Kosova, “sfidë” Shqipërisë. Bunjaku ironizon De Biasin

October 4, 2016 20:34

Kosova, “sfidë” Shqipërisë. Bunjaku ironizon De Biasin

Zyrtarizimi i ndarjes në dy shtete të kombit shqiptar, në atë të Shqipërisë dhe të Kosovës, dalëngadalë po fut në rrjedhën e një normaliteti dhe ndarjen e dy skuadrave përfaqësuese, atë kuqezi dhe verdheblu.

Mbrëmjen e së enjtes, në një kohë kur kombëtarja shqiptare do të luajë në Lihtenshtajn, Kosova do të përballet me Kroacinë në Shkodër, në ndeshjet e dyta të vlefshme për fazën kualifikuese të Botërorit të 2018-s.

Dy skuadrat, tashmë vetëm në publik nuk e shohin njëra-tjetrën si kundërshtare, pasi çdo lëvizje, të paktën gjatë grumbullimeve të fundit, tregon frikën që kanë në përvetësimin e lojtarëve të rinj, meqë lëvizjet e atyre aktualë nuk ua lejoi më UEFA dhe FIFA.

Në një intervistë për TCh, trajneri i skuadrës së Kosovës Albert Bunjaku tregon se në ç’pikë është marrëdhënia e dy stafeve.

“Çështja e lojtarëve është stabilizuar. Sa i përket Grezdës dhe Latifit, unë kam pasur kontakte, por te ne ka shumë konkurrencë në sulm, sepse kam lojtarë të një cilësie shumë të lartë. Ndoshta Shqipëria ka arsye frike që i ka grumbulluar, ne nuk e kemi më këtë strategji. Edhe Kabashin nga Barcelona e kam marrë se ka nivel të lartë, jo se kam frikë mos ikën. Është i lirë të zgjedhë çfarëdo”, tha Albert Bunjaku, trajner i përfaqësueses së Kosovës.

Për ndeshjen e 6 tetorit në Shkodër, UEFA ka kërkuar të mos lejohen flamujt kuqezi në stadium, gjë që nuk është pritur shumë mirë jo vetëm nga tifozeria.

“Sa i përket ndeshjes në Shkodër, jam shumë i lumtur që luhet atje. Besoj se do të kemi mbështetjen maksimale. Çështja e moslejimit të flamurit kuqezi është një procedurë e UEFA-s dhe FIFA-s, sipas së cilës nuk lejohen flamuj të përfaqësueseve të treta apo të katërta. Por këtë nuk do e ndalin dot, se flamujt kuqezi ishin edhe në Finlandë”, u shpreh më tej Albert Bunjaku.

Tashmë Shqipëria dhe Kosova janë në kushte të barabarta në shumë gjëra dhe përzgjedhja e talentëve shqiptarë kërkon më tepër kujdes sipas Bunjakut.

“Me De Biasin kam marrëdhënie shumë të mira. Tani duhet të jemi pak të kujdesshëm në lëvizje, sepse dikur ishte ndryshe, Kosova nuk ekzistonte. Mes njëri-tjetrit ka rivalitet që na motivon, por edhe Kosova ka nevojë për ndihmë. Shumë lojtarë që tani luajnë me Shqipërinë do të ishin me ne, si Etrit Berisha apo Mavraj. Megjithatë, lëvizje nga ekipet e moshave do të vazhdojë të ketë nga Shqipëria te Kosova”, deklaroi Albert Bunjaku.

October 4, 2016 20:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*