Kontributi në turizëm: Shqipëria, e 120-a në botë

April 10, 2016 09:51

Kontributi në turizëm: Shqipëria, e 120-a në botë

Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) në raportin e fundit për vitin 2016 ka përllogaritur ndikimin në ekonominë shqiptare të kësaj industrie. Sipas vlerësimeve për vitin 2015, kontributi direkt u llogarit në 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (87.6 mld lekë).

Për vitin 2016, kjo shifër parashikohet të rritet me rreth 6%, duke arritur në rreth 92.6 miliardë lekë. Sipas raportit, kjo përfaqëson aktivitetin e gjeneruar nga degët e ndryshme të industrisë, si hotelet, agjencitë e udhëtimeve, shërbimet e transportit të pasagjerëve, ato të restoranteve, të argëtimit etj.

Parashikohet që ndikimi direkt i kësaj industrie në PBB të rritet me rreth 5.4% deri në vitin 2026, duke e çuar peshën totale në rreth 8%.

Ndërsa sa i përket kontributit total të industrisë ndaj PBB-së për vitin 2015, kjo shifër arriti në 306.2 miliardë lekë (21.1% e PBB-së). Për këtë vit, parashikohet që ky kontribut të rritet me afërsisht 5.4%, ndërsa deri në 2026-n, me rreth 5.3% për të arritur në 27.2% e PBB-së.

Sa i përket punësimit, raporti i WTTC-së llogariti që kontributi direkt ishte 51,000 vende pune (5.5% e totalit të punësimit). Kjo shifër parashikohet të rritet me 3.4% në vitin 2016 dhe me rreth 4% (77,000) deri në vitin 2026.

Në total, kontributi i industrisë u llogarit në 19.3% (180,000 vende pune). Gjatë vitit 2016, kjo shifër parashikohet të rritet me 3.1% (185,500 vende pune) dhe me rreth 3.6% deri në vitin 2026.

Gjatë vitit të kaluar, eksporti i turistëve gjeneroi 204.2 miliardë lekë (33.5% e totalit të eksporteve). Ky tregues pritet të rritet me rreth 6% në vitin 2016 dhe me rreth 5.5% në vit deri në 2026-n.

Investimet në sektorin e turizmit dhe udhëtimit në vitin 2015 u llogaritën në 19.9 miliardë lekë ose rreth 6% e totalit të investimeve. WTTC parashikon që kjo shifër të rritet me 1.4% gjatë 2016-s dhe me rreth 4.5% përgjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Në nivel botëror, WTTC bën të ditur se turizmi gjatë vitit 2015 arriti të gjenerojë 7.2 milionë vende të reja pune, ndërsa kontributi në PBB-në botërore u llogarit në rreth 7.2 trilionë dollarë. Ky raport përllogarit ndikimin e kësaj industrie në 184 vende të botës (24 rajone).

David Scowsill, president dhe CEO i WTTC-së, deklaroi se: “Pavarësisht pasigurive ekonomike, sektori u rrit me rreth 4% gjatë vitit 2015, duke kontribuar me rreth 10% të PBB-së.

Udhëtimi dhe turizmi llogariti në total 284 milionë vende të reja pune ose me rreth 7.2 milionë më shumë, kjo do të thotë se turizmi gjeneron në mënyrë direkte dhe indirekte 1 në 11 vende pune në shkallë botërore”.

Sipas tij, edhe për vitin 2016, parashikimi është pozitiv, pasi kontributi total i industrisë ndaj PBB-së do të rritet me rreth 3.5%. Shqetësimet e sigurisë, politikat kufitare, çmimet e naftës, forca e dollarit në krahasim me valutat e tjera amerikane, si dhe zhvillime të tjera makroekonomike do të vazhdojnë të ndikojnë në tendencat e udhëtimit në vitin 2016 dhe më tej.

Shqipëria, përballë fqinjëve dhe rajonit

Raporti i Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) vëren se Shqipëria (referuar ecurisë së industrisë gjatë vitit 2015) pozicionohet ulët në renditje për disa tregues të ndryshëm. Në analizë janë marrë në total 184 vende.

Duke u ndalur në një analizë më të detajuar vihet re se vendi ynë renditet në vendin e 120-të sa i përket kontributit direkt që jep turizmi në ekonominë e vendit. Për vitin 2015, kjo shifër u llogarit në 6% të PBB-së.

Krahasuar me Greqinë (7.6%), Malin e Zi (11.3%) dhe Kroacinë (10.1%) kjo shifër është e ulët. Por, nuk ndodh kështu nëse i referohemi shifrave të Italisë (4.2%), Maqedonisë (1.5%) dhe Turqisë me 5%. Ky krahasim vlen edhe në kontributin total që jep në ekonomi industria e turizmit.

Kështu vendi ynë renditet i 110-i nga 184 vende që merren në vlerësim.

Në lidhje me kontributin direkt që turizmi jep në punësim, Shqipëria sipas raportit, renditet në vendin e 115, duke lënë pas Qipron, Malin e Zi dhe Bosnjën. Ndërsa për kontributin total në punësim zë vendin e 103, me po të njëjtët shtete pas në renditje.

Në lidhje me investimet, pozitat janë disi më të përkeqësuara duke qenë se Shqipëria, gjatë viteve të fundit, nuk ka shënuar investime të ndjeshme në këtë fushë, gjë që lidhet edhe me moratoriumin e ndërtimeve dhe përgatitjen e planeve të reja zhvillimore për qytetet.

Për sa i përket eksportit të vizitorëve, vendi ynë shfaqet në një renditje të përmirësuar duke zënë vendin e 88-të.

Renditja është më e përmirësuar kur treguesit jepen të krahasuar në raport me PBB-në (kontributi relativ). Kështu me 6% të PBB-së si kontribut direkt që turizmi zinte në vitin 2015, Shqipëria renditej në vendin e 44, duke lënë pas vende si Turqia dhe Italia, madje kjo shifër është edhe më e lartë se mesatarja e kontinentit (3.5%).

Shumë më e përmirësuar është renditja e kontributit total të turizmit në raport me PBB-në, ku ne renditemi në vendin e 32-të (21.1%), duke lënë pas vende si Qipro, Bullgaria, Greqia, Italia, Turqia.

Vendi ynë, po në raport me PBB-në, në lidhje me kontributin direkt të punësimit, renditet i 54, duke lënë pas Italinë dhe Republikën Çeke; për kontributin total zëmë vendin e 36-të dhe lëmë pas fqinjin përtej Adriatikut, Italinë.

Në vendin e 37-të, ne renditemi në lidhje me raportin që ka eksporti i turistëve ndaj PBB-së dhe pas nesh qëndron Greqia, Italia, Turqia, por edhe Qipro. Duhet thënë se këtu ne renditemi më sipër se mesatarja europiane që për vitin 2015 ishte 5.7%.

Për kontributin e investimeve kapitale në raport me PBB-në, ne renditemi në vendin e 86-të, sërish më lart se mesatarja e Europës (rreth 5%), ndërsa lëmë pas vende si Çekia po Italia.

Në terma afatgjatë (2016–2026) treguesit e kontributit të industrisë së turizmit jepen në përmirësim, ku më mirë parashikohet renditja në lidhje me kontributin e punësimit (direkt dhe total), përkatësisht në vendin e 21-të dhe të 26-të.

Raporti paraqet edhe ecurinë e treguesve të tjerë. Kështu parashikimi për vitin 2016 për shpenzimet e brendshme parashikohet në rritje me rreth 5%, ndërsa për investimet, rritja mendohet të jenë më e ulët, me rreth 1.4%./MONITOR

April 10, 2016 09:51
Komento

1 Koment

  1. Lili April 10, 18:21

    Krahasuar me Greqinë (7.6%), Malin e Zi (11.3%) dhe Kroacinë (10.1%) kjo shifër është e ulët.
    Por, nuk ndodh kështu nëse i referohemi shifrave të Italisë (4.2%), Maqedonisë (1.5%) dhe Turqisë me 5%….
    Ketu kuptoje sa gomare na ka lagje ne dere Enver Hoxha,qe duan me na bind me cdo kushte se per turizm lene pas edhe italienne e turqine..!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*