KUSH I FUTI PISQOLLAT NË PARLAMENT?

Bedri Islami September 5, 2015 22:52

KUSH I FUTI PISQOLLAT NË PARLAMENT?

Një deputet i parlamentit shqiptar, në mesin e ditës dhe në derën e Policisë së Shtetit, akuzohet se ka qëlluar me pistoletë pas një grindje pronësie. Në ditën e zgjedhjeve të 23 qershorit, po në të njëjtin vend, në qytetin e Laçit, njerëz të afërt të një deputeti akuzohen për një vrasje në mesin e ditës të një aktivisti opozitar të asaj kohe. Pa hak e pa hile, ashtu, për qejf. Për të dëshmuar forcë. Për t’i thënë shefit të partisë se e meritoj vlerësimin tënd dhe kjo është besnikëria ime.

Deputetë të tjerë, nga të dyja palët, lëvizin me armë, edhe kur nuk kanë asnjë rrezik për jetën e tyre. Një tjetër deputet po gjykohet për vrasje dhe ka filluar loja e politikës me drejtësinë: e lejojnë apo jo të shkojë në gjyqin e tij.

Vërtet, çfarë po ndodh në këtë jetën tonë parlamentare, kush i solli pisqollat në parlament? Kush e ka mbushur atë sallë me vrasës dhe rrugaçë politikë?

*********

Ne kemi aktualisht një parlament që mund të cilësohet thjeshtë: parlamenti i kryetarëve të partive. Ata vendosin, ata caktojnë, ata mbështetin, ata përjashtojnë. Ndryshimi dramatik i Kushtetutës i lejon ata të përvetësojnë të drejtën e sovranit për të zgjedhur; në fund ata u ofrojnë njerëzve një listë, që ka kaluar jo nëpër përzgjedhje, por nëpër mendjen e tyre si shefa partie.

Nuk është e rëndësishme nëse njeriu i propozuar në Kuvendin e Shqipërisë është intelektual i dorës së parë, është atdhetar, është i ndershëm apo i mirënjohur. Në mesin e atyre që ia vlejnë për të qenë në atë sallë futen edhe të tjerë, të cilët kanë tri gjëra, që janë të vyera vetëm për shefin e qeverisë: kanë para, nuk ka rëndësi se si si i kanë fituar; kanë njerëz pas vetes dhe mund të bëjnë vota apo të fortin e partisë, duke humbur të gjitha vlerat e tjera; janë të gatshëm të paguajnë sot për të fituar nesër.

*********

Mëkati nuk është tek njerëzit që i zgjedhin, sepse ata zgjedhin një listë, ku fare mirë mund të dihet se cili ia vlen dhe cili nuk ia vlen. Edhe po të mos duash, njeriu që nuk ia vlen të jetë as këshilltar në fshat, është në listën e deputetëve dhe do të jetë një ditë ligjbërës i shtetit. Nuk ka rëndësi se deri asaj dite ai ka njohur vetëm ligjin e të fortit dhe të mashtrimit; nuk ka rëndësi se nuk merr vesh nga e drejta dhe ligji; nuk ka rëndësi se as nesër nuk do i ketë këto cilësi. Ai, “i forti me pisqollë” i duhet për një arsye apo për një tjetër shefit të partisë.

Ndërsa partia i duhet atij për të nxjerrë fillimisht shpenzimet që ka bërë gjatë fushatës, për të bërë sekserin në tendera dhe koncensione dhe… për të bërë ligjin.

Në të gjithë krahët e politikës kemi njerëz të tillë. Dy gjëra ka; ose të ndryshojë ligji, ose të ndryshojë mendësia e shefave partiakë. Meqenëse këto të fundit kanë dhënë prova që nuk ndryshojnë, edhe po të jenë përjetësisht në pushtetin e partisë, atëherë duhet të ndryshojë ligji.

Por, ata të dy që e miratuan shpejt e shpejt këtë ligj, janë ende sot në pushtet. Njëri de jure e tjetri de fakto. Nuk do e ndryshojnë, të paktën nuk do e ndryshojnë me dëshirën e tyre. Dhe deri sa nuk do të ndryshohet do të kemi përsëri të njëjtën pamje, e cila, aq sa është ngjethëse, aq është edhe qesharake.

Është ngjethëse, sepse kemi në vendin më të shenjtë të shtetit njerëz që janë çshenjtëruar nga të gjitha virtytet njerëzore. Është qesharake, sepse ne ende besojmë se ata mund ta bëjnë këtë shtet.

**********

Ky nuk është e nuk mund të jetë parlamenti që meritojnë shqiptarët. Vetëm kur mendja të mbisundojë mbi forcën ne do të kemi një parlament normal, njerëz me kulturë të lartë elitare, të frymëzuar nga besimi i së mires, jo batakçinj që lakmojnë vetëm prona, poste e tendera.

Ne na duhet një parlament që nuk joshet, nuk frikësohet, që ushtron me kryelartësi privilegjin për të kritikuar administratën e shtetit, edhe kur është e partisë së tij, dhe, pas një seance parlamentare, ku kanë thënë se çka mendojnë për shtetin, kryeministrin, presidentin dhe opozitën, kthehen në shtëpitë normale në këmbë, pa frikë, duke e ndjerë veten të mbrojtur nga mirësia e njerëzve.

E vështirë ta kemi, të paktën për sa kohë vetë shefat e partive të mëdha do të rendin më shumë pas pisqollave se sa pas mendjeve.

Bedri Islami September 5, 2015 22:52
Komento

2 Komente

  1. David September 6, 20:35

    O zot a do ket mundesi ky vend i lodhur e apatik te çlirohet nga ky rreth vicioz ku ka hyr

    Reply to this comment
  2. Tartufi September 6, 20:52

    Eshte grumbullimi i plehanoveve,o plehanovi gazetar,ktheu mbrapa dhe vazhdo te derdelli
    sesh,kunder nje pjese te plehanerise dhe tjetren ta mburesh.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*