KPK shkarkon kreun e komanduar të Prokurorisë së Tiranës

July 31, 2018 15:15

KPK shkarkon kreun e komanduar të Prokurorisë së Tiranës

 

Pas shkarkimit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Broci, KPK ka vendosur sot edhe shkarkimin e Prokurorit të Tiranës, Dritan Rreshka.

Gjatë seancës dëgjimore u hodhën pikëpyetje mbi njëanshëmrinë e ILDKPKI mbi një raport për pasurinë e prokurorit Rreshka.

Këto dyshime lidhen me faktin se vite më parë prokurori Rreshka ka hetuar te Krimet e Rënda një çështje për dyshimet e korrupsionit ndaj ILDKPKI.

Raporti i ILDKPKI ka dalë në përfundim se Rreshka ka kryer deklarim të rremë.

Sipas KPK-së, ka deklaruar të ardhura nga qiraja dhe emigracioni gjatë kohës kur ishte student, por KPK-ja ka dalë në përfundimin se ka mungesë për të ardhurat nga emigracioni dhe nga qiratë e katit të parë të një objekti privat, i cili është ndërtuar në bashkëpronësi me të afërmit.

Ndërkohë që Rreshka në seancën dëgjimore u përgjigj se: “Kam depozituar në KPK kontratën e punës të siguruar në Greqi, atje ku kam punuar në vitin 1997-1998. Nga 1999 deri në 2003 kam punuar pranë organizatës amerikane CRS. Të ardhurat e mia nga puna në Greqi dhe nga puna në periudhën 1999-2003 nuk i ka analizuar as ILDKPI dhe as KPK-ja.

Çfarë nuk kam deklaruar? Pse nuk bëra legalizimin e shtëpisë? Legalizimi është bërë në 2010 dhe secili anëtar ka marrë pjesën që i takon. Unë jetoj vetëm në njërin kat bashkë me familjen, në katin tjetër vëllai dhe njëri është i pambaruar. Përmendët kredinë e butë. Në 2010 iu atribuan prokurorit të përgjithshëm disa kredi. Në atë kohë aplikova edhe unë. Ju dorëzova kopje të dokumentit që kam dorëzuar. Sqarimet ua kam dhënë. Ato kredi që i jepen prokurorit të përgjithshëm nuk jepen vetëm për prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe për prokuroritë e rretheve. Dhe diskutimi më takon apo jo, nuk qëndron”, tha Rreshka, duke shtuar se nuk i ka ardhur mirë kur pa se në dosjen e dorëzuar prej tij në ILDKPKI nuk janë marrë parasysh provat.

Avokati i prokurorit Rreshka, Arben Rakipi ka deklaruar: “Edhe pse e kam mbështetur këtë proces, dua të them se ky proces është paragjykues. Ju e dini se edhe unë kam qenë ekspert i nivelit të lartë të reformës. Kjo procedurë që kemi nisur ka marrë termin e rivlerësimit, ILDKPKI është po ashtu nën rivlerësim, Policia e Shtetit është po ashtu nën rivlerësim, KLD është po ashtu nën rivlerësim… Ka nevojë të debatojmë, të sjellim prova sepse kemi frikë që paragjykimi do të rëndojë. Unë nuk e kuptoj se si të dorëzosh prova dhe mos të vlerësohen. Nëse përmendet që të ardhurat vijnë nga puna si student në Greqi, ky qëndrim duhet dëgjuar. Rreshka është një nga prokurorët më të mirë të vendit. Ky zotëri është një nga figurat më të pastra. Deklarata e Vetting-ut verifikohet në thellësi dhe e fundit që kisha, duhet të ketë një lidhje logjike mes 3 komponentëve të Vetting-ut. Dy komponentët e tjerë që nuk u përmendën janë të rëndësisë së atillë që ose e mbështesin, pra nëse supozohet që dy komponentët e tjerë janë të pastër, atëherë zbehen mundësitë që subjekti të ketë probleme me komponentin e tretë”.

a.s/dita

July 31, 2018 15:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*