KOSOVA DHE DY SFIDAT E SAJ

Nga Ramiz Lladrovci* September 29, 2014 14:53

KOSOVA DHE DY SFIDAT E SAJ

Kosova aktualisht është para dy sfidave serioze, njëra nga të cilat mund të zgjidhet në një afat të shkurtër kohor, nga marrëveshja e përbashkët e partive politike dhe tjetra, duke mos pasur një zgjidhje afatshkurtër dhe duke mos qenë, thjesht, një çështje legjislative e shtruar për zgjidhje, kërkon impenjimin e të gjithë shoqërisë në Kosovë, e të gjithë instancave qeveritare e shoqërore, organizatave qeveritare e joqeveritare, medias dhe personaliteteve me ndikim; kërkon impenjimin e çdo personi, por edhe përtej tyre, të institucioneve fetare.

Të dy sfidat kanë emrin e tyre. Sfida e parë është krijimi i strukturave qeverisëse në parlament dhe në qeveri. Sfida e dytë është reagimi ndaj rritjes e ndjeshme e ekstremizmit islamik në Kosovë, që në fakt përbën edhe sfidën më të ndjeshme shoqërore, jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen; jo vetëm për një pakicë, por për një brez të tërë njerëzor.

Sfida e parë e saj, që do të ketë një zgjidhje afatshkurtër, është krijimi i institucioneve të saj qeverisëse, parlamenti me strukturat e tij; dhe më pas, qeveria me strukturat e saj. Ngërçi i krijuar prej disa muajve është zgjatur tej çdo limiti, problemet e krijuara janë tej çdo parashikimi dhe, sa më shumë kohë që kalon, aq më shumë rëndohet gjendja politike dhe ekonomike në Kosovë, aq më tej humbet besimi i institucioneve ndërkombëtare tek aftësia e klasës politike për të krijuar, brenda limiteve të përcaktuara, ato struktura qeverisëse që do të duhej të ishin ngritur prej kohësh.

Fronti kundër ekstremizmit, e kushtëzuar thellë nga kalimi i sfidës së parë

Në të gjitha takimet që kam pasur fatin të kem si i Ngarkuar me Punë i Republikës së Kosovës në Shqipëri, me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve perëndimore, shqetësimi i tyre i parë ka qenë pikërisht ky: boshllëku i krijuar në qeverisjen e vendit, duke e parë këtë një problem që mund e duhet të zgjidhet nga vetë partitë politike në Kosovë, duke respektuar ligjet kushtetuese të vendit, por edhe të mbështetur në ndjenjën e mundshme të tolerancës dhe të mirëkuptimit. Provat e bëra deri më tash në parlament vetëm sa kanë krijuar një vakuum të ri, i cili, le të besojmë se do të zgjidhet shumë shpejt, gjithnjë në respekt të dëshirës së shprehur në votimet e qershorit të këtij viti.

Sidoqoftë, ky është një problem politik dhe institucional, njëkohësisht, i cili do të marrë domosdo rrugën e tij drejt zgjidhjes në ditët e ardhshme; por, secila ditë që kalon krijon edhe më shumë premisa për thellimin e sfidës së dytë, e cila, duke qenë e gjithanshme, nuk është edhe aq e lehtë për t’u zgjidhur, por është domosdoshmëri historike e, njëkohësisht, e të ardhmes, që të zgjidhet.

Sfida e dytë e saj është edhe më e rëndësishme, e njëkohësisht edhe më e rëndë për t’u zgjidhur: Ekstremizmi islamik, i cili, çuditërisht, pas boshllëkut që lanë pas partitë politike dhe shoqëria civile, gjeti një terren i cili nuk ishte menduar se mund të ekzistonte ndonjëherë në Kosovë. Askush nuk kishte menduar se në Kosovë, ku përgjithësisht njerëzit e besimit islam kishin patur deri para pak viteve një besim të shtruar, të lidhur me traditat islame, pa hasmëri dhe pa asnjë skaj ekstrem, do të bëhet një ndër vatrat e nxehta të lëvizjes ekstreme islame, salafiste apo vehabiste, në gjithë këtë pjesë të Ballkanit. Pritshmëria e politikës ndërkombëtare ka qenë se njëra ndër shpërthimet ekstreme islame do të mund të ishte në Bosnjë, edhe nga fakti se gjatë luftës së atjeshme, kishin qenë të shumtë luftëtarë muxhahedinë, të cilët, pas përfundimit të saj kishin marrë të drejtën për të qenë nënshtetas boshnjakë. Në fakt, deri para disa viteve lëvizja ekstreme radikale islame në Bosnjë ka qenë e furishme, por ndodhitë në Kosovë dëshmuan se klasa politike, njëkohësisht shoqëria civile, institucionet e tjera, nuk i vunë rëndësi lëvizjes radikale islame që po përhapej. Ata bënë gjumin e madh të harresës, duke u kapur pas traditës dhe pa menduar se tashmë edhe vetë lëvizja radikale islame ishte bërë më agresive dhe, pas 11 shtatorit, ajo po kërkonte vatra të reja të përhapjes së saj, sidomos në Ballkan, ku ishte edhe sheshi më i avancuar i saj drejt botës perëndimore.

Kosova ishte njëra ndër sheshet e saj. Për pak kohë, pas luftës, thuajse në të gjithë Kosovën, u ngritën xhami, si dhuratë nga donatorë të ndryshëm nga vendet islame, sidomos nga shoqata arabike, që ngritën filialet e tyre edhe në Kosovë. U ngritën xhami edhe ku nuk kishte pasur asnjëherë, shpesh në vendet më dominuese, edhe pse ende nuk ishin ngritur shkollat e rrënuara nga lufta. Nga ana tjetër, mjerueshëm shpejt, shumë njerëz ranë viktimë e një propagande që vinte nga qarqe ultra-nacionaliste serbe, të cilët si para luftës edhe pas saj, kishin synuar e vazhdojnë të synojnë, që Kosovën e njerëzit e saj t’i paraqesin si një lidhshmëri mes radikalëve islamë arabë dhe atyre që janë në këto treva dhe lëvizjen për çlirim, e më pas për pavarësi, ta paraqesin si një lëvizje radikale islame.

Kohët e fundit në Kosovë ka pasur një reagim të shumanshëm të institucioneve ndaj kësaj lëvizje radikale, që është shprehur jo vetëm me arrestimet e bëra ndaj personave që dyshohen për lidhje me vehabistë apo salafistë jashtë Kosovës, por edhe me krerë të strukturave myslimane. Në fakt, gjuha e tyre e urrejtjes ndaj vlerave perëndimore nuk ka qenë e panjohur për njerëzit në Kosovë e, po ashtu, edhe për vlerat institucionale, që nga struktura drejtuese e deri tek shërbimi inteligjent i Kosovës (AKI). Shpeshherë gjuha e urrejtjes ka shkuar deri në përdhosjen e vlerave kombëtare, edhe nga përfaqësues të lëvizjes radikale islame të zgjedhur si deputetë në Kuvendin e Kosovës, apo drejtues të forumeve të ndryshme radikale.

Të gjithë këto, sidomos apatia e zgjatur e strukturave, krijuan terrenin që nga Kosova drejt ISIS të shkojnë një grup i ndjeshëm i të rinjve shqiptarë të Kosovës, të cilët po shfaqen nga më të dhunshmit, nga më brutalët, jo njerëzorët, dhe që për çudi jo gjithnjë dënimi i veprave të tyre makabre ka gjetur atë reagim që do të ishte i fuqishëm në Kosovë. Lavdrim Muhaxheri është njëri nga shembujt e njohur, i cili për fat të keq është shqiptar i Kosovës, por në luftë nuk është vetëm ai… të gjithë ata e kanë pasur një ekip predikuesish rreth tyre, të cilët po ashtu njihen si përkrahës të islamit radikal.

 

Partitë politike, të gjitha në një front kundër ekstremizmit islamik

Është fakt se në Kosovë, fillimisht kjo u mor disi lehtë. Qeveria e deritashme, bëri një veprim të zgjuar, kur vendosi si përparësi të saj ngritjen e një rrjeti shkollor të shumanshëm, në të gjithë Kosovën, ashtu si edhe realizoi një sistem infrastrukture të mirënjohur. Ndërkohë që Bashkësia Islame e Kosovës po bënte gjumin e madh ndaj asaj që po ndodhte në territorin e saj, qeveria mund të bënte më shumë për zgjimin nga gjumi ku kishte rënë ky institucion, por edhe për të hequr frikën që krerët kishin e vazhdojnë të kenë nga reagimi skajmërisht i dhunshëm i strukturave radikale në Kosovë. Është fakt tashmë se ata janë të organizuar krejt mirë, me një piramidë drejtuese, që duke qenë ende e panjohur si duhet, në momentet më të furishme, del në sipërfaqe. Një shembull. Këto ditë doli nga paraburgimi njëri nga krerët fetarë të njohur radikalë islam, Enis Rama, i xhamisë së Mitrovicës. Në pritjen e tij dolën më shumë se 6 mijë vetë, të cilët shprehnin përkrahjen e plotë për imamin e xhamisë së tyre, si kundërvënie ndaj shtetit që e kishte arrestuar. Mitrovica ka njëqind probleme më të mëdha para saj: Mirëpo, ajo përzgjedhë për vete edhe një problem më shumë. Dhe që është njëlloj i rëndë si shumë të tjera që kanë të bëjnë me jetën e njerëzve.

Tani, duhet pranuar, lëvizja radikale islame, salafiste apo vehabiste, ka dalë nga sinoret e saj në Kosovë. Nëse në fillim u mendua se ajo ishte një lëvizje e vetmuar, e njerëzve të shfrenuar dhe nga zhgënjimet e pasluftës, tani është e qartë se është më shumë se kaq.

Në Kosovë, sipas analistëve të njohur dhe institucioneve perëndimore që merren me këtë trajtesë të rëndësishme, grupet radikale arabe, sidomos nga Jemeni, Arabia Saudite, Kuvajti, Siria apo Irani, kanë hedhur në lojë më shumë se 300 milionë euro. Nga Irani, në Kosovë, për disa kohë kanë qenë edhe figura të njohura të Rojeve të Republikës së Iranit, në mbështetje të këtyre grupimeve, të cilët, përmes dhuratave, pagesave, ndihmave ushqimore, të drejtave studimore falas, pelegrinazheve në vendet e shenjta, bënë gradualisht një vend të vogël, që vazhdon të përhapet më tej.

Mendoj se është fat tashmë që të gjitha institucionet e Kosovës, partitë politike, thuajse pa përjashtim, e kanë si një ndër prioritet e tyre luftën kundër përhapjes së mëtejshme të lëvizjes radikale islame, ndaljen e kësaj veprimtarie të dëmshme, deri armiqësore kundër Kosovës dhe njerëzimit. Preokupimi i tyre është shenja më e rëndësishme se pas kësaj vorbulle marramendëse, edhe Kosova do të jetë një vend i lirë nga lëvizjet ekstreme fetare apo politike qofshin, si të gjithë kombet e qytetëruara.

 

*I Ngarkuar me Punë i Ambasadës së Kosovës në Shqipëri

Nga Ramiz Lladrovci* September 29, 2014 14:53
Komento

4 Komente

  1. adem September 29, 15:45

    Nje analize e sakte, bravo zoti ambasador…nuk e di se si jane ambasadoret e tjere te Kosoves, por ne Maqedoni eshte nje rrote…zoti Lladrovci , urime dhe nderime per emerin e familjes tende dhe tuajin.

    Reply to this comment
  2. titi September 30, 09:16

    Nese e ke shkruar vet te lumte,por pak besoj…..

    Reply to this comment
  3. Genti October 1, 07:04

    PO PRA. Sepse partite partite politike ne Kosove i kane rregulluar te gjitha problemet, tasht veq ekstremizmi fetar na ka mbet pa u zgjidh. Te mjeret ne se ne cfare kohe po jetojme dhe me cfare politiKUAJ kemi pune.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*