Korrupsioni brenda BE-së, Italia kryeson

July 20, 2014 11:53

Korrupsioni brenda BE-së, Italia kryeson

Korrupsioni dhe lufta ndaj tij është një fenomen, që sigurisht prek si institucionet e BE-së, por edhe vendet anëtare të saj. Fondet europiane që prej fillimit të krijimit të Unionit, janë shndërruar në një mekanizëm joshës, që tundojnë segmente të autoriteteve kombëtare, duke sjellë si pasojë abuzimin në shifra të konsiderueshme. Raporti vjetor i Komisionit Europian mbi ruajtjen e interesave financiare të BE-së, i publikuar më 17 korrik 2014, sjell shifra dhe fakte në lidhje me vendet anëtare dhe korrupsionin e evidentuar në secilin prej tyre, si edhe propozon masa konkrete për t’u përballur me fenomenin e abuzimit me paratë e qytetarëve europianë.

Abuzimi me fondet

Raporti i 2013-s, specifikon se 15.779 raste abuzimi (të konstatuara, por që vendimi përfundimtar i ngelet autoritetit gjyqësor kombëtar) janë raportuar në Komision, që prekin shifrën prej 2,14 bilion euro, nga të cilat 1,76 bilion euro lidhen me sektorin e shpenzimeve të buxhetit të BE-së. Rritja e rasteve të konstatuara, që lidhen me këtë sektor shkon në 76%. Kjo reflekton kryesisht sektorin e burimeve natyrore (agrikultura, zhvillimi rural, peshkimi). Rritje të abuzimeve janë konstatuar edhe me politikat e kohezionit (fondet strukturore) me 15%, si edhe me politikat e para-aderimit me 27%.

Burimet natyrore (agrikultura, zhvillimi rural dhe peshkimi)

Vëmendje tërheqin rritja e abuzimeve me fondet në sektorin e peshkimit (+475%), por sipas raportit kjo rritje e shpejtë ishte një fenomen që pritej, nëse vlerësohet implementimi i vonuar i programeve, si edhe shifrat e ulëta të raportuara për vitin e kaluar.

Në lidhje me agrikulturën panorama është më komplekse, pasi abuzimet e komunikuara nga 4 shtete anëtare (Bullgaria, Danimarka, Italia dhe Rumania) përfaqësojnë rreth 75% të totalit të abuzimeve të raportuara. Numri i rasteve të abuzimit të raportuar, njeh rritje edhe për 5 vende të tjera, Republikën Çeke, Greqinë, Spanjën, Francën dhe Poloninë. Ndërsa Italia qëndron e pozicionuar në krye të listës, për sa i përket rasteve të abuzimeve me fondet.

Rritja e abuzimeve prek si fondet evropiane të agrikulturës, por edhe fondet e zhvillimit rural dhe 18% e rasteve vlerësohen se prekin të dy fushat njëkohësisht. Sipas Raportit, 30% e abuzimeve përfshijnë përdorimin e dokumenteve apo edhe deklaratave të falsifikuara.

Abuzime me fondet e politikave të paraaderimit

Në lidhje me abuzimet, që prekin fondet e politikave të paraaderimit (Asistenca e Paraaderimit (PAA) dhe Instrumenti i Paraaderimit (IPA), e para ngelet në nivele konstante, ndërsa e dyta IPA, njeh rritje të rasteve të abuzimit. Për sa i përket PAA-së, Rumania dhe Bullgaria janë vendet, që kanë raportuar abuzime konkrete, kryesisht me fondet e zhvillimit rural.

Ndërsa numri i abuzimeve, që lidhen me IPA janë rritur krahasuar me vitin 2012. Kjo rritje sipas raportit vlerësohet, se qëndron brenda normave, duke marrë parasysh që raportimi i abuzimeve mbi IPA, ka filluar vetëm vitet e fundit. Shumica e rasteve të abuzimeve janë raportuar nga Turqia. Abuzimet më të larta prekin ndihmën në lidhje me tranzicionin, ndërtimin e institucioneve dhe zhvillimin rural.

Për sa i përket shpenzimeve të administruara direkt nga Komisioni, shërbimet e Komisionit për vitin 2013, kanë raportuar 25 raste të dyshuara si raste abuzimi, që prekin një shifër prej 1.2 milionë euro, të cilat janë raportuar tek OLAF (Zyra e Luftës Kundër Mashtrimit).

Përpilimi i Raportit është bazuar në komunikimin e rasteve abuzive nga autoritetet kombëtare të vendeve anëtare. Çdo shtet anëtar raporton parregullsitë dhe rastet e abuzimeve konkrete mbi fondet evropiane dhe statistikat përpilohen mbi bazën e këtyre të dhënave. Vendet anëtare plotësojnë gjithashtu një pyetësor të Komisionit Europian, i hartuar me synim grumbullimin e informacionit në fusha, që mund të ndihmojnë përmirësimin e ruajtjes së interesave financiare të BE-së. Ndërsa pjesa tjetër e raportit, është e bazuar në të dhënat e grumbulluara nga vetë Komisioni Europian.

Krijimi i Prokurorisë Evropiane 

Fenomeni i korrupsionit dhe i abuzimeve me fondet e BE-së, është një problematikë, që e ka shoqëruar Unionin përgjatë gjithë historikut të tij. Paralelisht me krijimin e tij, janë ngritur edhe institucionet përkatëse, përgjegjëse për luftën ndaj mashtrimit dhe abuzimit (Gjykata e Auditorëve, Komisioni i Kontrollit Buxhetor të Unionit (COCOBU), Drejtoria e Përgjithshme e Kontrollit Financiar, Task-Forca e Koordinimit të Luftës Anti-Mashtrim, UCLAF, dhe Zyra Europiane e Luftës Kundër Mashtrimit, OLAF). Por, këto institucione apo organizma vlerësohen se nuk kanë qenë dhe nuk janë ende të pajisur me të gjithë kompetencat e nevojshme, siç mund të jenë autoritetet përkatëse ligjore kombëtare në këtë fushë. Kjo panoramë shoqëron edhe Zyrën Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, e cila pavarësisht përforcimit të vazhdueshëm të kuadrit legjislativ të saj ndër vite, ende nuk zotëron kompetencat e duhura, për t’u përballur në mënyrë efikase me këto fenomene.

Nga ana tjetër, ajo çfarë konstatohet në shumë prej shteteve anëtare, është një mungesë vullneti nga ana e autoriteteve ligjore, për t’u fokusuar në krimet ndaj buxhetit të BE-së, që arrijnë në biliona euro, duke i trajtuar ato si dytësore, si çështje komplekse financiare dhe me një natyrë, që tejkalon juridiksionin territorial. Edhe historiku i rekomandimeve të OLAF ndaj shteteve anëtare për të hetuar rastet abuzive, nuk është aspak pozitiv. Si rrjedhojë, kjo situatë ka sjellë sistematikisht një nënvlerësim ndaj këtyre abuzimeve, duke çuar edhe në një numër shumë të vogël të dosjeve, që mbyllen me dënime përkatëse. Sipas të dhënave zyrtare, çdo vit mund të jenë rreth 2500 raste, nga të cilat më pak se gjysma përfundon në ndjekje penale. Rezultatet në vendet e ndryshme anëtare variojnë, si p.sh. çështjet në Sllovaki, Spanjë, dhe Hungari kanë shënuar 0 dënime ndërmjet viteve 2006-2011. Ndërsa vendet si Austria, Estonia, Suedia, dhe Finlanda kanë shënuar 91% deri në 100% dhënie dënimesh mbi dosjet e abuzimeve.

Kjo panoramë komplekse ndër vite ka ekspozuar nevojshmërinë për krijimin e zyrës së Prokurorisë Publike Europiane, e cila do të ketë pushtetin juridik të drejtojë, të hetojë, të akuzojë dhe të sjellë përpara drejtësisë konkluzionet hetimore të saj, në koordinim me autoritetet shtetërore, kundrejt personave të dyshuar për mashtrim me fondet e BE-së. Kjo zyrë, e cila parashikohet të jetë funksionale në fillim të vitit 2015, do të funksionojë nëpërmjet një strukture të decentralizuar, e integruar në sistemin kombëtar juridik. Çdo vend do të ketë degën përfaqësuese të prokurorisë, që do të funksionojë me prokurorë të zgjedhur nga qeveritë kombëtare (euro-prokurorë), por nuk do të varet financiarisht nga instancat kombëtare.

Ndonëse ky propozim është ekspozuar si nevojshmëri në kohë, për të luftuar në mënyrë efikase korrupsionin e lartë ndaj parave të qytetarëve evropianë, disa prej diplomacive evropiane janë shprehur kategorikisht kundër këtij projekti. Pozicionimi i Britanisë, Irlandës dhe Danimarkës reflektojnë mos lëshim të mëtejshëm të kompetencave kombëtare drejt atyre evropiane. Skepticizëm shprehin gjithashtu edhe Republika Çeke, Suedia si edhe Finlanda apo Holanda. Gjithsesi, eksperienca tashmë e përftuar mbi vështirësitë e arritjes së unanimitetit mes vendeve anëtare në Këshill, ka krijuar edhe hapësirën e duhur ligjore nëpërmjet Traktatit të Lisbonës (ref.neni 86 TFUE), duke i mundësuar vendeve anëtare miratimin e kësaj iniciative, vetëm me votën e 9 prej shteteve anëtare./im.ta/

July 20, 2014 11:53