Kosova dhe Serbia “nuk lëvizin” edhe pas deklaratës së Quintit

August 13, 2019 15:33

Kosova dhe Serbia “nuk lëvizin” edhe pas deklaratës së Quintit

Shtetet e Quintit i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të rifillojnë menjëherë dialogun e udhëhequr nga BE.

Nëpërmjet një komunikate të përbashkët ditën e martë, qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së i kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin veprimet që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, që siç thuhet, “është e nevojshme për të dyja vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”.

Ata theksojnë se një gjë të tillë, mund ta bëjnë vetëm kur palët të japin shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Në komunikatë theksohet: “Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në një prononcim të zyrës së kryeministrit të dorëhequr Ramush Haradinaj, për Radio Evropa e Lirë, theksohet se procesi nuk duhet të jetë i kushtëzuar. Gjithashtu nënvizohet se për sa i përket dialogut, Kosova asnjëherë nuk e ka penguar atë, dhe “janë shprehur të gatshëm të ulen në tavolinë, për një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe që çon në njohje reciproke”.​

Në deklaratë thuhet: “Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht kryeministri Haradinaj, gjithmonë ka punuar dhe ka qenë i qartë, në të drejtën e Kosovës për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kësisoj, vendimi për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës ka qenë veprim i nevojshëm në shërbim të mbrojtjes së interesave të Kosovës, nga veprimet armiqësore dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë kundër shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Në të njëjtën kohë, gjithmonë kemi marrë në konsideratë sugjerimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë sa i përket temave politike në vend.

Sipas analistëve politikë të Kosovës, kërkesa e Kuint-it për vazhdim të dialogut, më shumë i drejtohet një qeverie të re që do të mund të dilte nga zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme, sesa një kërkesë ndaj qeverisë aktuale të Kosovës, e cila është në dorëheqje, pasi siç shprehen, Kosova para rinisjes së dialogut me Serbinë, duhet të ri-legjitimojë skenën politike.

Nga ana tjetër, kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet një reagimi në rrjetin social Facebook, ka mirëpritur mbështetjen e vendeve të Quintit për vazhdimin e dialogut.

Po ashtu, ai ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të parandalojë financimin e strukturave paralele në veri nga ana e Serbisë.

Veseli shkruan: “Ne kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë”.

Veseli shtoi se zgjedhjet janë të pashmangshme si dhe ka përsëritur të martën se Kuvendi i Kosovës do të shpërndahet më 22 gusht.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas një takimi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në rrjetin social Facebook ka shkruar se janë pajtuar që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje.

Në anën tjetër, drejtori i zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq gjatë një konference për media, tha se për Serbinë ekzistojnë disa çështje kontestuese në deklaratën e Quint-it.

Sipas tij, kjo tregon se çfarë rezultati të dialogut e shohin vendet që e kanë lëshuar deklaratën.

Gjuriq u shpre: “Këtu nuk ka asnjë fshehtësi. Sepse nëse nga Serbia kërkoni të ndalë lobimin për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, përballë kërkesave të Prishtinës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe përball veprimeve të Prishtinës e cila tërë këto vite ka kërkuar njohje, atëherë është e qartë se dëshirojnë rezultat të dialogut që do të thotë njohje e plotë pa asnjë rezistencë nga ana e Serbisë”.

Ai tha se Serbia është e hapur për dialog kur të hiqen taksat.​

Bisedimet Kosovë – Serbi që kanë nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, janë ndërprerë për shkak të taksës doganore që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia që nga muaji nëntor i vitit të kaluar.

Vendosja e kësaj takse, ishte si kundërpërgjigje ndaj politikave të Beogradit dhe Sarajevës në raport me shtetin e Kosovës.

e.ll./dita

August 13, 2019 15:33
Komento

1 Koment

  1. Flisni more shqip! August 14, 04:50

    Nuk dini ta thoni shqip pesshe per “kuintin”?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*