Mesazhet e para të 21 qershorit

Alqi Koçiko June 22, 2015 02:52

Mesazhet e para të 21 qershorit

Së pari jemi të detyruar të vëmë në pah diferencën e hatashme mes mesazhit të deputetit të PD-së Sali Berisha mbrëmjen e djeshme, lidhur me zgjedhjet e djeshme lokale, dhe realitetit të ngjarjeve dhe zhvillimeve në terren.

Nuk është çudi që Berisha, kryetar faktik i PD-së, po bën “nxemjen” për të mos njohur këto zgjedhje, me një linjë veprim e reagimi që e ndoqën zbehtaz edhe kreu i partisë Basha dhe kreu i grupit parlamentar Paloka.

Problemi është se fijet e kashtës pas të cilave tenton të kapet opozita, janë kaq të holla, saqë siç paralajmëruan dje edhe exit-pollet e njoftuara pas mbylljes së procesit të votimit, mbytja e PD-së në bëmat, apo më saktë, në të pabërat e veta gjatë këtyre dy viteve është dramatike.

Duke e lënë mënjanë pra, këtë tentativë sa të pafuqishme, aq edhe të poshtër për të njollosur të paktën ditën e parë të zgjedhjeve vendore 2015, le të fokusohemi tek leximi sa më objektiv dhe i ftohtë i tyre.

Deri tani, mund të themi se kanë qenë zgjedhjet më qytetare e normale të gjithë 25 viteve të fundit. Për të qenë edhe të ndershme, le të presim deri në fund numërimin dhe shpalljen e fituesve. Por ndërkaq, kjo nuk na pengon të analizojmë si të dhënat e KQZ-së, ashtu dhe exit-pollet e deritanishme, që dëshmojnë një fitore të qartë të mazhorancës qeverisëse, e po ashtu emetojnë edhe disa mesazhe për këtë shumicë.

Diferenca prej 200 mijë votuesish në këto zgjedhje lokale, krahasuar me ato parlamentaret 2013, mund të duket një krahasim i paqëlluar. Por këto ishin matja e parë e pulsit të elektoratit pas dy viteve qeverisjeje. Dhe qortimet e votuesit janë të dukshme, ato drejtohen ndaj PS-së dhe duhen mbajtur shënim.

Së pari, zbehtësia e pjesëmarrjes është shenjë pakënaqësie ndaj gjendjes ekonomike të vendit, e po ashtu dhe ndaj problematikave të njohura që kanë ftohur simpatizantët e selisë rozë, duke nisur nga emërimet në administratë dhe punësimet, tek mënyra e menaxhimit të degëve lokale partiake dhe pushtetit lokal.

Ndërkaq, gjithmonë sipas exit-polleve, 21 qershori tregon dy fenomene të tjera. I pari, i përgjithshëm, flet për një rritje tjetër të LSI-së, duke shtuar akoma më shumë votat në qendrat e mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra etj. Ndërsa i dyti, lokal por shumë domethënës, përçon një kumt të drejtpërdrejtë për Edi Ramën. Është fjala për votën e aksit Vlorë-Sarandë. Pjesëmarrja e ulët në votim krahasuar me mesataren e vendit dhe rrezikimi i deritanishëm i Sarandës flasin për një pësim që duhet të bëhet mësim: Zona të tilla, kur i konsideron të marra për të mirëqena dhe të “futura në xhep” apriori, nuk ta përtojnë të të japin mesazhin se s’mund të sillesh si me çifligje.

Tashmë, një gjë ka rëndësi: procesi i numërimit të përfundojë sa më shpejt dhe pa konflikte. Kjo do t’i vinte vulën finale indikatorit se fazën e zgjedhjeve berishiste e kemi kapërcyer më të fund.

Alqi Koçiko June 22, 2015 02:52
Komento

1 Koment

  1. demo June 23, 14:40

    PD vdiq si Stalini ne shurren e vet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*