KQZ letër Kuvendit, zgjidhni urgjent problemin me Kodin Zgjedhor

February 6, 2015 17:00

KQZ letër Kuvendit, zgjidhni urgjent problemin me Kodin Zgjedhor

Anëtarët e shumicës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i kërkojnë Kuvendit që të zgjidhë çështjen e ndarjes së re administrative, që sipas tyre, bie ndesh me Kodin Zgjedhor.

Nënkryetari i KQZ-së Denar Biba sqaron se ligji për ndarjen  e re administrative dhe Kodi nuk mund të respektohen njëkohësisht pasi bien ndesh me njëri-tjetrin.

“Të dy ligjet kanë probleme të harmonizimit me njëri-tjetrin. Praktikisht kodi aktual detyron KQZ të kryejë zgjedhje, fjala vjen në lidhje me Tiranën dhe për minibashkitë, ndërkohë që e dimë fare mirë që tani bashkia e Tiranës nuk do të ketë më ndarje në minibashki. Po ashtu kodi i vjetër ka dhe elementë të tillë si komuna, të cilat gjithashtu nuk ekzistojnë më. Këto dhe elementë të tjerë bëjnë që të krijohet një situatë mosfunksionale, është më e pakta mund të them, sepse me shumë gjasa mund të kemi dhe përplasje ligjore ndërmjet këtyre dy akteve”, thotë Denar Biba për “AS”.

Dje KQZ i ka dërguar edhe një letër Kuvendit me të gjithë problematikën e hasur duke specifikuar nenet të cilat nuk përputhen me ndarjen e re territoriale dhe që bllokojnë punën.

“KQZ përpara pak kohësh ua ka bërë me dije këtë situatë Kuvendit duke qenë se ky i fundit është organi që i ka prodhuar të dyja këto akte, dhe që është organi që uroj që pas kësaj vërejtje të nxitur nga KQZ të marr sa më shpejt masat për të harmonizuar situatat, të cilat mund të krijojnë probleme”, thotë Denar Biba nënkryetar i KQZ-së.

“Një zonë e administrimit zgjedhor mund t’i korrespondojë disa bashkive, më shumë se një bashkie. Përfytyroni që në zgjedhjet vendore, fletët e votimit janë me ngjyra të caktuara të dallueshme nga njëra bashki në tjetrën, që çfarë situatash do të krijohen kur një ZAZ që mund të ndodhë të bjerë në më shumë se sa një bashki, do të ketë fletë votimi me ngjyra nga më të ndryshmet, përfytyroni konfuzionin që do të krijohet. Akoma më tej problematikë do të krijohet edhe në lidhje me regjistrimin e kandidaturave dhe së fundmi do të ketë vonesa në lidhje me nxjerrjen e rezultatit përfundimtar me numërimin e votave”, vijon Biba.

February 6, 2015 17:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*