Kontrolli tek okulisti, ja kur duhet të paraqitet çdo grupmoshë

May 29, 2018 19:42

Kontrolli tek okulisti, ja kur duhet të paraqitet çdo grupmoshë

Kontrollet e rregullta të syve në moshat adulte (të rritura), klasifikohen si gurë themeli në diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve më të shpeshta të syrit, siç janë: “Glaukoma, Katarakti, Retinopatia Diabetike, si dhe Degjenerimi makular i lidhur me moshën”, të cilat mund të mbartin pasoja të rënda për shikimin nëse nuk trajtohen që në stadet fillestare.

Këto kontrolle janë veçanërisht të rëndësishme nëse keni faktorë të shtuar risku, apo predispozitë familjare për të zhvilluar sëmundje të syrit.

Referuar  moshës se kur duhet të nisni me vlerësimin  e parë mjekësor të syve, bluzat e bardha thonë se vizitat e para duhet të bëhen detyrimisht që në moshat 2 vjeç e gjysmë, 6 vjeç, 10 vjeç dhe 14 vjeç.

Ndërsa të rriturit duhet të kontrollojnë sytë të paktën çdo dy vjet, dhe mbi moshën 60 vjeç këto vizita duhen kryer çdo vit.

Në varësi të problemeve që mund të shfaqni mjeku mund të kërkojë kryerjen edhe të vizitave më të shpeshta, kjo veçanërisht në rastet kur vuani nga sëmundje të ndryshme kronike, siç janë hipertensioni, diabeti, si dhe kur ambienti ku punoni, ose natyra e punës suaj mund t’ju dëmtojë shikimin.

Specialistët e okulistikës në QSUT theksojnë se krahas formimit të kulturës për kryerjen e vizitave të rregullta tek mjeku specialist sipas grupmoshave, nuk duhet të neglizhohet edhe ndjekja e rekomandimeve të tjera gjatë përditshmërisë, për të pasur sy të shëndetshëm.

Një ndër këshillat bazë që nuk duhet neglizhuar në asnjë rast është edhe mbajtja e syzeve të diellit, kjo veçanërisht gjatë stinës së verës. Duhet të përdorni syze që absorbojnë të paktën 99 për qind të dritës UVA dhe UVB.

Çdo kush duhet të jetë i kujdesshëm që të njohë edhe predispozitën familjare. Kjo pasi genet janë faktor risku për sëmundje të syve, përfshirë këtu edhe ato sëmundje që mund të shkaktojnë humbje të plotë të shikimit.

Sikundër u përmend më lart duhet të kryeni edhe kontrolle të rregullta të syve tek një mjek specialist. Kjo është mënyra më e mirë për të diagnostikuar sa më herët sëmundjet e syrit, pasi këto të fundit shpesh nuk shoqërohen me simptoma të dukshme.

Gjithashtu nuk duhet të neglizhoni edhe ndjekjen e një jetese të shëndetshme. Kjo nënkupton mbajtjen në vijimësi të një peshe të shëndetshme, teksa këshillohet që të konsumoni sa më shumë peshk dhe perime, përmbajtja e të cilave njihet për efektet e mira kundrejt uljes së rrezikut për sëmundje të syrit.

Duhet t’i thoni jo edhe duhanit pasi klasifikohet si faktor risku për shfaqjen e sëmundjeve të syrit/ DITA

 

p.k/dita  

 

 

May 29, 2018 19:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*