Kontrolli dhe sekuestro në banesën e të arrestuarit Vasil Kati

October 29, 2013 12:55

Kontrolli dhe sekuestro në banesën e të arrestuarit Vasil Kati

Prangat nën akuzën “Armik i popullit”, kontroll i hollësishëm i banesës me procesverbal të rregullt dhe sekuestrim i një pjese të mirë të materialeve e pajisjeve në funksion të hetimit! Kjo ishte praktika që u ndoq për të akuzuarit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati, të cilësuar si “anëtar të grupit armiqësor në fushën e ekonomisë”. Gazeta Dita ka mundur të siguroj Proces-verbalet e kontrollit dhe sekuestrove në banesat e të akuzuarve, të cilat publikohen për herë të parë. Ajo që të bie në sy në këto kontrolle-sekuestro, është lista e gjatë e inventarit që shkon deri në 500 artikuj që nisin që nga lugët e pirunjtë, çakmakët, pjatat, e deri tek pajisjet elektroshtëpiake dhe armët e gjahut. Në vazhdim, po japim praktikën e kontrollit në banesën e një prej të akuzuarve, Vasil Katit, së bashku me faksimilet e proces-verbaleve origjinale të mbajtura.

 

KONTROLLI

Kontrolli në banesën e të akuzuarit Vasil Kati, banues në qytetin e Fierit, është bërë në datën 10.10.1975. Në procesverbalin e mbajtur në këtë kontroll-sekuestro, midis të tjerave thuhet:” Unë Myzafer Marashi, hetues në Degën e  Punëve të Brendshme të Fierit, së bashku me dëshmitarët e pranishëm Violeta Zoto, nënkryetare  e K.P. të lagjes ‘Kongresi i Përmetit’ dhe Hajrije Pulaj, banuese në lagjen ‘Kongresi i Përmetit, pallati Nr 529, shkalla II, apartamenti Nr 6, duke qenë e pranishme edhe e zonja e shtëpisë Fedra Kati, bëra kontrollin e bane4sës të të arrestuarit Vasil Kati. U pyet e zonja e shtëpisë nëse ka në banesën e saj sende të ndaluara me ligj për t’i mbajtur dhe deklaroi se ka një armë gjahu me municionet përkatëse dhe një thikë gjahu të burrit të saj Vasil Kati, por armën ai e ka pasur me lejë. Pas kësaj u procedua në kontrollin e banesës gjatë së cilës u gjetën materialet e mëposhtme…”.

Referuar proces-verbalit përkatës, listën e kontrollit (Nr 1) e hap çiftja e markës “Gebrudelmesher”, kalibri 12, superpost nr 44846 (1) dhe e mbyllin pasqyrat e tualetit(copë 2) që mbajnë numrin 420 në renditje. Në listë përfshihen gjithçka, që nga gjilpërat, stufat, karriget, radiot, televizori, këpucë, çanta, valixhe, syze, kuverta, kravate, e gjithçka që gjenden brenda mureve të banesës…

 

SEKUESTROT

Në fund të dokumentit, ku janë përcaktuar gjithçka, vihen shënimet përkatëse dhe firmat përkatëse të zonjës së shtëpisë Fedra Kati, dëshmitareve të pranishme Violeta Zoto e Hajrije Pulaj dhe hetuesit Myzafer Mirashi. Në këtë listë janë përcaktuar e janë veçuar mallrat që merren nga ana e organit të hetimit, ato që sekuestrohen e të tjera që lihen nën ruajtje(pa i prekur e përdorur) të familjes së të arrestuarit Kati. “Sendet e regjistruara në nr rendor 1,2,3,4,5,6,7,8,9,10,11,164.165 merren nga grupi i hetimi, ndërsa sendet e tjera të regjistruara lihen nën ruajtje në shtëpinë e të arrestuarit Vasil kati. Një pjesë e tyre u mbyll në një dhomë të shtëpisë, e cila u dyllos dhe u vulos me vulën me inicialet ‘DM’, ndërsa sendet e tjera të përdorimit u lanë jashtë. U porosit e zonja e shtëpisë që mbi sendet që është vendosur sekuestro, ndalohet të kryejë çdo veprim tjetërsimi si dhurim, shitje, shkëmbim si dhe të kujdeset për mirëmbajtjen e tyre deri sa mbi ‘to të vendosë gjykata. Kujdesi për sendet  e vendosura në sekuestro iu la edhe nënkryetares të KP Lagjes ‘Kongresi i Përmetit’, shoqes Violeta Zoto”. Në fund u pyet e zonja e shtëpisë nëse ka ndonjë gjë për kontrollin që iu bë dhe deklaroi se nuk ka ndonjë pretendim. Procesverbali, pasi u lexua në prani të gjithë të pranishmëve, u nënshkrua pa ndonjë vërejtje”- përfundon proces-verbali që po publikohet sot për herë të parë.

 

Faksimile të Procesverbalit të mbajtur gjatë kontrollit dhe sekuestros në banesën e të arrestuarit Vasil kati më datën 10.10. 1975

October 29, 2013 12:55
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*