Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës

May 22, 2016 18:01

Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës

Nga Morton F. Eden- Në suplementin memo-enciklopedik që botohet çdo të diel në gazetën “Dita” jemi munduar të sjellim figura të shquara me kontribut të spikatur historik si shqiptarë, ashtu edhe të huaj. Jemi përpjekur të evidentojmë veçanërisht ato figura, që, për shkaqe dhe rrethana të ndryshme politike, janë përmendur pak ose aspak. Vëmendje të veçantë kemi treguar ndaj miqve të huaj që e kanë dashur dhe kanë luftuar për të mirën e Shqipërisë, të cilëve duhet t’u jemi mirënjohës dhe t’u hapim vend në panteonin e nderit të kombit tonë.lushnje-31-janar-1020

Në vargun e miqve të shquar të huaj, sidomos  atyre anglezë, prej Lord Bajronit deri  tek shqiptarofilët e mirënjohur Hebrey Herbert dhe Edith Durham, të cilët janë të njohur prej kohësh, meriton nderimin e shqiptarëve edhe Morton F. Eden, sidomos për një segment të historisë tonë, Kongresin e Lushnjës të vitit 1920 dhe Luftës së Vlorës, ku ai qëndroi pas kuintave, por që bëri një punë të jashtëzakonshme për organizimin dhe finalizimin e këtyre evenimeve me sukses.

Morton F. Eden njihet pak dhe disi i dyzuar ndër shqiptarët e sotëm.  Ai vlerësohet në disa shkrime gazetash e opinione të viteve ’20-’30-të, haset si “agjent i huaj” tek ndonjë paragraf i Historisë së Shqipërisë të shkruar gjatë  sistemit diktatorial apo  në ndonjë memuar, korrespondencë a dokument arkivor të botuar  vitet e fundit. Sidoqoftë, personaliteti i tij, humanizmi dhe dashuria për shqiptarët, provohen  nga sa dëshmojnë bashkëpunëtorët e tij, por dhe  më shumë nga kundërshtarët, të cilët theksojnë se ai vepronte me ndërgjegje e jo pse ia kërkonte pozita e misioni si zyrtar britanik.

Personaliteti i Morton F.Eden, ndjeshmëria dhe  përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare shqiptare shpalosen edhe në korrespondencën e tij që gjendet në fondin  e Edit Durhamit në Institutin Antropologjik Mbretëror, Londër.  Atje gjendet edhe  një letër e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës e nënshkruar nga  Fan Noli,  i cili ia drejton Komandantit të Trupave Aleate në Shkodër, Gjeneralit Phillips dhe letra apel që Morton F. Eden i dërgon në gusht 1920  kryeministrit Lloyd George mbi invazionin e trupave serbe në Shqipëri.

Në këtë kohë Morton F.Eden u shqua në ndërgjegjësimin e atdhetarëve shqiptarë për fatet e vendit në momentet delikate të mbarimit të luftës, për qartësimin e tyre mbi synimet e vërteta të diplomacisë evropiane dhe të fqinjëve shovinistë, për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e Kongresit të Lushnjës, për ndihmesën gjatë luftës së Vlorës në dëbimin e trupave italiane nga Shqipëria, për forcimin e shtetit dhe ushtrisë shqiptare, etj.

dokum_5 (1)Anglezi Morton F.Eden, eksploruesi trim, ushtaraku i rreptë, agjenti dinak dhe politikani mendjehollë, në kontakt me popullin dhe realitetin tragjik, shfaq dhembshurinë e humanizmin prej miku të përkushtuar me mish e me shpirt për shpalljen dhe mbrojtjen e të drejtave thelbësore të kombit shqiptar duke rrezikuar edhe jetën.

Gjatë okupacionit fashist Morton F. Eden u bëri thirrje patriotëve shqiptarë që të ktheheshin një orë e më parë në atdhe. Ali Këlcyrës i tha: “Kam besim dhe bindjen e plotë se Ju mund t’i bëni më shumë shërbim çështjes kombëtare në Shqipëri, sepse ajo rishtazi ka për të shpëtuar si në vitet 1912 dhe në 1920, me luftë në malet e saj dhe prej djemve të saj. Këto nuk janë vetëm mendimet e mia, por edhe të disa qarqeve politike londineze që merren me çështjet e Shqipërisë dhe të Ballkanit e sidomos miqve të Shqipërisë”.

Skënder Luarasi dhe libri i Edenit për Shqipërinë

Vepra e Edenit, “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre”, e përkthyer prej origjinalit nga Skënder Luarasi në vitet ‘60, u bllokua në Institutin e Historisë pa e parë dritën e botimit. Ky libër është botuar para disa vitesh, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, nga nipi i Skënder Luarasit, Petro Luarasi, i cili thotë se materialin e plotë të daktilografuar e ka gjetur rastësisht në një nga dosjet e përkthyesit. Dhe shton se duke botuar këtë libër, ai plotëson një dëshirë  të albanofilit të shquar, që edhe pse në kushte të vështira censure, nuk rreshti së shpalluri nderimin e tij ndaj jetës dhe veprës së miqve të vërtetë të kombit shqiptar duke shkruar me dashuri edhe për albanofilët anglezë: Lord George Byron, Lord Tennyson, Sir Aubrey Herbert e Lady Elisabet Carnarvon, Lady Mary Worthey Montag, Lucy M.J.Garnett dhe Mary Edith Durham.

Kush ishte Morton Frederick Eden

2 Morton Eden fotoMorton Frederick Eden (16 qershor 1865-2 janar 1948) ishte një ushtarak anglez. Në vitin  1889 u caktua të shërbente në Australi. Fred Eden për 25 vjet u dallua si eksplorues i trevave të virgjëra në rajone të gjera në jug e lindje të Australisë, në Tasmani, Hong-Kong e SHBA. Këto udhëtime  nga 1890-a deri në 1940,  ai i  ka përshkruar  në ditarin e tij që gjendet në dorëshkrim në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Australisë. Ndërkohë, si ushtarak, Morton F. Eden mori pjesë në Luftën e Boerëve. Në mesin e vitit 1915, ai u caktua në vartësi  të shtabit të përgjithshëm  të forcave aleate me qendër në Selanik. Si anëtar i stafit të Misionit Britanik u ngarkua për të ndjekur ngjarjet në Shqipëri deri në nënshkrimin e armëpushimit mes palëve ndërluftuese. Në vitet 1916-1919 veproi në Korçë si agjent i shërbimit anglez Inteligence Servic dhe në periudhën 1919-1920  u gjend në stafin e Gjeneral Phillips-it, komandant i  trupave angleze në përbërje të forcave aleate me qendër në Shkodër. Pas  katër vjet veprimtarie të suksesshme në Shqipëri, më 1920, ai u zgjodh  anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqërisë Anglo-Shqiptare, me kryetar Sir Aubrey Herbertin dhe sekretare Ms. Mery Edith Durham. Sipas dëshmive të ndryshme, ai erdhi disa herë në Shqipëri dhe bashkëpunoi me mjaft personalitete shqiptare si Sulejman Delvina, Aqif Pashë Elbasani, Ahmet Zogu, Fan Noli, Abdi Toptani, Abdyl Ypi, Hafiz Ibrahim Dalliu, Qazim Koculi, Ali Këlcyra etj. Në këtë kohë  Morton F.Eden  u shqua në ndërgjegjësimin e atdhetarëve shqiptarë për fatet e vendit  në momentet delikate të mbarimit të luftës, për qartësimin e tyre mbi synimet e vërteta të diplomacisë evropiane dhe të  fqinjëve shovinistë, për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e Kongresit të Lushnjës, për ndihmesën gjatë Luftës së Vlorës në dëbimin e trupave italiane nga Shqipëria, për forcimin e shtetit dhe ushtrisë shqiptare, etj. Ai kontribuoi familjarisht gjatë gjithë jetës së tij deri në luftën kundër fashizmit duke mbetur  me mendje e zemër pranë kombit shqiptar deri sa u nda nga jeta në  moshën 82-vjeçare në vitin 1948.

Letër e rrallë e M.F.Eden / Shqiptarët, njerëz praktikë…

largea_albanian1451214273Morton Frederick Eden, nga Berna e Zvicrës ia ka drejtuar Agjentit të Përgjithshëm për Australinë në Londër, më  25 gusht 1924 një letër, ku i kërkon atij të ndërhyjë pranë qeverisë së tij për të pranuar emigrantë shqiptarë, të cilëve u është prerë rruga për në Amerikë dhe Turqi, dy vendet ku ata emigrojnë më shpesh. Në letër Eden i flet agjentit australian me simpati e superlativa për shqiptarët, si njerëz me virtyte të larta dhe që në aspektin praktik përshtaten shumë shpejt me metropolet, sidomos me anglishtfolësit.

 I dashur Sir,

Kohët e fundit  kam marrë një letër nga Shqipëria me kërkesa për të dhënë disa informata rreth Australisë, për shqiptarët që dëshirojnë  të emigrojnë në atë kontinent…Sipas informatave që kam marrë nga Shqipëria e Jugut gjenden një numër meshkujsh të gatshëm të emigrojnë në Australi. Arsyeja përse të interesuarit më janë drejtuar mua prej andej, është kjo: Gjatë luftës unë  isha në përbërje të Shtabit të Lartë të Përgjithshëm  të Selanikut dhe qëndrova në Shqipëri deri në  armëpushim pas së cilës u bëra anëtar  i Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri. Kështu që shpenzova rreth katër vjet në këtë vend, ku shumë njerëz e dinin që kisha ardhur nga Australia për të luftuar dhe ndoshta disa prej tyre tani mendojnë që unë mund t’u jap atyre përgjigje që kërkojnë.

…Mbyllja e Amerikës dhe e Turqisë ndaj emigrantëve shqiptarë ndaloi kështu rrjedhjen e emigracionit nga Shqipëria në një moment kur situata e keqe ekonomike ndërkombëtare  po rrit dëshirën dhe nevojat e tyre  për të emigruar, gjë që u ka shkaktuar shqiptarëve të kthejnë mendjen e tyre tek Australia si një vend i mundshëm për të shkuar.

Numri i atyre që mund të emigrojnë nga Shqipëria në Australi mund të jetë i vogël, por kualiteti  i këtyre emigrantëve mund të jetë i mirë. Unë i vlerësoj ata më të vlefshëm për konditat e Australisë dhe gjerësisht mjaft më lart se grekët dhe italianët e jugut. Me aq sa unë kam qenë në gjendje të përcaktoj, njerëzit në Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të kënaqur me shqiptarët që gjendeshin mes tyre. Shqiptarët mësojnë anglisht në një kohë pabesueshmërisht të shkurtër dhe shpejt e përshtatin veten me mendësinë dhe zakonet britanike. Ata janë një popull i thjeshtë, i vjetër, mjaft i gatshëm të ndryshojë qëndrim në vende të largëta, tej konfortit të civilizimit.

Duke qenë shumica malësorë, të mësuar të bëjnë një jetë të pasigurt në ambient të egër, vende të copëtuar, ku nuk ka rrugë dhe gjithçka duhet të transportohet  me kuaj barre, kjo më ka bërë të mendoj, përpara se të kem dëgjuar që dëshirojnë të shkojnë në Australi, që ata mund të jenë mjaft të vlefshëm të stabilizohen në zona të zbrazura vendesh të pabanuara që ekzistojnë përgjatë Vargmalit të Madh (Great Dividing Range)…Këto zona do të plotësoheshin me shpejtësi nga këta malësorë shqiptarë që janë barinj të mirë, bujq të mësuar me njohuri të veçanta mbi vaditjen  dhe me bërjen e digave e kanaleve ujore, të kryera ndër shekuj eksperience në një vend ku uji është i çmuar gjatë muajve të verës. Ata janë gjithashtu një popull i cili zotëron cilësi luftarake që mund të përdorej në mbrojtjen e banesave të tyre eventualisht kur të kërkohej një gjë e tillë.

Australia kërkon banorë të bardhë që janë të dëshiruar të jetojnë në largësi dhe në solidaritet me të tjerët rreth e rrotull, të cilët të kenë eksperiencë në aktivitetet  bujqësore dhe blegtorale, cilësi siç i zotërojnë shqiptarët…Qeveritarë  të vendeve të tjera eventualisht do të zbulojnë vlerën e këtyre banorëve dhe do t’i afrojnë ata në vendet që administrojnë. Shumë shqiptarë kanë filluar të shkojnë në Kili dhe pjesë të Amerikës së Jugut që janë më pranë tyre, nga Australia, kështu  ata do t’i mungojnë kontinentit tuaj që ka nevojë për këta banorë të llojit që kërkohet. Padyshim,  është një arsye e vogël.

Sikurse përmenda, numri i shqiptarëve që duan të emigrojnë është i vogël, por është një shkak  që vlerësohet shumë në një  moment kur një tepricë popullsie e Shqipërisë, e lënë jashtë nga Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, është e pavendosur për rrugëdaljen dhe fushat ku të shkarkojë  energjitë e saj.

Unë kam nderin  të jem, Sir, besniku  juaj!

(SGD) Morton Frederick Eden

25 August 1924

Morton F. Eden

“Evropa gjithmonë ka dashur prishjen e Shqipërisë”

10450306-10202138939611163-7451767434959983626-o-c1200x600Në librinShqipëria, pakënaqësitë dhe origjina e saj” shkruan për Shqipërinë dhe fatin e shqiptarëve

– Shqiptarët janë banorët autoktonë të Ilirisë, Epirit e të Maqedonisë dhe një nga racat më të moçme në Europë. Ata i bënë rezistencën më të gjatë dhe më të dëshpëruar  përparimit të turqve  drejt Perëndimit  për të dalë në Adriatik dhe  kështu i bënë një shërbim pamasë të madh  Europës së krishterë.

– Rivalitetet egoiste të Europës së shekullit XV e lanë Shqipërinë e Skënderbeut  të përpiqej vetë e   vetme kundër turqve. Europa e këtij shekulli  ka treguar vetëm fare pak simpati  për shqiptarët e sotëm dhe për aspiratat e tyre. Që prej kohës që turqit janë përzënë, indipendenca e Shqipërisë dhe vetë ekzistenca e saj  është vënë në rrezik prej xhelozive ndërkombëtare dhe lakmisë së shteteve fqinj.

 – Shqiptarët nuk e kanë humbur besimin në popullin e Britanisë së Madhe dhe të Shteteve të Bashkuara, duke u kapur ende pas idesë që qeveritë e këtyre vendeve do të ushtrojnë influencën e tyre në favor të tyre: së pari, sepse Shtetet e Bashkuara  nuk janë të  lidhur me traktatin e fshehtë dhe, së dyti, sepse ata mendojnë se opinioni publik në këto  vende anglo-saksione, gjer tani të informuar keq dhe të çapëlyer shtrembër prej propagandës së fqinjëve të tyre ballkanas do të jetë në favor të shqiptarëve në qoftë se do të shpjegohet pozita reale dhe  do të bëhet e njohur e vërteta.

– Gjendja e pakënaqshme në Shqipërinë e sotme është  krijuar nga  fakti që nuk u është dhënë konsiderata e duhur aspiratave të popullit shqiptar për shkak të interesave të fuqishme që synojnë  prishjen e Shqipërisë.

 

May 22, 2016 18:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*