Kostandin Xhuvani i sëmurë, mungon dhe avokati, gjyqi nis me shtyrje

December 11, 2014 22:23

Kostandin Xhuvani i sëmurë, mungon dhe avokati, gjyqi nis me shtyrje

Nis me shtyrje procesi gjyqësor ndaj Kostandin Xhuvanit, të akuzuarit për masakrën në lokalin e natës “Ante Grand” te “Rruga e Elbasanit”, ku mbetën të vrarë 4 persona.

Shkak është bërë mungesa e të pandehurit 25-vjeçar dhe avokatit të tij mbrojtës. Seanca e parë ishte parashikuar për të nisur dje në Gjykatën e Tiranës, por kur trupa gjykuese ka bërë apelimin është dorëzuar një deklaratë nga pala e të pandehurit. Në deklaratë, i akuzuari për vrasjen e 4-fishtë pretendon se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë dhe për këtë fakt nuk mund të paraqitet në sallën e gjyqit. Me anë të kësaj deklarate, Xhuvani kërkonte që procesi të vazhdonte në prani të avokatit Ardian Leka.

Por, edhe ky i fundit nuk u paraqit në sallën e gjyqit, duke mos njoftuar gjykatën për arsyen e mosardhjes. I pranishëm në sallën e gjyqit ishte vetëm prokurori Enklid Gjini, i cili kërkoi pezullimin e afateve të paraburgimit për Kostandin Xhuvanin, që ndodhet i izoluar në qelitë e Burgut të Fushë-Krujës. Ndërkohë, brenda në sallën e gjyqit dhe jashtë ambienteve të Gjykatës, nuk ndodheshin asnjë familjar, qoftë nga të pandehurit apo viktimave të tij.

I pandehuri Xhuvani akuzohet për vrasjen Edison Jahos, Enea Xhajit, shokut të tij Arbër Demiraj dhe italianit Giaampaolo Azzola. Kjo vrasje ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 4 nëntor dhe prokuroria thotë se është e provuar plotësisht, kurse i dyshuari ka pranuar aktet e organit të akuzës, ndaj edhe gjykimi do të jetë i shkurtuar. Seanca e radhës ndaj tij për gjykim në themel është vendosur të mbahet më 23 dhjetor.

December 11, 2014 22:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*