Kosovë-Serbi, 10 orë negociata, arritet marrëveshja për targat

September 15, 2016 11:03

Kosovë-Serbi, 10 orë negociata, arritet marrëveshja për targat

Pas më shumë se dhjetë orë bisedimesh, ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë kanë përmbyllur në Bruksel marrëveshjen e reciprocitetit për targat e automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë. Kryenegociatorja për Kosovën Edita Tahiri, deklaroi pas takimit, se marrëveshja e arritur javën e shkuar është konkretizuar me një dokument të shkruar.

Sipas dokumentit, regjistrimi i të gjitha targave të lëshuara nga autoritetet e Kosovës KS/RKS do te fillojë në 15 janar të 2017 dhe do zgjasë një vit, ndërkohë që Kosova do të zgjasë për 5 vjet validitetin e tabelave KS.

” Marrëveshja që arritëm i jep fund përdorimit të targave “prova” të vendosura nga Serbia për automjetet e Kosovës”, u shpreh ajo.

“Ne arritëm të kemi reciprocitet për targat e automjeteve. Reciprociteti është i rëndësishëm, sepse ai kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve bilaterale midis Kosovës dhe Serbisë. Ne ramë dakort gjithashtu që targat ilegale që qarkullojnë andej këtej në Kosovë të hiqen dhe të bëhet eliminimi tërësor i tyre”, vijoi Tahiri.

Marrëveshja konfirmon gjithashtu se zyrat e gjendjes civile dhe të agjensisë për regjistrim civil në katër komunat veriore do të fillojnë punë në 15 nëntor të këtij viti të për pajisjen e qytetarëve me dokumentet shtetërore dhe të gjendjes civile të Republikës së Kosovës.

Bashkimi Evropian ka mirëpritur progresin e arritur dhe këshillon palët që të vazhdojnë progresin veçanërisht për zbatimin e marrëveshjeve të telekomit, energjisë dhe të bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Sipas zëdhënëses Maja Koçijançiç, raundi i ardhshëm teknik do mbahet në 26 shtator.

September 15, 2016 11:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*