“Korrigjimi i kufijve”/ A di Hashim Thaçi diçka më shumë se të tjerët?

August 5, 2018 13:03

“Korrigjimi i kufijve”/ A di Hashim Thaçi diçka më shumë se të tjerët?

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë të shkurtër për KosovaPress ka sqaruar edhe një herë idenë për korrigjimin e kufijve, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi ka theksuar se korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje dhe as shkëmbim të territoreve.

Ai në këtë intervistë, insiston se Kosova duhet të adresojë kërkesën e Luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë.

Presidenti Thaçi pranon se ka dallime ndërmjet liderëve të Shqipërisë dhe Kosovës sa i takon dialogut, por thotë se statusi i fundit në Facebook nuk i është drejtuar ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

KosovaPress: President, në javët e fundit keni përdorur termin “korrigjim i kufijve”. Kjo nga përfaqësues institucionalë dhe politikë është përkthyer si shkëmbim i territoreve, meqë Serbia tradicionalisht kërkon territor nga Kosova. A mund të na tregoni saktë çfarë mendoni me korrigjim të kufijve?

Thaçi: Korrigjimi i kufijve nuk është term i shpikur nga unë, por shumë shtete në botë e kanë përdorur si mjet për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjate. Këto ditë e kam përsëritur shpesh: korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit. Po e them edhe ndryshe, korrigjimi i kufijve nuk do të sjellë ndarje të Kosovës. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Gjatë gjithë këtyre vjetëve që kur jemi në dialog, institucionet e Kosovës janë kritikuar pse çështja e Luginës së Preshevës nuk po diskutohet në dialogun me Serbinë. Tash të njëjtit njerëz kërkojnë që t’i mbyllim sytë përballë kërkesës legjitime të tyre për t’ju bashkangjitur Kosovës. Prandaj, kërkesa e jonë është që Kosovës t’i kthehet Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, meqë Serbia nuk ka arritur që t’ju garantojë atyre të drejta, të cilat Kosova iu garantohen serbëve në Kosovë.

KosovaPress: Për të qenë më i qartë. Ju mendoni se Kosova nuk e jep veriun në shkëmbim të Preshevës?

Thaçi: Kosova nuk ka hyrë në këtë dialog për të humbur, as për të dhënë. Kosova ka hyrë në këtë dialog për të arritur marrëveshje paqësore në përputhje me interesat shtetërore. Kosova përballë Serbisë gjithmonë ka dalë fituese, sepse kemi qenë të bashkuar në të drejtën tonë për liri, pavarësi dhe kemi pasuar në vazhdimësi përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, i gjithë spektri politik, shoqëria civile, duhet të jemi të bashkuar për t’ia sjellë Kosovës fitoren e radhës, atë të anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB.

KosovaPress: President, kundër korrigjimit të kufijve kanë dalë partnerët qeverisës dhe krejt opozita. Madje edhe miq të Kosovës. A dini diçka që të tjerët nuk dinë? A e keni mbështetjen amerikane për idenë e korrigjimit të kufijve?

Thaçi: Këtu ka një keqkuptim të madh të cilin duhet sqaruar. Unë kam propozuar korrigjimin e kufijve si opsion të mundshëm për arritjen e marrëveshjes paqësore përfundimtare. Ndarja dhe shkëmbimi i territoreve janë opsione të papranueshme edhe për mua. Në dy dekadat e fundit, në të gjitha proceset politike Kosova ka dal fitimtare pikërisht se ka besuar në SHBA-në, edhe atëherë kur disa kanë pasur dyshime apo kanë qenë skeptik. Gjithmonë kemi qenë bashkë me Amerikën. Edhe në fazën e fundit të dialogut jemi bashkë. Ne nuk do të befasojmë partnerin tonë strategjik, i cili është meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. SHBA dhe BE janë fuqishëm në mbështetje të arritjes së marrëveshjes dhe janë të koordinuara në mes vete.

KosovaPress: Ndërkohë, për qëndrimin tuaj jeni kritikuar ashpër nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Menjëherë iu keni përgjigjur me kundërakuza të rënda. Pse reaguat ndaj tij?

Thaçi: Ky është vetëm interpretim i mediave dhe asgjë më shumë. Së pari, mendoj që z. Berisha ka dhënë mendimin e vet për atë se çfarë mendon për zhvillimet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Unë e respektoj mendimin e tij, por mendoj se nuk mjafton vetëm respektimi i të drejtave të njeriut për shqiptarët atje, sepse Serbia ka dështuar ta bëjë këtë në vazhdimësi. Unë konsideroj që ne kemi një mundësi të vogël që të provojmë bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Fundja, kjo është ajo çfarë shqiptarët dhe përfaqësuesit politikë të Luginës janë duke kërkuar nga institucionet e Kosovës. Unë jam i prirë të dëgjoj më shumë këta të fundit, se sa këdo tjetër. Por, me vjen keq që disa media janë bërë mjeshtër të shtrembërimit të së vërtetës. Lehtë është të parashikohen tituj të tillë bombastikë edhe pas kësaj interviste. Por, interesi shtetëror dhe nacional nuk vendoset nga lajmet e rrejshme, por vetëm me vendime institucionale dhe të përgjegjshme. Unë nuk kam çështje të hapura personale me asnjë lider në Shqipëri apo në Kosovë. Mirëpo sigurisht se kemi dallime kur është në pyetje dialogu me Serbinë. Pavarësisht kësaj, unë besoj në drejtësinë historike që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja duhet t’i bashkohen Kosovës.

a.s/dita

August 5, 2018 13:03
Komento

8 Komente

  1. KORÇARI August 5, 13:30

    PO QE SE THAÇI ARRIN TA BËJË KËTË ,PRA TI BASHKOJË DARDANISË LUGINËN DHE BUJANOCIN ATËHERE AI DO QUHEJ LIDERI MË I MADH I AHQIPTARËVE PAS SKËNDERBEUT , ISMAIL QENALIT, ISA BOLETINIT , FAN NOLIT DHE ENVER HOXHËS.

    Reply to this comment
  2. olimpia August 5, 15:08

    Sipas mendimit tim Thaci e ka hedhur kete ide per te paraprire pretendimet serbe ne kerkesen qe komunat serbe ne Kosove te kene autonomi ligjvenese,si republika Serbska ne Bosnje .Ju kerkoni autnomi te zgjeruar….atehere une dua shqiptaret e Bujanovcit dhe Medvegjes…Serbet natyrisht nuk i japin ,edhe Thaçi nuk jep.Por gjithesesi loja eshte me rrezik,kur behet prapa skenes .Ne bisedime te tilla duhet zbatuar parimi…i rulit kompresor….sic thoshte Ribentropi per Molotovin.Kur Hitleri i kerkonte rezultate,Ribentropi i pergjigjej…Molotovi nuk leshon asnje cm.ne se nuk merr ate qe kerkon .Edhe Thaci me serbet apo Rama me greket nuk duhet te leshojne asnje cm .ne se nuk marrin ate qe eshte e jona.Nuk ka rendesi cthote perendimi,ii cili nuk eshte koherent dhe nuk kerkon standarte te njejta per te gjthe,pasi dominon realpolitika,ruajtja e ekuilibrave.

    Reply to this comment
    • Liri August 5, 19:23

      Flm per kete koment. Qarteson disi ate qe po ndodh. Perse nuk veprjone politikanet tane ne kete menyre? Me sa kuptoj keto standarte diplomatike jane si formula te matematikes qe te gjithe duhet ti dine perpara se te behen mesues matematike.

      Reply to this comment
    • KORÇARI August 5, 22:09

      Olimpia, ke bërë komentin më të zgjuar , është një praktikë që gjithmonë ,kushdo që e përdor del i fituar.
      Thaçi, MOS u tund nga sulmet e SALI SËRBIT dhe bandës së tij por vazhdo punën për të mirën e Shqiptarëve.

      Reply to this comment
  3. Alban August 5, 19:34

    Hashim Thaci, mos u ndiko nga pergjerimet e shitesve te detit e te naftes se Shqiperise, sepse ata te ngulin thiken naten mbas shpine dhe te qajne diten; sepse tradhtaret thone kapeni tradhtarin qe te lajne fytyren e tyre te tradhetise. Sot bota e globalizuar do t’i zgjidhe problemet administrative kufitare jo me me lufte, por me marreveshje.

    Reply to this comment
  4. Arben August 5, 21:34

    Amerika Po leshon udheheqjen.

    Turqia dhe Rusia Jane pas ketij plani.

    Ne si shqipetar te tregohemi te kujdesshem,

    Te mbrojme mire interesat tona ne kete mes.

    Turqia eshte vellai yne I madh, dhe patjeter qe

    Do luftoje ne krahun tone.

    Reply to this comment
    • KORÇARI August 5, 22:26

      Ke të drejtë përsa i përket Rusisë dhe TURQISË, janë pikërisht ata pas planit të njohur të RUS për krijimin e BOSHTIT ORTODOKS .
      PLANI ËSHTË KY ,
      RUSIA DO TË KETË NËN NDIKIM , GREQINË,BULLGARINË,SËRBINË,RUMANINË NËN TË ASHTUQUAJTURIN BOSHTI ORTODOKS
      TURQIA DO KETË NËN KONTROLL
      SHQIPËRINË ,KOSOVËN, BOSNJËN NË KUADËR TË PERANDORISË OSMANE
      AUSTRIA
      DO TË KETË NËN NDIKIM SHTETET KATOLIKE
      POR KËTU KA NJË YÇKËL SEPSE SHQIPËRIA, KOSOVA DHE BOSNJA DO TË SHPËRBËHEN , PJESA VERIORE KATOLIKE E SHQIPËRISË DO HYJE TEK AUSTRIA, PJESA JUGORE TEK GREKU DHE KUSURI TEK TURKU.
      Pra arben TURKU , ti mund të gëzohesh më TURQIT sepse je Turk vetë por Shqiptarët jo, SEPSE luftuan dhe e lamë më lumenj gjaku këtë Pavarësi dhe liri që kemi.
      Amerika vërtet është tërhequr disi por kjo nuk do të thotë që vdiq , ajo është ende Superfuqi E Padiskutueshme Botërore dhe atje ku ka interesa di si ti mbrojë ato dhe këtë e tregoi me lëvizjen që bëri duke kapur Gazivodën dhe Trepçen dje.
      Gjithashtu VËLLAI YNË I MADH ËSHTË AMERIKA JO TURKU, TURKU ËSHTË PARTNER STRATEGJIK NDOSHTA POR KURRËSESI JO VËLLAI YNË.

      Reply to this comment
  5. MH August 6, 02:40

    Kjo ide e Thaçit zen vend te patundshem.Do jete nji perspektive per te bashku edhe trojet etnike shqiptare te Maqedonise.
    Dhe ne fund prespektiva per te bashkue trojet qe i mban Mali i Zi dhe Camerine.Te gjitha keto me kryeqytet TIRANA.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*