Kosova do të lejojë serbët e saj të votojnë për zgjedhjet e Serbisë

April 13, 2016 16:32

Kosova do të lejojë serbët e saj të votojnë për zgjedhjet e Serbisë

Qeveria e Kosovës është pajtuar, që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, më 24 prill.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, raporton për Top Channel se, Serbia nuk do të mund të hapë qendra votimi në Kosovë, por serbëve të Kosovës do t’u mundësohet të votojnë përmes qendrave grumbulluese të OSBE-së, si në vitin 2014.

“Thuajse të gjithë qytetarët e Kosovës të etnisë serbe kanë edhe shtetësinë e Serbisë, e si të tillë, ne duhet t’u mundësojmë atyre që, nëse dëshirojnë të votojnë edhe për shtetin prej të cilin kanë shtetësi, ta bëjnë këtë. Këto nuk do të jenë votime klasike. Do të jenë disa qendra grumbulluese, plotësisht të organizuara nga OSBE-ja, ndërsa për aspekte teknike jemi ende duke negociuar me OSBE-në”, tha Bajram Gecaj, zv.ministër i Pushtetit Lokal, Kosovë.

Diskutimet për detajet e organizimit të votimeve për serbët e Kosovës i ka konfirmuar për Top Channel edhe zëdhënësi i OSBE-së në Kosovë, Senad Saboviç.

Përmes telefonit, ai tha se po diskutohet modeli i organizimit të qendrave grumbulluese, teksa në veri dhe në jug të Kosovës mund të hapen 10 të tilla me disa nëndegë, ku serbët mund të hedhin votat e tyre për zgjedhjet e Serbisë.

E ndërsa Qeveria e Kosovës po ua lejon serbëve të votojnë për zgjedhjet në Serbi, udhëheqësit partiakë serbë po zhvillojnë çdo ditë fushatë elektorale në terrirorin e Kosovës, madje edhe me deklarata të tilla si: Serbia kurrë nuk do ta njohë Pavarësinë e Kosovës.

April 13, 2016 16:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*