Kontrolli fizik i makinave, nga shtetërori tek privati

May 31, 2018 08:49

Kontrolli fizik i makinave, nga shtetërori tek privati

Qeveria ka vendosur të kalojë shërbimin për kontrollin fizik të mjeteve tek privati, një shërbim që aktualisht e kryen Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor përmes drejtorive të saj rajonale.

Në ndryshimet që i janë bërë Udhëzimit “Për dokumentet e qarkullimit dhe të regjistrimit të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre” nga Ministri i Infrastrukurës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, jepen edhe detajet për mënyrën sesi pritet të vijojë procesi.

Burime nga ministria thanë për “Monitor” se kalimi tek privati vjen në kuadër të reformës së derregullimit, një nismë e qeverisë për të ulur burokracitë dhe përqendrimin e lartë të shërbimeve në një institucion të vetëm, çka mund të sjellë zvarritje.

“Drejtoritë rajonale të shërbimeve të transportit rrugor kryejnë kontrollin fizik të mjeteve me dy specialistë të saj, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën 1 dhe 2, të nenit 80 të Kodit Rrugor, deri në miratimin prej ministrit të organizmave të akredituar në fushën e mjeteve motorike, për kryerjen e detyrave specifike të vlerësimit dhe të kontrollit fizik të mjeteve motorike rrugore e rimorkiove të tyre.

Ministria, gjatë një periudhe pesëvjeçare do të miratojë një numër të kufizuar prej jo më shumë se dy organizmash, për të vlerësuar ecurinë e këtij procesi gjatë kësaj periudhe dhe për të ndërmarrë hapat e mëtejshëm” thuhet në riformulimin që i është bërë pikës 6 të nenit 2 të udhëzimit të 2012-ës.

Ofrimi i shërbimit nga organizma të autorizuar që nënkupton subjekte private është një praktikë që ndiqet nga disa institucione në vend, siç është kolaudimi i matësve apo enëve nën presion.

Kompanitë e ofrojnë këtë shërbim kundrejt një tarife që paguhet dhe që përcaktohet në shumicën e rasteve me vendime të veçanta nga institucionet publike.

“Këta organizma që do të autorizohen për kryerjen e kontrollit fizik të mjeteve motorike rrugore dhe rimorkiove të ofrojnë këtë shërbim në çdo qendër të kryerjes së kontrollit fizik, me dy specialistë të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën 1 dhe 2, të nenit 80, të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

Organizmat mund të disponojnë mjediset ekzistuese pranë drejtorive rajonale të shërbimeve të transportit rrugor për ofrimin e shërbimit, sipas marrëveshjes që do të lidhin me DPSHTRR-në, në përputhje me legjislacionin në fuqi” shpjegohet në udhëzimin e datës 24 maj 2018 të Gjiknurit.

DPSHTRR do të vendosë në dispozicion informacionin e nevojshëm për mbarëvajtjen e procesit që lidhet me kontollin fizik, ndërkohë që, kompania do të lëshojë çertifikatën me vulën dhe logon e saj. Kjo e fundit do t’i jepet përdoruesit të mjetit për të vijuar më pas me regjistrimin.

Kontrolli fizik ofrohet për 1500 lekë, ja çfarë përfshin

Aktualisht kontrolli fizik kryhet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor për çdo mjet që importohet dhe futet për herë të parë në Shqipëri si dhe sa herë ndryshon pronësia e mjetit.

Kostoja e këtij shërbimi ku lëshohet edhe certifikata e kontrollit fizik aktualisht është 1500 lekë dhe përfshin mes të tjerave :

  1. leximin dhe përcaktimin e saktë të të dhënave mbi identifikimin e mjetit, bazë e të cilit është numri i identifikimit i stampuar në sasi;
  2. leximin automatik dhe/ose manual, si dhe përcaktimin e saktë të karakteristikave teknike të mjetit sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare e europiane të përcaktuara në rregulloret e DPSHTRR-së, në zbatim të këtij udhëzimi;
  3. evidentimin e të dhënave të lartpërmendura në regjistrin elektronik të kontrollit fizik, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja;
  4. plotësimin e të dhënave në certifikatën e kontrollit fizik të mjetit, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja;
  5.  fotografi digjitale për mjetin, sipas përcaktimeve në rregulloren e DPSHTRR-së, në zbatim të këtij udhëzimi. /Monitor

s.a/dita

May 31, 2018 08:49
Komento

2 Komente

  1. specialisti May 31, 09:18

    Por kujdes. Kontrolli fizik nga DPSHTRR, kryhet per mjetet qe hyjne per here te pare ne vendin tone. Kuptohet mjeti ne kete moment merr dokumentin e pare per te vazhduar procedurat e metejshme, per leje qarkullimi etj etj.
    Kete sherbim e mbante shteti per te kontrolluar e parandaluar kontrabanden e mjeteve te blera qe hyjne ne Shqiperi. Tani do ja jape privatit.
    Por edhe mbi keto private te licensuar duhet kontrolle sepse dihet qe nje pjese e mire e mjeteve lluksoze , jane me probleme.

    Reply to this comment
  2. Arben May 31, 11:09

    Po ne kur do na japin me koncesion??!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*