Kosovë, sulmohet fizikisht aktivistja e Vetëvendosjes

Redaksia Online March 28, 2013 09:59

Kosovë, sulmohet fizikisht aktivistja e Vetëvendosjes

Një aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje është sulmuar dhe kërcënuar me vdekje në hyrje të banesës së saj në Prishtinë. Aktivistja Nazlie Bala është sulmuar fizikisht në hyrje të banesës së saj, duke e pasuar sulmin me kërcënimin ‘dije se kemi me të vra..’. Sipas një komunikate të Lëvizjes Vetëvendosje, sulmi vjen pas marrjes së letrës kërcënuese me 20 mars 2013, ku aktivistes Bala i kërcënohej jeta nëse vazhdonte të mbronte ‘turpin’. “Siç dhe e kemi thënë më herët këto sulme janë të lidhura me iniciativën e kohëve të fundit për amandamentimin e Ligjit për veteranët, familjarët e dëshmorëve, invalidët e luftës, kur për herë të parë synohet të vendosen si kategori e viktimës së luftës dhe personat e dhunuar seksualisht. Ne jemi të bindur se gjuha e ashpër kundërshtuese e disa deputetëve të PDK-së ndaj kësaj nisme ligjore, ka shkaktuar kërcënimin dhe dhunën fizike ndaj Drejtueses së Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Nazlie Bala, dhe kërcënimet edhe ndaj drejtueses së emisionit Kërkim në RTK”, thuhet në komunikatë. Lëvizja Vetëvendosje konsideron se këto kërcënime, filluan pas presionit nga Zyra e Kryeministrit për Çështje Gjinore, e drejtuar nga Edona Hajrullahu, e cila me një letër presioni ju drejtua moderatores së emisionit duke shprehur kundërshtimin lidhur me pjesëmarrjen e Nazlie Balës në emision.

“Nazlia gjatë emisionit kishte paraqitur fakte, dëshmi, e të dhëna për çështjen e dhunimeve si dhe kishte shpalosur qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s në lidhje me këto çështje. Nazlie Bala është aktiviste e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qëndrimet që ajo i ka shprehur në emision janë qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Kërcënimet dhe sulmin fizik i konsiderojmë si kërcënime dhe sulme ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!”.

“Nisur nga sa më sipër, dhe pavarësisht deklarimeve formale se e dënojnë aktin e kërcënimit, ne mbajmë përgjegjës për çfarë po ndodh kryeministrin Hashim Thaçi dhe deputetët në fjalë. Këto kërcënime dhe akte të dhunshme kurrsesi nuk do të na ndalin në rrugën tonë për vendosjen e drejtësisë lidhur me gratë, burrat dhe fëmijët e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë”, thuhet në fund të komunikatës së shpërndarë nga Lëvizja Vetëvendosje. / Gazeta Express

Redaksia Online March 28, 2013 09:59
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*