Korçarët: Ndërmjet Superiores dhe Europa League ka diferenca të mëdha

September 29, 2015 08:47

Korçarët: Ndërmjet Superiores dhe Europa League ka diferenca të mëdha

Fitorja e thellë 4-1 në fushën e Bylisit konfirmoi edhe një herë diferencat e mëdha që ekzistojnë mes Skënderbeut dhe skuadrave të tjera të Superiores. 5 fitore radhazi në 5 takimet e para është një rekord historik për kampionët e Shqipërisë, që tashmë e kanë përqendruar vëmendjen të sfida e dytë në grup të Europa League ndaj Lokomotivës së Moskës në transfertë.

Bajram Jashanica dhe Leonit Abazi, dy futbollistët kosovarë të Skënderbeut, e pranojnë se diferencat mes ndeshjeve të kampionatit dhe përballjet të Europa League janë të mëdha: “E kemi nisur mirë kampionatin, por tani duhet të përgatitemi për një transfertë shumë të vështirë në Europa League. Diferencat janë të mëdha, sepse në Europa po përballemi me ekipe të mëdha, shumë më cilësore se kundërshtarët që kemi në Superiore. Shpresojmë që të arrijmë një rezultat pozitiv në Moskë”, tha Jashanica.

Të vetëdijshëm për mundësitë e pakta që ka Skënderbeu për të kaluar grupin, një nga objektivat kryesore të drejtuesve korçarë mbetet spikatja e lojtarëve të rinj për të cilët ka interes nga klubet europiane. “Ne jemi të përqendruar te Skënderbeu, por sigurisht shpresojmë që të transferohemi në kampionate më të forta në Europë. Më parë duhet të japim maksimumin për Skënderbeun”, pohon Abazi.

Seancën e parë stërvitore të javës Skënderbeu e ka zhvilluar në fushën e vogël me bar sintetik në kompleksin “Tropikal”, pasi terreni me bar natyral nuk është në gjendje shumë të mirë, aq më tepër që duhet të jetë gati për Kombëtaren në prag të dy ndeshjeve eliminatore me Serbinë dhe Armeninë. Josa i ka patur të gjithë futbollistët në dispozicion, por mbetet në dyshim braziliani Ademir për arsye dëmtimi.

Lokomotiva Moskës

Në Moskë kërkojnë tre pikë nga përballja kundër Skënderbeut. Lojtarët e Lokomotivës hedhin pas krahëve barazimin në derbi kundër CSKA-së, duke u përqendruar te takimi kundër kampionëve të Shqipërisë për sfidën e dytë të Grupit H që do të luhet të enjten në orën 17:00.

Mbrojtësi Nemanja Pejcinovic shprehet se skuadra duhet të mendojë vetëm për takimin kundër Skënderbeut. Sipas 27-vjeçarit serb, objektivi i vetëm për takimin e radhës është fitorja pasi 3 pikët janë të rëndësishme për vazhdimin e rrugëtimit në Europa League.

Në lidhje me sfidën që do të luhet në “Stadion Lokomotiv” ka folur edhe mesfushori Alan Kasaev, sipas të cilit skuadra duhet të bindë në lojë dhe rezultat. Ndeshja mes Lokomotivës së Moskës dhe Skënderbeut do të gjykohet nga një pesëshe arbitrash izraelitë me kryesor Orel Grinfeld, ndërsa ndihmës të tij do të jenë Danny Krasikow dhe Nissan Davidy. Grinfeld është një arbitër me pak eksperiencë në arenën evropiane, pasi ka drejtuar kryesisht takime në nivelin e eliminatoreve për Shpresat.

September 29, 2015 08:47
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*