Kontributi i nëntokës në ekonomi, modest

February 7, 2016 13:58

Kontributi i nëntokës në ekonomi, modest

Në modelimin e ri që qeveria shqiptare po tenton të realizojë, nafta shihet si një nga sektorët premtues. Rritja e të ardhurave nga shfytëzimi i arit të zi janë kthyer në objektiv kryesor.

E kjo konfirmohet edhe nga fakti se në industrinë nxjerrëse nafta është kontribuesi më i madh me rreth 3% të PBB-së, referuar raportit 2013-2014 të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse të botuar së fundmi.

Në vitin 2014 kjo shifër zbriti në 2.7% të PBB-së, por ekspertët deklarojnë se kjo ka ardhur për shkak të ndryshimeve të çmimeve, pavarësisht rritjes së prodhimit.

Por, a mund të ishte ky kontribut akoma më i madh? Ajo që vihet re në raportin e pestë të standardit EITI është fakti se operatorët që veprojnë në këtë treg nuk kanë raportuar pagesa të Tatimit mbi Fitimin për periudhën e marrë në analizë, kjo do të rriste ndjeshëm kontributin. Megjithatë duhet të theksohet se ka pasur një monitorim më të fortë ndaj marrëveshjeve koncensionare.

Dorina Çinari, drejtuese e Sekretariatit Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse thotë se ; “Raporti tregon se nafta është sektori me kontributin më të madh dhe mban peshën më të madhe në raport me PBB-në që është 3%, ndërsa të tre sektorët bashkë e kanë në 3.5%. Por, raporti nuk mund të thotë nëse ky është niveli i duhur, nëse është ai që duhet të ishte ose jo.

Ajo që vihet re gjatë periudhës 2013-2014 është se asnjë nga kompanitë e naftës nuk ka raportuar pagesa të Tatimit mbi Fitimin. Do të ishin pikërisht këto pagesa që do ta zhvendosnin në një nivel më të lartë shifrën e kontributit të këtij sektori ndaj PBB-së. Por, tashmë ndryshimi i modelit ekonomik të kontratave hidrokarbure, të reja që po bën qeveria do të kenë ndikim edhe në rritjen e te ardhurave në buxhet nga aktiviteti i prodhimit të naftës.

Ndërsa Albpetroli ka përmbushur detyrimet e veta, si pagesën e dividentit, rentës, ka derdhur Tatimin mbi Fitimin, etj. Raporti jep të gjithë veprimtarinë në mënyrë të detajuar”.

Transparenca në sektorin e industrisë nxjerrëse vlerësohet e rëndësishme, jo vetëm për raportimet në buxhet, por edhe për tërheqjen e investimeve të huaja

ky nuk është një raport që thjesht “mbush faqet”, por që ndihmon në rritjen e transparencës në këtë industri që është përfolur jo pak për nivelin e lartë të abuzimit, korrupsionit, mungesës së sigurisë, nivelin e ulët të standardeve, mungesën e investimeve nga ana e koncesionarëve etj.

“Të dhënat që ofrohen tregojnë se cilat janë rezervat kryesore që mbart nëntoka shqiptare, si menaxhohen, cilët janë operatorët e tregut, cili është niveli i shfrytëzimit të rezervave, të ardhurat që sjellin në arkën e shtetit, kontributi ndaj PBB-së.

Raporti bën rakordime të fluksit të parasë nga çdo operator që ka një licencë në industrinë nxjerrëse kundrejt institucionit shtetëror, në nivel fature, në mënyrë që të sigurohemi që çdo para e derdhur nga kompania ka shkuar në arkën e shtetit dhe nuk ka “rrjedhur” gjatë rrugës. Raporti 2013-2014 është rakoduar në masën 99%, që tregon një nivel të kënaqshëm. Pjesa e mbetur (1%) gjithashtu është e shpjeguar dhe ka të bëjë me raste kur ka pasur keqkuptime ose mungesë raportimi për çështje përshkrimi, datash, etj”, thotë znj. Çinari.

Për herë të parë është përfshirë në raport edhe sektori i hidroenergjisë. “Sektori hidroenergjetik është më i veçantë, pasi në pjesën më të madhe (mbi 80%) prodhimi sigurohet nga operatorë që janë në pronësi të shtetit.

Nga viti 2013 në 2014-n, është zhvendosur pak kontributi falë disa privatizimeve që kanë ndodhur, siç është ai i katër HEC-eve dhe që tani raportohen si kontribut i sektorit privat.

Ajo që vihet re është se kontributi që ky sektor jep në buxhetin e shtetit është i ulët në rreth 0.1%, edhe pse kemi një nivel të lartë të burimeve hidrike, kjo shpjegohet me çmimin e subvencionuar që është i detyruar t’i shesë KESH, OSHEE-së për konsumatorët fundorë”, thotë znj Çinari për Monitor.

Nga ana tjetër ajo që vihet re është se raportohet një kontribut relativisht i ulët i forcës së punës në industrinë nxjerrëse, por kjo deri diku mund të shpjegohet me faktin se është rritur niveli i automatizimit të një pjese të proceseve.

 

 

February 7, 2016 13:58
Komento

1 Koment

  1. info analitike February 8, 09:43

    Albpetroli eshte simboli i vjedhjes me te madhe qe po i behet vendit prandaj artikulli kujdeset ta paraqese ne nje prizem sa me pozitiv. Kocoja po ben aq shume para sa tani po realizon edhe kapricon e fundit, nje televizion te ri me seli ne Kinostudio, komshi me Sandrin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*