Kosta Barjaba: Ana e papërmendur e Akademisë së Shkencave

January 6, 2018 12:45

Kosta Barjaba: Ana e papërmendur e Akademisë së Shkencave

 Entela Resuli – DITA

Në një kohë kur diskutohet reformimi i Akademisë së Shkencave dhe janë ngritur një sërë akuzash për pasivitet të këtij institucioni ndaj problemeve aktuale të shoqërisë shqiptare, një anë krejt tjetër e veprimtarisë së tij ka mbetur në hije. Akademiku i njohur Kosta Barjaba i cili ka qenë dhe një nga nismëtarët e këtij forumi, tregon në një intervistë për DITA se në vitin 2014 Akademia e Shkencave themeloi serinë e Forumeve Publike mbi Zhvillimin dhe Mirëqenien, ku kanë marrë pjesë personalitete të shkencës shqiptare, nga universitetet dhe qendrat kërkimore brenda dhe jashtë vendit të cilat diskutuan mbi rithemelimin e sistemit të mirëqenies, jo nëpërmjet politikave rishpërndarëse, siç ishte insistuar gjatë dy dekadave të fundit, por nëpërmjet politikave e përparësive zhvillimore si dhe rimodelimit të zhvillimit ekonomik. Duke komentuar debatin e fundit mes Akademisë dhe Qeverisë, akademiku Barjaba thekson se Qeveria, Kryeministri dhe ligjvënësit janë në të drejtën legjitime të kërkojnë që Akademia e Shkencave të plotësojë pritshmëritë ligjore, publike dhe kombëtare të saj. Anëtari i Akademisë së Shkencave është i mendimit se Akademia vuan nga mjaft simptoma që lidhen me vizonin, funksionimin e brendshëm, pozicionin ende jo të gjetur në sistemin e kërkimit shkencor të vendit, efiçencën institucionale etj. Zgjidhja sipas tij, është reformimi i kësaj agjencie të rëndësishme publike duhet të jetë një proces dinjitoz dhe i hapur vetëreformimi, i cili duhet të legjitimohet nga qeveria dhe ligjvënësit.

Profesor, ju keni qëndruar disi larg debatit publik për Akademinë e Shkencave, pse?

Kjo është pjesërisht e vërtetë. Unë nuk jam prononcuar publikisht në diskutimet mediatike për Akademinë, sepse jam nisur nga parimi se debati për reformimin e këtij institucioni duhet të ezaurohet njëherë brenda tij. Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se Akademia e Shkencave është jo vetëm e zonja, por edhe vullnetmirë, jo vetëm vullnetmirë, por edhe e angazhuar në reformimin  e saj. Kur them Akademia, kam parasysh të gjitha nivelet e saj, përfshirë të gjithë akademikët, madje përtej anëtarëve të Asamblesë. Vazhdoj të mendoj se reformimi i kësaj agjencie të rëndësishme publike duhet të jetë një proces dinjitoz dhe i hapur vetëreformimi, i cili duhet të legjitimohet nga qeveria dhe ligjvënësit. Akademia e Shkencave është një institucion serioz, fisnik dhe solemn. Dhe serioziteti, fisnikëria dhe solemniteti i saj duhet të respektohen.

Janë artikuluar mjaft kritika publike për Akademinë. Mendoni se janë të drejta?

Prej këtyre kritikave mjaft të ashpra unë mirëkuptoj esencën dhe qëllimin e tyre. Qeveria, Kryeministri dhe ligjvënësit janë në të drejtën legjitime të kërkojnë që Akademia e Shkencave të plotësojë pritshmëritë ligjore, publike dhe kombëtare të saj. Ky është elementi racional i këtyre kritikave. Dhe këtu nuk shoh ndonjë të keqe. E keqja do të ishte nëse publiku, komuniteti shkencor dhe qeveria nuk do të kishin e shprehnin kritika për Akademinë.  Një institucion që nuk kritikohet, ose është inekzistent, ose është i përsosur. Dhe sa kohë që agjenci të përsosura nuk ka, jo vetëm te ne, por kudo gjetkë, atëherë Akademia i bie të ishte një institucion i harruar, për të cilin nuk ia vlen të diskutohet. Fakti që për të vazhdon të diskutohet, tregon se Akademia ka potenciale të pashfrytëzuara për t’i shërbyer vendit.

Po përse këto potenciale nuk janë shfrytëzuar deri tani?

Sapo thashë që Akademia nuk është një agjenci e përsosur. Ajo vuan nga mjaft simptoma që lidhen me vizonin, funksionimin e brendshëm, pozicionin ende jo të gjetur në sistemin e kërkimit shkencor të vendit, efiçencën institucionale etj. Këtë, më shumë sesa publiku, e dimë ne, akademikët. Por Akademia vetëm nga një gjë nuk vuan: cilësia e produkteve të akademikëve. Ata, pavarësisht burimeve financiare të kufizuara,i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin publikut vepra të rëndësishme, me vlera të padiskutueshme shkencore e kombëtare. Prandaj unë e kam të vështirë ta dalloj rolin e Akademisë si institucion, si mbrojtëse e interesit publik dhe kombëtar, nga produktet shkencore e botuese të akademikëve. Gjithashtu, gjej rastin të përmend disa aspekte të veprimtarisë së Akademisë dhe akademikëve, të cilat nuk kanë qenë në fokusin e debateve publike për të dhe kanë mbetur disi në harresë.

Domethënë ju na flisni për një veprimtari të papërmendur të Akademisë. Cila është pra,  kjo anë e panjohur?

Më lejoni të saktësoj. Këto aspekte të veprimtarisë së Akademisë nuk janë të panjohura për publikun, sepse ato kanë qenë publike dhe produktet e tyre janë botuar. Faktikisht, ato janë anashkaluar gjatë debatit publik, mediatik dhe politik mbi reformën në Akademinë e Shkencave. Për shembull, publiku është njohur me kritika therëse për pasivitet të Akademisë ndaj problemeve aktuale të shoqërisë shqiptare. Siç përmenda, kritikat i mirëkuptoj. Por pikërisht këtu, veprimtaria e Akademisë ka krijuar një përvojë të re, të cilën mediat duhet ta përmendin. E kam fjalën për disa aktivitete e botime të Akademisë, të këtyre tre viteve të fundit, për të cilat unë personalisht kam qenë nismëtar. Në vitin 2014 Akademia e Shkencave themeloi serinë e Forumeve Publike mbi Zhvillimin dhe Mirëqenien. Në këto forume janë ftuar e kanë kontribuar personalitete tw shkencës shqiptare, nga universitetet dhe qendrat kërkimore brenda dhe jashtë vendit. Në të tria këto forume janë ftuar dhe kanë kontribuar edhe anëtarë të qeverisë së Shqipërisë. Forumi i parë publik u zhvillua në pranverë të vitit 2014 me temë “Rithemelimi i Mirëqenies: Zhvillimi, Sfidant i varfërisë”. Tema qendrore e këtij forumi ishte rithemelimi i sistemit të mirëqenies, jo nëpërmjet politikave rishpërndarëse, siç ishte insistuar gjatë dy dekadave të fundit, por nëpërmjet politikave e përparësive zhvillimore. Forumi i dytë u zhvillua në pranverë 2015 dhe iu kushtua asimetrive të zhvillimit si shkak i varfërisë. Ndërsa forumi i tretë u zhvillua në vitin 2016 dhe iu kushtua rimodelimit të zhvillimit, në bazë të konteksteve dhe rrethanave lokale.

Në bisedën tonë paraprake, ju përmendët dhjetë vlera të këtyre veprimtarive. Mund të na i specifikoni ato për lexuesin?

Mund të them se këto veprimtari shkencore kanë pasur vlera të shumëfishta.

Së pari, këto forume përbëjnë një novacion për vetë Akademinë sepse e përfshinë atë në diskutimin dhe ofrimin komunitetit shkencor, akademik, politik dhe më gjerë të pikëpamjeve të akademikëve mbi zhvillimet aktuale të sistemit të mirëqenies në Shqipëri. Këto veprimtari përbënë me të vërtetë një lajm edhe për komunitetin shkencor të vendit. Më kujtohet, kur njoftova në prag të forumit të parë kolegët tuaj të medias, mjaft prej tyre më pyetën të habitur: “Forum për varfërinë? Çne Akademia e Shkencave me varfërinë?” Tashmë, pas tre-katër vjetësh, askush nuk e bën më këtë pyetje.

Së dyti, këto forume krijuan dy përmasa të reja të shkencave albanologjike, duke i plotësuar ato me studime mbi aktualitetin dhe me studime mbi tema të reja ekonomike, sociale e sociologjike, si ato mbi zhvillimin, ekonominë, mirëqenien, varfërinë, migrimin dhe diasporën etj.

Së treti, forumet publike të Akademisë së Shkencave krijuan një legaci të re për këtë institucion, duke i dhënë veprimtarive të saj një karakter të qëndrueshëm. Të tri forumet ishin vazhdim logjik i njëri-tjetrit. Forumi i parë zbuloi se ndër shkaqet e varfërisë në Shqipëri janë mungesa e politikave zhvillimore adekuate, mbështetur në përparësitë konkurruese të vendit, për të cilat forumi rekomandoi ndërhyrje konkrete. Forumi i dytë zbuloi se zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i Shqipërisë gjatë tri dekadave të fundit vuante nga disa asimetri zhvillimore, të cilat veprojnë edhe ato si një shkak për thellimin e varfërisë. Forumi rekomandoi politika e ndërhyrje për zbutjen e këtyre asimetrive. Forumi i tretë zbuloi se përveç politikave joadekuate dhe asimetrive, modeli i zhvillimit të Shqipërisë nuk mbështetet sa duhet në kontekstet lokale, në kulturën,  psikologjinë dhe antropologjinë e shqiptarëve. Modelin ekonomik nuk e formojnë vetëm teoritë dhe pikëpamjet, por investimi i njerëzve, sipërmarrësve dhe qytetarëve, të cilët punojnë, prodhojnë, kontraktojnë, kooperojnë, shesin, blejnë, kursejnë, marrin ose japin kredi etj. Forumi sugjeroi masa konkrete sesi ky rezervuar kulturor, psikologjik, antropologjik dhe sociologjik i shqiptarëve mund të investohet në shërbim të rimodelimit të zhvillimit ekonomik të vendit.

Së katërti, forumet rindërtuan dhe krijuan një urë komunikimi e bashkëpunimi midis Akademisë së Shkencave dhe Universitetit të Tiranës, Universitetit Politeknik dhe universiteteve e qendrave kërkimore-shkencore të vendit, personalitete të të cilave u ftuan dhe kontribuuan në këto veprimtari.

Së pesti, forumet krijuan një praktikë të re në bashkëpunimin midis Akademisë së Shkencave, qeverisë dhe Kuvendit. Disa ministra të qeverisë Rama 1, dy zëvendëskryetarë dhe deputetë të Kuvendit kontribuuan në këto forume me analizat e tyre shkencore dhe të politikave.

Së gjashti, forumet ishin të suksesshme sepse nxitën diskutime shkencore, përtej barrierave ideologjike. Ekspertë, madje edhe politikanë të shquar të opozitës, morën pjesë dhe kontribuuan në këto forume me analizat dhe ekspertizën e tyre profesionale.

Së shtati, forumet “kapërcyen” kufijtë e Shqipërisë dhe bënë pjesë të tyre akademikë dhe shkencëtarë të shquar nga disa universitete e institucione kërkimi perëndimore, si Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Italia etj., për çështje të zhvillimit ekonomik, rolit të diasporës etj..

Së teti, forumet prodhuan disa botime serioze, të cilat janë vënë në dispozicion të publikut. Prezantimet e të tri forumeve u botuan në vëllime të veçanta, si bashkëpunime të Akademisë së Shkencave dhe Universitetit Europian të Tiranës.

Së nënti, këto forume e botime u realizuan pa kosto financiare për Akademinë, por si investim profesional dhe akademik, në disa raste  edhe financiar, i personaliteteve shkencore që morën pjesë në to. Forumet ishin edhe një ushtrim i suksesshëm për ngritje fondesh për të mbështetur  veprimtaritë e Akademisë së Shkencave.

Së fundi, si një sintezë e kontributeve të të tri forumeve u botua “Karta e Gjelbër, Shqipëria 2025”, e cila përmban analiza e rekomandime mbi zhvillimin e Shqipërisë gjatë dekadës së ardhshme.  “Karta e Gjelbër”, e cila u prodhua dhe u botua në fillim të vitit 2017, është vënë në dispozicion të qeverisë, universiteteve dhe institucioneve kërkimore-shkencore të vendit.

Edhe një pyetje të fundit: Ju përmendët se ishit nismëtar i këtyre forumeve?

Po, por ato u jetërsuan nga kontributet e shquara të personaliteteve shkencore e akademike, shqiptarë e të huaj, që kontribuan në krijimin e kësaj tradite, të cilëve u jam thellësisht mirënjohës.

January 6, 2018 12:45