Komuniteti LGBTI pedalon për një jetë larg paragjykimeve

BIRN May 14, 2016 16:51

Komuniteti LGBTI pedalon për një jetë larg paragjykimeve

Një brohoritje e fuqishme njoftoi fillimin e pedalimit të pestë të komunitetit LGBTI në Tiranë, ndërsa pikat e para të shiut dukej se vetëm sa e shtuan entuziazmin e grupit. Të paktën 100 persona të komunitetit dhe mbështetës të tij iu përgjigjën fushatës #kurajo, për të shprehur haptazi kërkesat e tyre për të drejta të barabarta.

Vala e flamurëve shumëngjyrësh filloi të pushtojë ngadalë rrugët kryesore të  kryeqytetit shqiptar- nga Pallati i Kongreseve në bulevardin Dëshmorët e Kombit deri në fund të bulevardit Zogu I. Thirrjet “Barazi”, “Të Drejta”, “Dashuri” dhe fishkëllimat e gëzueshme të bilbilëve tërhoqënn vëmendjen e kalimtarëve – të cilët vështruan me ndjenja të përziera parakalimin.

Të shoqëruar nga pjesëtarë të stafit të ambasadave të huaja të akrediturara në Tiranë dhe nga Avokati i Popullit, dhe të rrethuar nga forca e rendit për të shmangur trafikun dhe çdo incident të mundshëm, anëtarët e komunitetit përshëndetën me dorë nga kalimtarët.

“Krenari,” thërriti një burrë në të 60-tat ndërsa priste në një stacion urbani, ku shumë të tjerë ose u treguan të painteresuar ose të ngrysur. Disa syresh buzëqeshnin në mënyrë të përmbajtur e të tjerë hidhnin shikime tallëse ndaj grupit shumëngjyrësh të çiklistëve.

“Sa jemi shtuar në numër! Në paradën e parë mezi bëheshim dhjetë persona,”  vërejti me habi në anglisht një nga aktivistët LGBTI. “Unë nuk e kuptoj përse na shohin sikur të ishim majmunë,” ia ktheu një tjetër pedalues.

Pas 20 minutash, pedaluesit lanë biçikletat përballë Galerisë Kombëtare të Artit dhe nisin traditën e përvitshme të marshimit me flamurin gjashtë-ngjyrësh dhe pankartat ku shkruhej “Asnjë dashuri nuk është gabim”. Ata ndaluan përballë godinës së qeverisë për t’i kërkuar kryeministrit Edi Rama të mbajë premtimin e tij për të ligjëruar të drejtat e komunitetit LGBTI për bashkëjetesë.

“Jemi të lumtur që pedalimi pati pjesëmarrje të gjerë nga pjesëtarë të komunitetit, stafet e ambasadave të huaja në Shqipëri dhe miqtë tanë nga vende të ndryshme të Europës, që kanë ardhur të na mbështesin”, tha për BIRN Elidjon Grembi, një nga organizatorët e eventit.

“Shumë gjëra kanë ndryshuar në përballjen tonë me realitetin që nga krijimi i Aleancës LGBT shtatë vite më parë, megjithatë paragjykimi shoqëror është ende i pranishëm në shumë forma,” shtoi ai.

Parada e parë e komunitetit LGBT në Shqipëri, u zhvillua në vitin 2012, kur hasi me kundërshtimin e fortë të shoqërisë dhe komuniteteteve fetare në vend, por këtë vit debati ka marrë ngjyra ligjore.

Me anë të një spoti sensibilizues komuniteti LGBTI ka kërkuar nga parlamenti ndryshimin e Kodit të Familjes për të parashikuar njohjen e bashkëjetesës së çifteve me gjini të njëjtë dhe të drejtat që vijnë nga kjo. Ato kanë paralajmëruar se do ta ndjekin këtë nismë edhe në mënyrë ligjore, nëpërmjet litigimit strategjik.

“Shoqëria shqiptare po ushqehet me paragjykime të mëtejshme duke u vënë përballë pyetjes nëse  duhet lejuar një veprim i caktuar për komunitetin gej. Diskutimi duhet shtuar te parimi i të drejtave të barabarta për çdo individ”, tha për BIRN një nga pjesëmarrëset në paradë, 30 vjeçe, e cila kërkoi të mbetej anonim.

Gjërat rrjedhin shumë natyrshëm për ne dhe nuk ka nevojë për etiketime. Në thelb ekziston intimiteti, të pëlqesh dikë pa e vrarë mendjen se çfarë mendojnë të tjerët. Shoqëria duhet t’i lërë pas mendimet arkaike dhe të pranojë realitetin,” shtoi ajo, e lagur deri në palcë nga shiu, por e vendosur.

“Në jetën tonë të përditshme, unë dhe partnerja ime prej 4-vjetësh jemi si çdo çift tjetër: shkojmë në punë, në kinema, dalim me grupin tonë shoqëror, kthehemi në shtëpi; por ligji nuk na njeh të drejtat e një çifti normal financiarisht, në të drejtat e kodit të punës apo në institucione. Ka ardhur koha që kjo të ndodhë”, përfundoi 30-vjeçarja.

Pasi e mbyllën pedalimin e tyre aty ku e nisën, pjesëtarët e komunitetit dhe mbështetësit e tyre – të cilët përgjatë bulevardit bënë thirrje inkurajuese për të ndryshuar realitetin- duket se më shumë se çdo gjë tjetër kërkojnë vetëm që realiteti të mos i ndryshojë ata, por t’i lejojë të jetojnë të qetë dashurinë e tyre.

“Koha se kur të drejtat ligjore për komunitetin LGBTI do të bëhen realitet nuk dihet. Mund të ndodhë nesër ose pas disa vitesh, ne kërkojmë që ligjvënësit tanë të gjejnë vullnetin politik për të na lejuar të jetojmë krenarë për atë që jemi”, përfundoi Grembi.

Anëtarët e komunitetit LGBTI dhe aktivistë, i kërkojnë kryeministrit Edi Rama të mbajë premtimin e tij për të ligjëruar të drejtat e komunitetit LGBTI për bashkëjetesë | Foto nga : Ivana Dervishi

Anëtarët e komunitetit LGBTI dhe aktivistë, i kërkojnë kryeministrit Edi Rama të mbajë premtimin e tij për të ligjëruar të drejtat e komunitetit LGBTI për bashkëjetesë | Foto nga : Ivana Dervishi

Anëtarët e komunitetit LGBTI dhe mbështetësit e tyre pedalojnë për të pestin vit radhazi në bulevardin Dëshmorët e Kombit për të drejta të barbarta | Foto nga Ivana Dervishi

Anëtarët e komunitetit LGBTI dhe mbështetësit e tyre pedalojnë për të pestin vit radhazi në bulevardin Dëshmorët e Kombit për të drejta të barbarta | Foto nga Ivana Dervishi

BIRN May 14, 2016 16:51
Komento

1 Koment

  1. shvejk May 15, 00:46

    Kane pedaluar me bicikleta pa shale.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*