KONFLIKTI NË PRAG / Megjithë paralajmërimet, hapet kutia e Pandorës

September 3, 2018 18:57

KONFLIKTI NË PRAG / Megjithë paralajmërimet, hapet kutia e Pandorës

DURRËS – Nuk kanë mjaftuar paralajmërimet e Brukselit, Berlinit, Londrës dhe një sërë kryeqytetesh të tjera në nam, se hapja e kutisë së Pandorës do të sillte një efekt zinxhir ngjarjesh dramatike dhe tragjike në gjithë rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Të njëjtin paralajmërim, madje në mënyrë eksplicite: “Mos ja hap kutinë Pandorës se ajo të bën namin”, i kishte dhënë 46 vjeçarja Ballkiz Aguridhja të bijës së saj adoleshente, Uitni Aguridhja, para se ta çonte për vizitë në Durrës tek motra e saj dhe tezja e vajzës, Pandora Telendarja.

Por ja që qejfi për këtë vizitë dyditore tek tezja, lezeti i gallatave që do bënte me kushërirat e saj Xhulia dhe Julia dhe perspektiva e një fundjave plot me gatime të shijshme të tezes, nuk ja hoqën nga mendja 15 vjeçares Uitni Aguridhja frutin e ndaluar:

Pikërisht pse e porositën të mos e bënte, rebelja bëri pikërisht të kundërtën, pohojnë burimet nga vendngjarja.

Kësisoj, pasi shtyu edhe kushërirat në ngasje, Aguridhja gjeti momentin dhe hapi sirtarin misterioz në dhomën e gjumit të tezes, ku vuri re kutinë e shumëpërfolur të Pandorës. Komshinjtë do të deklaronin më pas për mediat, se lajmi që kutia e Pandorës ishte hapur, u mor vesh nga të bërtiturat e kësaj të fundit, që de jure u adresoheshin vajzave të saj, por de facto ishin për veshët e Uitnit.

“Ju kam thënë një milion herë, mos ma prekni kutinë”, ulëriti një copë herë të mirë Pandora, para se t’i binin nervat për t’iu ngritur edhe një herë.

“Ja paskan hap prapë kutinë Pandorës,” thanë fqinjët e katit sipër.

Në fakt, objekti drejtkëndësh me kapak përmbante disa buzëkuqa e rimela, një krem pudër, dy unaza dhe disa varëse e byrzylykë, që mesa duket vajzat patën pakujdesinë të mos i rivendosnin fiks në pozicionet e mëparshme, duke shkaktuar furtunën perfekte.

Megjithatë, strumbullari i katastrofës, 15 vjeçarja kokëfortë Uitni Aguridhja, ende nuk është e bindur se hapja e kutisë së Pandorës ishte ndonjë hata e madhe.

“Tezja merr kot nganjëherë”, pohoi ajo për mediat duke përtypur çamçakëz, “e para, ato bizhuteritë ishin fallso mi goc’. E dyta, rimelat dhe buzkuqat qenë ca ngjyra skandaloze, që aman o zot. Le që nuk ishin firmato një herë, vetëm mall turk e kinez. Qyqja, na bëri namin për ca budallallëqe”.

“Do ta kuptoja alarmin e teze Pandorës, vetëm sikur në kuti të kishte fshehur recetat e gatimeve që i qan me lot, dhe jo ca xhingla koti!”, shtoi Aguridhja plot vetbesim.

Ndërkohë, Gojët e Liga kanë mësuar se kancelaritë europiane janë vënë në lëvizje sapo u njoftuan se kutia e Pandorës ishte hapur, por aktualisht janë në fazë verifikimi se për cilën kuti dhe ç’lloj Pandore bëhet fjalë.

 

 Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Çdo keqkuptim që shkaktojnë titujt dhe tekstet e kësaj rubrike është i qëllimshëm dhe do të ndodhë sërish.  

September 3, 2018 18:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*