Konference rajonale: Raportimi i fqinjëve nga mediat në Ballkan

July 13, 2015 17:42

Konference rajonale: Raportimi i fqinjëve nga mediat në Ballkan

Instituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me ambasadën e Zvicrës në Shqipëri organizoi në Tiranë Konferencën Rajonale “Raportimi i fqinjëve në Median ballkanike”. Në konferencë morën pjesë studiues, gazetarë, ekspertë të medias, përfaqësues të organizatave të mediave nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Në konferencë u paraqitën për herë të parë të dhëna interesante se si portretizohen fqinjët në vendet e Ballkanit. Rezultatet e studimeve u paraqitën pas një pune disa mujore kërkimore të ekspertëve nga vendet e mësipërme. Konkluzionet e tyre nënvizojnë se ndërsa zhvillime të reja po ndodhin në fushën e bashkëpunimit rajonal, stereotipet e vjetra dhe gjuha e urrejtjes janë të pranishme kur është fjala për vendet dhe kombet e tjera.

Ekspertët që punuan në këtë projekt u fokusuan në mediat elektronike, shtypin e shkruar dhe mediat online.  Të përmbledhura në një botim të posaçëm, studimet e realizuara japin një pasqyrë komplekse të rolit që luan media në marrëdheniet ndërmjet fqinjëve.

Pavarësisht ndryshimeve të pamohueshme të dekadës së fundit, ende nuk mund të thuhet se stereotipet negative dhe paragjykimet historike, i përkasin së kaluarës.

Si i pasqyrojmë fqinjët në media kur konfliktet e Ballkanit janë diçka e kaluar dhe vendet e tjera të rajonit gjenden në procesin e integrimit Euro-Atlantik? Cili është imazhi i Tjetrit në median e rajonit? Cili është impakti i procesit të integrimit europian në mënyrën se si vendet e Ballkanit Perëndimor shohin njëri tjetrin? Cili është roli i medias së re dhe medias sociale në krijimin e perceptimit për njëri tjetrin? Disa ngjarje te rendesishme si ndeshja e futbollit ndermjet Serbise dhe Shqiperise, vizita e Kryeministrit Rama ne Belograd apo incidentet e fundit ne Kumanove kane qene ne qender te analizes dhe diskutimit mes eksperteve.

Sikurse shkruan në parathënien e botimit ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf, ky botim hap një rrugë për dialog dhe për të kuptuar më mirë njëri tjetrin mes aktorëve të medias në vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë dy ditëve të Konferencës pjesëmarresit diskutuan për rrugët dhe mjetet për ta çuar përpara këtë dialog.

 

 

July 13, 2015 17:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*