Konkurrimi për kontratat e lira të punës në Ekonomik

September 19, 2017 13:19

Konkurrimi për kontratat e lira të punës në Ekonomik

Pranvera Kola – DITA

Kur ka mbetur edhe pak kohë nga nisja e vitit të ri akademik 2017-2018, krahas pranimit të studentëve të rinj, fakultetet publike kanë çelur edhe procedurat për rekrutimin e stafit akademik me kohë të plotë dhe të pjesshme në ndihmë të procesit mësimor.

Sikundër e përcakton edhe ligji i e arsimit të lartë, konkurrimi për këto vende të lira pune zhvillohet me anë të dosjes, duke u bazuar në kriteret e miratuara nga vetë institucionet e arsimit të lartë për punonjësit që duhet të aplikojnë.

Një ndër institucionet që ka komunikuar nisjen e konkurrimit për pedagogë të ftuar në ndihmë të procesit mësimor për profilin e financës për vitin e ri akademik, është Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Tiranës.

Sipas kritereve të përcaktuara nga ky fakultet, për kontratat e lira të punësimit si pedagog i ftuar, mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që kanë kryer studimet e nivelit të dytë shkencor në këtë profil brenda apo jashtë vendit, dhe që kanë mesatare mbi notën 8. Kushte të tjera të përgjithshme konkurrimi janë edhe detyrimi i njohjes së gjuhës së huaj sipas dëshmive përkatëse, si dhe kushti që kandidatët nuk duhet të jenë të dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Në përzgjedhje, prioritet kandidatët që plotësojnë edhe disa kritere të tjera të veçanta, siç janë: sigurimi i diplomës së nivelit master, apo doktoraturë në një nga universitetet më të mira të perëndimit, eksperienca e punës në profilin e financës, veçanërisht ata që kanë kryer punë në institucione kërkimore-shkencore publike dhe private, dhe që kanë publikime në revista shkencore, konferenca ose pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme kërkimore-shkencore, si dhe ata që kanë të njohur mbrojtjen e gjuhës angleze sipas dëshmive përkatëse.

Duke qenë se konkurrimi zhvillohet nëpërmjet dosjes, të gjithë pedagogët e interesuar duhet që të dorëzojnë dosjen e kërkuar të dokumenteve në afatin e përcaktuar të aplikimi. Referuar këtyre afateve, autoritetet e këtij fakulteti bëjnë me dije se pranimi i dosjeve do të lejohet deri në datën 25 shtator. Po në të njëjtën formë do të veprohet edhe për departamentet e tjera, sipas nevojave që do të kenë për staf shtesë. Pas mbylljes së pranimit të kërkesave, komisioni i ekspertëve do të bëjë vlerësimin e dosjes së çdo kandidati, për të zgjedhur alternativat më të përshtatshme që do t’i vijnë në ndihmë zhvillimit të procesit mësimor të vitit të ri akademik 2017-2018.

Dokumentacioni i aplikimit për pedagogë të ftuar duhet të dorëzohet pranë sekretarisë së departamentit përkatës dhe duhet të përfshijë: “Kërkesë me shkrim, Curriculum, kopje të diplomave dhe lista të notave (të noterizuara), kopje të titujve dhe gradave shkencore nëse aplikanti ka, dëshmi të diplomave të gjuhëve të huaja, mjet identifikimi, nëse ka edhe botime të punime shkencore, vërtetim të qendrës së punës së aplikantit dhe pagës së tij, dëshmi penaliteti, ose vetëdeklarim”.

Në ligjin e arsimit të lartë përcaktohet se për përzgjedhjen e personelit akademik të ftuar do të ndërthuren kualifikimet e tyre me nevojën e njësisë bazë për veprimtari mësimdhënieje ose kërkimore-shkencore.

Po sipas këtij ligji, institucionet e arsimit të lartë duhet të paraqesin për çdo vit akademik pranë MAS, raportet vjetore për veprimtarinë e kryer, gjendjen financiare të institucionit, parashikimin për angazhimin e personelit akademik, tarifat e shkollimit për vitin në vijim, informacion për gjurmimin e studentëve që kanë përfunduar studimet për secilin program studimi që ato ofrojnë, si dhe elemente të tjera të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës.

Kritere të përgjithshme konkurimi, kandidatët duhet:  

  • Të jenë diplomuar në Master Shkencor në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, ose në fakultetet ekonomike në universiteteve të tjera publike të vendit, apo të huaja, kryesisht vendeve perëndimore në degën financë (me diploma  të ekuivalentuara).
  • Të kenë  përfunduar studimet universitare me mesatare mbi 8.
  • Të njohin mirë gjuhë të huaj të provuar me dëshmi.
  • Të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Preferohen kandidatët që plotësojnë edhe këto kritere të veçanta:

  • Të jenë të diplomuar në Universitetet Perëndimore në “Bachelor” dhe “Master Shkencor”, ose “Doktoraturë” në fushën e financës.
  • Të kenë eksperiencë pune në fushat që mbulon Departamenti i Financës. Preferohen aplikantët me eksperiencë pune në institucione kërkimore-shkencore publike, apo private.
  • Të kenë publikime në revista shkencore, konferenca ose pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme kërkimore-shkencore.
  • Të kenë eksperiencë pedagogjike të mësimdhënies në fushën e finance-kontabilitetit.
  • Të kenë të mbrojtur me dëshmi  gjuhën angleze.

Dokumentet që duhet të dorëzohen për aplikim janë:

  • Kërkesë me shkrim.
  • Curriculum vitae.
  • Kopje të diplomave dhe lista të notave (të noterizuara).
  • Kopje të titujve/gradave shkencore nëse aplikanti ka (të noterizuara).
  • Kopje të diplomave të gjuhëve të huaja (të noterizuara).
  • Kopje të mjetit të identifikimit.
  • Kopje të punimeve shkencore (nëse ka).
  • Vërtetim i qendrës së punës së aplikantit dhe pagës së tij.
  • Dëshmi penaliteti ose vetëdeklarim.
  • Afati i dorëzimit të dokumentacionit: deri në datën 25 shtator 2017

 Përcaktimet në Ligjin e Aarsimit të lartë për kategoritë e personelit akademik

  • Personeli akademik në institucionet e arsimit të lartë kryen veprimtari të mësimdhënies, të kërkimit shkencor, shërbime për mbështetje dhe zhvillim të institucionit të arsimit të lartë, këshillim për studentët si dhe veprimtari të tjera, dhe mund të jetë me orientim mësimor ose kërkimor-shkencor. Sipas rolit dhe veprimtarisë që kryen, personeli akademik kategorizohet në: “profesorë, lektorë dhe asistent-lektorë.
  • Në kategorinë “Profesorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik, titullarë të lëndëve ose moduleve dhe udhëheqës të veprimtarisë kërkimore-shkencore. Anëtarët e personelit akademik të kësaj kategorie mbajnë titujt akademikë “Profesor” ose “Profesor i asociuar”. Kjo kategori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar.
  • Në kategorinë “Lektorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik, që zhvillojnë veprimtari mësimore dhe kërkimore-shkencore. Në këtë kategori përfshihen anëtarët e personelit akademik që mbajnë gradën shkencore “Doktor”, kanë së paku tre vite eksperiencë në mësimdhënie para ose pas fitimit të kësaj grade dhe përmbushin kriteret e përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Kjo kategori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar.
  • Në kategorinë “Asistent-lektorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-kërkimore. Asistent-lektorët duhet të kenë së paku diplomën “Master i shkencave” dhe të përmbushin kriteret e përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Asistent-lektori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të caktuar.
  • Personeli akademik, që angazhohet në mësimdhënie, duhet të ketë së paku kualifikim të ciklit pasardhës. Në kolegjet profesionale të larta, personeli akademik duhet të ketë fituar së paku diplomën “Master profesional”.

 

Kohëzgjatja e punësimit të pedagogëve

  • Personeli akademik, që mban titullin “Profesor”, shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç, me përjashtim të rastit kur, me kërkesën e tij, largohet nga detyra. Mbështetur mbi nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe me pëlqimin e tij, ai mund të shërbejë në detyrë edhe pas kësaj moshe, nëpërmjet kontratave njëvjeçare, të përsëritshme.
  • Personeli akademik, që mban titullin “Profesor i asociuar”, shërben në detyrë deri në moshën 65 vjeç. Mbështetur mbi nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe me pëlqimin e tij, ai mund të shërbejë në detyrë edhe pas moshës së lartpërmendur, përmes kontratave me kohëzgjatje deri në një vit, të përsëritshme, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
  • Personeli akademik i kategorisë “Profesor” mund të shkëputet përkohësisht nga institucioni i arsimit të lartë, për një periudhë maksimale prej pesë vjetësh, për t’u angazhuar në detyra të rëndësishme shtetërore dhe politike. Për periudhën e shkëputjes mund të zëvendësohet nga personel akademik i punësuar me kontratë me afat të caktuar. Pas përfundimit të detyrës, me kërkesë të tij, anëtari i personelit akademik rikthehet në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend të barasvlershëm.
September 19, 2017 13:19
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*