“Korrigjimi” i kufirit të Kosovës do të shkundte themelet e Europës së pasluftës

August 26, 2018 11:24

“Korrigjimi” i kufirit të Kosovës do të shkundte themelet e Europës së pasluftës

 

Pacënueshmëria e kufijve ka qenë një gur themeli në arkitekturën e Europës së pasluftës-por disa besojnë se BE dhe SHBA po përgatiten ta flakin tej rregulloren për Kosovën.

Nga Marcus Tanner / BIRN

Për legjionin e aktivistëve të të drejtave, ish-diplomatët, akademikët dhe të tjerëve që kundërshtojnë ashpër ndarjen etnike si një zgjidhje për mosmarrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, heshtja e Bashkimit Europian dhe e Uashingtonit për këtë temë është ogurzezë.

Ndarjet etnike të bazuara në plebishite të mbikëqyrura ishin një mënyrë normative për zgjidhjen e konflikteve kufitare pas Luftës së Parë Botërore.

Në atë botë shumë të ndryshme, krijimi i shteteve etnikisht të pastra shihej asokohe si zgjidhje. Perandoritë e vjetra dhe të mundura poliglote, Austro-Hungaria dhe Perandoria Osmane, ishin të diskredituara dhe karakteri i tyre shumë-etnik shihej si shkaku kryesor i rënies së tyre.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Europa, Amerika dhe ish-Bashkimi Sovjetik pësuan një ndryshim radikal të mendjes. Ndarjet me bazë etnike u konsideruan si thellësisht të papëlqyeshme, si një rrezik për marrëveshjet e pasluftës, nxitje për revizionizmin-dhe parimisht të gabuara.

Shtetet etnikisht “të pastra” lidheshin tanimë me projektin nazist, ndërkohë që multikulturalizmi po promovohej si pasuri, jo si pengesë. Në vitet 1990, duke ndjekur shembullin e vendosur nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Europa dhe Shtetet e Bashkuara këmbëngulën që kufijtë e të gjitha shteteve që dalin nga ish-Jugosllavia duhet të ndjekin kufijtë e brendshëm të ish-republikave-ose të krahinës në rastin e Kosovës.

Nuk ishte i lejuar asnjë devijim apo “korrektim”. Serbisë nuk iu lejua asnjë pretendim etnik për Krajinën në Kroacisë apo në veriperëndim të Bosnjes. Njësoj, edhe Kroacia nuk mund të kishte pretendime për Hercegovinën në Perëndim, as Bosnja për Sanxhakun- e kështu me radhë.

Megjithatë, burime të informuara thonë se opinioni në Bruksel dhe Uashington në këtë parim dikur të paprekshëm mund të ndryshojë. Kjo shpjegon arsyen se pse nuk ka pasur dënime të bisedimeve në rritje mes Serbisë dhe Kosovës për ndarjen.

Një artikull i britanikes The Guardian këtë javë shkroi se burimet e saj thonë se “humori ndërkombëtar ndaj një ndarjeje të mundshme të Kosovës po ndryshonte, pavarësisht kundërshtimit të kancelares gjermane, Angela Merkel”. Gazeta shtoi gjithashtu se kur ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç takoi dhëndrin dhe këshilltarin e Donald Trump, Jared Kushner në korrik, ata “diskutuan mbi ndarjen”.

Ajo citon gjithashtu një burim nga qeveria serbe, ndërsa thotë: “pozicioni amerikan është duke ndryshuar nga totalisht kundër ndarjes në gatishmërinë për ta diskutuar si opsion. Franca është gjithashtu mjaft pozitive për të. Gjermania nuk është”.

Korrespondenti i The Economist për Ballkanin, Tim Judah, një bashkëpunëtor i hershëm i BIRN, tha se pas vizitave në Serbi dhe Kosovë, ai kishte vënë re një ndryshim të theksit të ndarjes nga Brukseli dhe Uashingtoni.

“Përpara ishte një tabu dhe ata madje nuk donin që dikush të fliste për të. Por tani po thonë OK, ju diskutojeni dhe më pas e shohim”.

Mjet i diskretituar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve:

“Ndarja” u shfaq fillimisht në gjuhën e diplomacisë në fund të shekullit të 18, kur Rusia, Prusia dhe Austria e aplikuan atë brutalisht në Poloni, duke ndarë në mënyrë të vazhdueshme copat e mbretërisë së vjetër derisa nuk mbeti më asgjë. Por kulmi i vërtetë i ndarjeve ndoqi fundin e Luftës së Parë Botërore, kur nacionalizmi etnik gëzoi besueshmëri intelektuale dhe krijimi i shteteve etnikisht “të pastra” u trumbetua si çelësi i krijimit të një Europe më të qëndrueshme.

Ndarjet dhe plebishitet u aplikuar në zona të shumta. Irlanda u nda në vitin 1922, padyshim më shumë në linjat fetare sesa etnike, me gjashtë nga 32 vendet që mbetën në Britani. Schleswig-Holstein u nda në 1920 pas një referendumi, ndërkohë që në veri Schleswig u kthye [pas] në Danimarkë. Silesia e Sipërme u nda në vitet 1921-1922 mes Polonisë dhe Gjermanisë, gjithashtu me plebishit. Njësoj u nda dhe Burgenlandi mes Austrisë dhe Hungarisë, në ndjekje të një referendumi të mbajtur në Sopron/Odenburg në dhjetor 1921, ku qyteti i shkoi Hungarisë dhe pjesa tjetër Austrisë.

Carinthia shkoi gjithashtu për ndarje, për qëllim të së cilës aleatët fitimtarë e ndanë atë në dy zona; zonën A dhe B. Referendumet e mbikëqyrura arritën në përfundimin që të dy zonat t’i bashkoheshin Austrisë-nga zemërimi ndaj mbretërisë së re të Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ndonëse ndarjet me bazë etnike e humbën pëlqyeshmërinë, u aplikuan në Istria, duke bërë që qyteti i Triestes të qëndronte në Itali, ndërsa pjesa tjetër e Istrias shkoi nën Jugosllavinë. Një tjetër anomali kurioze ishte referendumi i mbajtur në Tende/Tenda dhe La Brigue/Briga, çka solli që të dy fshatrat të kalonin nga Italia në Francë në vitin 1947.

Në Europën Lindore, Bashkimi Sovjetik urdhëroi Rumaninë të heqë dorë nga rajoni i Dobruxhës në Bullgari mbi baza etnike, ndërkohë që vetë Bashkimi Sovjetik i rregulloi kufijtë e vet në mënyrë drastike me Poloninë dhe më pak me Rumaninë, sërish duke përmendur kriterin etnik.

Por klima intelektuale dhe diplomatike po ndryshonte me shpejtësi. Idea e dikurshme “e kufijve etnikë”, me ngjyrim të dukshëm nazist shihej tanimë si një qëllim prapanik. Për më tepër, aleatët ishin të vendosur të zhduknin atë që ata e shihnin si inkurajim për revizionizmin.

Kufijtë konsiderohen tanimë si të përhershëm, pavarësisht ndjenjave të pakicave, një parim që pati pasoja të mëdha në Ballkan. Në mënyrë të modifikuar, kjo nënkuptonte që kur shtetet shpërbëheshin në mënyrë të pakthyeshme, siç bëri Jugosllavia, bota do të këmbëngulte që kufinjtë e vjetër të brendshëm do të ktheheshin në kufinjtë e rinj të jashtëm.

Ky parim avantazhoi disa komunitete më shumë se të tjerët. Pothuajse të gjithë maqedonasit dhe slovenët u lanë brenda kufinjve të republikave të tyre respektive. Por lanë gjithashtu gjysmë million kroatë jashtë Kroacisë, kryesisht në Bosnje dhe një numër edhe më të madh serbësh jashtë Serbisë-shumica dërrmuese e të cilëve sërish në Bosnje.

Si rezultat, nacionalistët maqedonas, sllovakë dhe boshnjakë janë shumë konservativë në çështjen e kufirit; pak kanë aspirata serioze në drejtim të veriut të Greqisë, Carinthias dhe Sanxhakut-ndërkohë që serbët dhe në një masë më të ulët, kroatët- priren natyrshëm drejt revizionizmit.

Deri tani, ëndrra të tilla kanë mbetur thjesht ëndrra. Por nëse Europa dhe Shtetet e Bashkuara do hidhnin tutje rregulloren dhe do të lejonin një “korrektim” kufinjsh në baza etnike mes Serbisë dhe Kosovës, “precedenti i tmerrshëm” do të ishte, natyrisht i vendosur.

Në fund të fundit, nëse disa dhjetra mijë serbë dhe shqiptarë në të dyja anët e kufirit aktual mund t’i ndryshojnë kufijtë e tyre, çfarë do t’i ndalonte rreth 1 milion serbët në Bosnje?

Çështja e vogël gjeneron mosmarrëveshje të mëdha:

Ura mbi lumin Ibër që ndan Mitrovicën në dy pjesë

Popullatat në fjalë në kontekstin Kosovë-Serbi janë çuditërisht të vogla për një mosmarrëveshje të tillë të madhe. Në Kosovë, pavarësisht fjalimeve dorëlëshuara për “Veriun Serb të Kosovës”, në realitet çështja prek tre komuna; Leposaviç [popullsia 18 600 në 2015], Zveçan [popullsia 16 650] dhe Zubin Potok [15 200] dhe gjysma e Mitrovicës. Zgjidhja e vetme domethënëse urbane është qyteti i drejtuar përgjysmë nga serbët i Mitrovicës, shtëpi për rreth 30 mijë njerëz.

Në të shumtën e vet, e gjithë zona banohet nga 80 mijë njerëz.

Në anën tjetër të kufirit, pothuajse e gjithë Presheva shqiptare banohet nga 35 mijë njerëz. Më shumë se gjysma e qytetit dhe e komunës së Bujanovcit janë gjithashtu shqiptarë, siç janë një përqindje më e vogël në Medvegjë.

A mundet Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje?

Edhe nëse marrin lejen ngurruese të Europës për të thyer një parim kyç të marrëdhënieve ndërkombëtare të pasluftës, është e vështirë të shohësh arritjen e një marrëveshjeje nga të dy palët në konflikt.

Më e rëndësishmja, të dy vendet nuk janë të barabarta në forcën e negociatave.

Ky është një dallim i madh mes të tashmes dhe plebishiteve të 1920-1922, kur të dy palët ishin të barabarta në fuqi-si Austria dhe Hungaria-ose kur në përballjen mes Gjermanisë dhe Danimarkës, Gjermania ishte një fuqi e humbur dhe jo në pozitën për të ushtruar presion.

Në kontekstin Kosovë-Serbi, në anën tjetër, Kosova është kërkuesja- kërkon njohjen e pavarësisë së saj nga Serbia.

Serbia e pavarur që prej Kongresit të Berlinit në 1878 nuk ka probleme të tilla mbi vendin e saj diplomatik në botë. Kosova ka nevojë për një marrëveshje, pra, më shumë se Serbia.

Karta e vetme e vërtetë e Kosovës-dhe nuk është një AS-është se mosmarrëveshja ngadalëson progresin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE. Por Serbia mund të jetojë me këtë.

Nëse lideri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po shkon për ndarje, ai pothuajse me siguri do të kërkojë korrektime në favorin e Serbisë: Serbia të marrë komunat veriore që Kosova nuk i kontrollon- në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Është e vështirë të imagjinosh Vuçiç, ose çdo lider tjetër të Serbisë, t’i ofrojë Kosovës një territor që e ka nën kontroll, vetëm për hir të “drejtësisë”.

Një tjetër faktor i ndërlikuar është e ardhmja e serbëve që mbeten në Kosovë. Shpresa e tyre e vetme qëndron në formimin e vonë të një shoqate të komunave autonome të Serbisë në Kosovë. Por Kosova ka rezistuar mbi këtë çështje për vite me radhë, duke dashur ta mbajë këtë kartë rezervë dhe duke mos e lëshuar atë përpara një marrëveshjeje përfundimtare.

Megjithatë, nëse Kosova e vogël do të detyrohet të japë pjesë të rëndësishme nga toka e saj, shanset e krijimit të një shoqate të komunave autonome serbe në territorin e mbetur të saj janë gjithashtu minimale.

Shkurtimisht, komunitetet e vogla rurale serbe në jug do të merrnin fund, ndaj zëdhënësit e serbëve në Jug, të tillë si Sava Janjiç janë kaq të ashpër kundër ndarjes.

Në të gjitha gjasat, pavarësisht se ç’lejojnë në parim Europa dhe Amerika, planet e ndryshme të “korrigjimit të kufijve” në mendjet e Vuçiç dhe Thaçit do të vazhdojnë të mbeten shumë larg për ta bërë të mundur një marrëveshje.

a.s/dita

August 26, 2018 11:24
Komento

4 Komente

  1. Alban August 26, 12:32

    Që në origjinën e tij, BE ka përcaktuar një treg të vetëm ekonomik përgjatë territorit te të gjithë anëtareve të saj. Aktualisht është në përdorim një kurs i vetëm këmbimi në 16 anëtaret e eurozonës. E konsideruar si një ekonomi në vetme, BE gjeneron një GDP nominalë prej 18,39 trilion dollarësh amerikan që arrin gjeri në 22% të output-it total ekonomik të botës në terma të purchasing power parity, gjë që e bën atë ekonominë më të madhe në botë për nga GDP nominalë dhe e dyta si bllok ekonomik tregtar.

    Aspirata kembengulese e Serise dhe Kosoves per t’i bere anetare te BE e perjashton gjykimin e meparshem qe kufijte e ish-republikave te shpallura shtetet te pavarura nga shperberja e ish-Federates se Jugosllavise te konsiderohen te paprekshem, sepse nuk do te kemi me shtete klasike te shekujve XIX-XX, por thjesht ndarje administrative te shteteve anetare te BE-se.

    Nga ana tjeter, ata politikane dhe diplomate qe jane kunder korigjimit te kufijve midis Serbise dhe ish-krahines se saj -Kosoves_ qysh nga Konferenca e Ambasadoreve te Fuqive te Medha te Europes ne Londer me 1913 dhe Konferenca e Paqes e Parisit 1920, me argumentin se jane kunder prishjes se “rendit nderkombetar”, sic deklaroi Ministri Bushati, te con ne faktin se Republika e Pavarur e Kosoves duhet te kthehet ne gjirin e Republikes se Serbise. Por “rendi nderkombetar” i shteteve te Europes, pas vitit 1989, me prishjen e Murit te Berlinit, na fton per te vepruar ne baze te parimit Wilson-ian te “vetevendosjes se popujve”, duke organizuar referendume ne krahinat e diskutueshme kufitare midis shteteve, pasi, ngado qe te vene, do te jene pjese e pandare ee Bashkimit Europian.

    Reply to this comment
  2. pashko vasa August 26, 16:46

    Kaq pa dinjitet qënkemi ne shqipëtarët sa edhe ato që kemi janë gjysma se pjesa tjetër na është marrë kosova ka kufijët e saj luftuan për ti dhënë atë që për 80 vjet ishte rrëmbyer dhe ky trapi i kosovës bashkë me këtë të tonin bëjnë pazare se qënka ca sërbë në veri dhe duan të drejta më shume seç ju takon nato ndërhyri në kosovë dhe e çlirojë tani thonë hajde se në veri të mitovicës janë gjithë pasurit e kosovës hajde bëjmë shkëmbin zogu kur u kthye në shqipëri nga mercenarët serbë dha vermoshin dhe shën naumin dhe firmosi që nuk do të ketë asnjë pretendim teritorjal pra për kosovën që ka parë mizorit e shekullit nga shkau tani lojë e ndyrë bëhet dhe europa nga ç’dëgjojmë hiq një gjermani dhe britania që janë kundër po përsëritet një 1913 tjetër turp për këtë klasë politike shqipëtare si shqipëri edhe në kosovë kësaj i thonë të mohosh veten prandaj ne nuk dimë të bëjmë shtet jemi një popull materialist shikojmë nga xhepat edhe turku kur nuk e vuri dot në zapë ju dha toka ju ndrojë fenë dhe në kohën e sulltanëve në administrat ka pasur shqipëtar dhe na bënë copë copë jemi i vetmi popull në ballkan që jemi rrethuar nga vetëvetja se imagjinojë dot kur austriakët na thonë të rrimë urtë janë hitlerianë racë e keqe

    Reply to this comment
  3. Kasandra August 27, 09:55

    Shporta me karavidhe nuk është zgjidhje!
    Këtu vetëm për drejtësi nuk bëhet fjalë. Këtu bëhet fjalë vetëm për ligjërim të pastrimit etnik të shqiptarëve dhe të zvendësimit të tyre me kolonë për ta përvetësuar veriun e Mitrovicës nga Serbia dhe për të hapur një precedent të rrezikshëm edhe për territoret e tjera shqiptare që heqin e vuajnë nga i njejti dhunim. Këmbimi i një trualli shqiptar me një truall tjetër shqiptar me sofizma politike dhe manipulime grabitqare nuk është drejtësi por një pazar i turpshëm dhe kurorëzim i fitores së politikës së pastrimit etnik.
    A e fitoi pavarësinë Kosova? E fitoi. Nëse po, atëhere çështja është e zgjidhur, e njeh apo nuk e njeh Serbia pavarësinë e saj. Kosova me pavarësinë u shkëput nga Serbia pse duhet të futen të dy shtetet si karavidhet në një shportë? Kjo është Mukja moderne që shqiptarët të lëshojnë territor me vullnetin e tyre. Çdo pëllëmbë e tokës shqiptare është e shtrenjtë dhe i përket gjithë shqiptarëve jo vetëm Mitrovica dhe Kosova por të gjithë territoret e tjera nën administrimin diskriminues të fqinjëve. Kjo ka një ndjeshmëri dhe pritshmëri shumë të lartë tek shqiptarët në tërësi. Veprimet e njëanëshme dhe të papërgjegjshme e dëmtojnë çështjen shqiptare. Aleatët tanë të nderuar nuk mund t’ia lenë shportës së karavidheve zgjidhjen e çështjes mbarëshqiptare dhe çështjen nacionale për gjithë Ballkanin. Kjo do të thotë ta leshë plagën të majiset e të pëlcasë pa pritur siç plasi në Kosovë sepse është një çështje që bën xixa. Shqiptarët e coptuar nuk mund të pranojnë për tu coptuar më tej dhe as të rrinë duarkryq se e kërkon shpirti dhe dinjiteti kombëtar por edhe nevoja për zhvillim e përparim.
    Fqinjët tanë e përflasin të drejtën e shqiptarëve për bashkim negativisht si krijim të “Shqipërisë së madhe” sepse nuk mund të ndahen nga shfrytëzimi kolonial i trojeve shqiptare dhe nga synimi që një ditë t’i tjetërsojnë ato për fare. Paqen sot e kanë në dorë BE dhe Amerika që të zhbëjnë padrejtësinë që bënë paraardhësit e tyre para një shekulli. Veç kësaj egziston edhe një premtim i tyre për zgjidhje të çështjeve kombëtare pas Luftës së Dytë Botërore. Kur secila palë bën pjesën e vet problemet zgjidhen. Populli shqiptar po e bën pjesën e vet me durim dhe mirëkuptim dhe shpreson që edhe ndërkombëtarët me përvojën e tyre të bëjnë drejtësi që shqiptarët dhe i gjithë Ballkani të gjejnë qetësi. Kasandra.

    Reply to this comment
  4. Dhimbia e madhe popull. August 27, 23:26

    Kasandra ! Ty me te lumte sa gjykon, po kujt ia thua…
    I huaji i huaj na ka copetuar e, mbetet kyci zgjidhies…Po Ne,kemi dhe te keqen nga ca koka nga brenda.Ata duhet “tredhur….”
    Dhimbia e madhe POPULL.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*