vetëm për Presidentin por në fakt me komplikime të mëdha rajonale pasi nëse Jugosllavia do të pushtonte Shqipërinë, ishte e sigurtë që Italia do të shpallte Luftën dhe në këtë mënyrë do të ishte e vështirë që kjo luftë të lokalizohej.

Ne menduam se mënyra më e mirë për të vepruar ishte që ky faktor (agjenti i hotelit) ta vriste Senatorin dhe ne do t’i jepnim atij një pasaportë false dhe do t’i siguronim një kalim jashtë vendit. 

Agjenti e kreu  me sukses vrasjen dhe ne e nxorëm atë fshehtas nga kufiri me Greqinë.

Kjo vrasje bëri shumë bujë në Tiranë.

Senatorit i bënë një ceremoni të madhe ushtarake me bandën që luante muzike funebre. Unë mora një ftesë për të marrë pjesë në këtë ceremoni por sigurisht që nuk shkova.  Jugosllavët kishin dyshime që unë isha i implikuar në këtë vrasje por megjithatë nuk ishin shumë të sigurtë. Disa muaj më vonë, ata filluan sjelljen e trupave përgjatë kufirit.

Legata Britanike në Durrës ishte kaq shumë e painformuar dhe e verbër ndaj këtyre ngjarjeve saqë unë u detyrova të shkoj në Romë për të takuar Ambasadorin tonë atje Sir Ronald Graham i cili ishte një mik im i vjetër.

Pasi më dëgjoi atë që i tregova ai me sugjeroi që të shkoja në Londër për t’i raportuar Ministrisë së Jashtme”.

 

****

Botuar në Dita. Në foton kryesore, Ahmet Zogu dhe kunati i tij Ceno Bej Kryeziu. Të gjitha të drejtat, të rezervuara. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

August 8, 2019 23:47
Komento

9 Komente

  1. Gani USA August 9, 00:01

    Shume interesante si deshmi
    Keni botuar me heret edhe disa pjese nga dosje te CIA-s, a mund te na ndihmoni ti gjejme ne arkive ju lutem?

    Reply to this comment
  2. alban korca August 9, 00:22

    Zogut po i dalin vrasjet 80 vite me pas

    Perfytyroni kur do dalin vrasjet e Saliut dhe horrlliqet e Rilindjes

    Reply to this comment
    • Alb August 9, 10:04

      Nese mendojme te miren e Kombi Shqiptar, Zogu paska ditur te distancohet nga ish financuesit qe e sollen ne pushtet. Edhe pse eshte mbuluar me shume hi figura e tij, duket qe ne ate periudhe jo te lehte te Shqiperise, ai ka ditur te luaje rolin e tij si burre shteti dhe te shmange ndikimet territoriale te fqinjeve qe nuk kane qene te pakta. Eshte gjithashtu per t’u vleresuar martesa e tij me nje princeshe kristiane duke i dhene Shqiperise nje imazh pozitiv, pasi ishim thjesht nje province e mjeruar e perandorise turke, me te gjitha zakonet qe ajo na kishte trasheguar. Zogu del me vizion si prijes, pavaresisht se beri edhe gabimet e tij. Ne si shqiptare dueht te ngrem elart vlerat pozitive te prijesve tane, pasi nese do te flasim vetem per anet negative, me thoni cili nga ju nuk ka ane negative, apo si jua bejne vleresimin te tjeret? Fillojeni nga vetja juaj.

      Reply to this comment
  3. kasemi August 9, 09:09

    artikull mjaft interesant. historia e xhandarmarise gjithmone ka qene e mjegulluar.
    fatkeqesisht cdo gje serioze ne kete vend e kane bere te huajt

    Reply to this comment
  4. Arben August 9, 13:10

    Litari sigurimit te shtetit sllavo-komunist

    Reply to this comment
  5. Buda August 9, 16:37

    Auron Tare ka mbaruar studimet per Gjuhen Angleze dhe ben mire qe merret me Turizmin. Por Auroni ben te njejtin gabim si Berisha dhe Rama qe duan te na japin mend per Historine e Shqiperise dhe personazhet kryesore te saj, sic kane qene Ahmet Zogu, Mid’hat Frasheri, etj.Ku gabon Auroni? Apo ku gabon redaktori i DITA-s kur ve titull tjeter per tjeter. Ceno Bej Kryeziu nuk ka qene kurre Senator ne Shqiperi, por Minister i Puneve te Brendshme dhe, per interes te Zogut dhe padroneve te tij serbe, ka vrare nder te tjere, sic ka deklaruar vete, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Elez Isufin, Zija Dibren, Hoxhe Zogun e Bytycit, Gjelosh e Tollcuk Ramen e Nikaj-Merturit, Asllan Currin e Husli Thacin etj. Vetem me vrasjen e Hasan Prishtines kishte deshtuar dy here…

    Senatori qe u vra sic e pershkruan Stirlingu, nuk ka qene Ceno bej Kryeziu, por Jusuf bej Hysenagolli nga Dohoshishti i Dibres, vellai i te cilit, Emini, kishte per grua motren e madhe te Zogut, Adilen. Ceno Bej Kryeizu kishte per grua motren e dyte, Nafijen. Vrasja e senatorit Jusuf bej Dohoshishtit (Dibra) eshte bere me daten 19 mars 1927, ne Tirane, kurse e Ceno bej Kryeziut me 14 tetor 1927, ne Prage..

    Emri i Ceno Bej Kryeziut kishte dale gjate hetimeve te komplotit te Senatorit Jusuf Beu dhe me pas Zogut i ra ne dore letra qe Ceno Beu i kishte derguar agjentit jugosllav qe vepronte ne Durres, Vuk Gjurashkovic. Per kete arsye, Zogu e dergoi burrin e motres, Ceno Beun ambasador ne Prage dhe atje, iu organizuar vrasja me dijenine e Mussolinit, Zogut dhe Verlacit.Per vrasjen e Ceno Beut u derguar studenti elbasanas i Universitetit te Romes, Alqiviadh Bebi, i cili e kreu aksionin, por adjutanti i Ceno Beut, ia mbylli gojen duke e vrare ne sallen e gjyqit.

    Reply to this comment
  6. auron August 9, 17:33

    shpjegim interesant. duhet thene se kujtimet e KOlonelit jane shkruar 30 vjet pas ngjarjeve dhe sigurisht qe ka pasaktesira. duke qene se koloneli nuk permend asnje emer ka shume mundesi qe interpretimi i mesiper te jete i sakte ose te kete ngateruar Ceno Beun me Dohoshishtin. Megjithate informacioni eshte interesant. per info une kam studiuar ne Akademine ushtarake. te fala auron

    Reply to this comment
  7. adi durres August 9, 21:00

    Ceno bej kryeziu eshte vrare ne Prage dhe jo ne Tirane Nga studenti Alqiviadh Bebi nga Elbasani i cili u vra ne sallen e gjyqit nga familjaret Ceno beut keshtu nuk mund te jete ai.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*