KQZ, ose veshja dhe zhveshja e institucioneve

Nga LEDIAN DROBONIKU* April 15, 2013 08:09

KQZ, ose veshja dhe zhveshja e institucioneve

Anomalia më e madhe dhe ndoshta me shqetësuesja që ka ky vend është pa dyshim raporti që Kryeministri ka me Institucionet. Shqetësimi amplifikohet padyshim po të kemi parasysh që kjo shoqërohet me indifirencën që kanë qytetarët për këtë problematikë. Mungesa e nje demokracie reale në këtë vend, sjell padyshim mospërjetimin e institucionit si një rregullim të jetesës sonë të përbashkët por si një artific të pushtetit të radhës. Në këtë drejtim kuptohet edhe përse diskutimi për institucionet kalon në një plan emocional dhe  shoqëruar me batutat aq të përkujdesura për orekset populiste. Ajo që mungon është pikërisht analiza e thellë mbi raportin që shoqëron diskursin juridik mbi institucionet.

Është më shumë se opinion që përqasja e Kryeministrit mbi institucionet dhe Shtetin në përgjithësi është shëmbëlltyrë e përqasjes komuniste mbi të drejtën dhe shtetin. Kjo fantazmë është e vështirë dhe utopike të shkulet nga formimim intelektual i një njeriu që është plazmuar nga ai sistem. Ideologjia komuniste  kishte një difidencë të thellë për të drejtën në përjgithësi pasi e shihte si superstrukturë të realitetit ekonomik dhe politik. Në këtë mënyrë ishte e papranueshme për atë ideologji që sjellja politike të diktohej nga një sistem normash juridike të formuara më parë. Në këtë përqasje istanca juridike duhet ti linte primatin istancës politike apo krijimtarisë së partisë shtet si interpretuesja e vetme e rendit komunist. Vetëm në këtë mënyrë mund të deshifrohet kartvizita e tij verbale “une dua tju garantoj ju!!!”, kaq e huaj për vendet europiane, thjesht  sepse në ato vende nuk është njëriu që garanton por norma ose me mirë institucioni. Ajo  çfarë ka ndodhur mes Kryeministrit dhe institucioneve të Republikës është thjesht e papranueshme për aspiratat e një vendi kandidat për në BE. Dhunimet më evidente i zinte pluhuri i harresës dhe eklipsoheshin vetëm nga një dhunim më i rëndë që kjo lloj përqasje mbi insitiucionet medoemos sjell.

Rotacioni i natyrshëm i vitin 2005 dhe anëtarësimi në NATO krijoi përshtypjen sikur situata politike shqiptare më  në fund kishte hyrë në një fazë të re. Por bashkë me pritshmëritë tona ajo që nuk kishtë ndryshuar ishte sjellja prej autokrati i komunistit më të vjetër të Europës. Nuk vonoi dhe pamë sesi u zgjodh Presidenti i atëhershëm i Republikës me një proçes jo shumë dinjitoz. Skuadr(ilja) që erdhi në pushtet filloi një sulm të paprecedentë mbi institucionet akoma të pavarura që Gjykata Kushtetuese e atëhershme i rrëzoi si antikushtetuese. Mjafton te kujtojme ndër te tjera ligji i lustra ionit kundershtuar dhe nga Kom. Venecias, ligji qe solli paralizen e konferences kombetare te gjyqtareve, zhveshja e kompetencave te kryetareve te gjykatave ne favor te Kancelarit, statusin e ushtarakut, marreveshjen detare etj etj.

Po le të merremi me sulmin e radhës, atë mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Tentativa për të çmontuar përbërjen Komisionit me shpatën e Parlamentit është me tepër se dramatike. Historia e këtij njeriu të bën të kuptosh që ai nuk mund ta imagjinojë që njerëzit e institucioneve mos të jenë në kontrollin e tij të plotë. Është e vërtetë që mënyra sui generis e formimit të këtij insitucioni mbi një marrëveshje politike paraqet problematika kushteuese, pasi pasqyron balancat politike brënda Parlamentit. Por, si çdo ligj tjetër që vjen pas një aksioni politik, ai nënkupton në fund të fundit që institucioni përfaqëson Res/publikën dhe jo part(itë)  politke. Meqë konfigurimi në këtë mënyrë e KQZ-së paraqët disi një vulnus të frymes kushtetuese, kjo sdo të thotë që duhet ta çosh deri në fund patologjinë duke shkarkuar nga detyra antarët e saj në kundërshtim me procedurën e parashikuar nga ligji. Parlamenti zgjedh dhe shumë funksionarë të tjerë të Republkës, por kjo sdo të thotë që ata janë porositës të mazhorancës së radhës që i ka zgjedhur. Kjo premisë nuk duhet harruar kurrsesi aq më keq të zëvendësohet nga mosbesimi mbi antarët që përbëjnë këtë insititucion. Zëvendësimi i antarëve të KQZ-së nuk ndjek as llogjikën më të thjeshtë juridike sepse, nuk mund të përdorësh të njëjtë formulë si për zgjedhjen apo për shkarkimin. Njësoj sikur, (largqoftë) Presidenti i Republikës të mos shihet më si përfaqësues i së djathës, ai nuk mund të zëvendësohet më një të ri me një votim prej 71 votash, por të shkarkohet në fillim me një mazhorancë prej dy të tretat. Në teorinë kushtetuese, ky ndryshim i mazhorancave për zgjedhjen dhe shkarkimin parashikohet pikërisht për të mbajtur larg prej kërcënimeve mbajtësit e institucioneve.

Sofizmat e përdorura nga pushteti nuk janë aq të holla për inteleketin, por efikase për populizmin e kësaj mazhorance. Pretendimi batutesk, i Kryeministrit se “partia nuk merr me vete institucionet kur largohet” është patetik, sepse nënkupton se institucionet jepen prej bujarisë së tij dhe mund ti rimarrë mbarpsht kur ai dëshiron. Po ashtu pa bazë është dhe “shqetësimi” se KQZ-ja i takon mazhorancës se ajo gjoja ka përgjegjësi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ashtu si mbajti përgjegjësi për lojrat e prestigjatorit së Kryetarit të KQZ-së në zgjedhjet lokale, që çuditi mbarë botën me kutite e tij magjike.

Është kaq e vështirë për këta pushtetarë të kuptojnë që jo çdo institucion duhet të ngjyroset me blu sepse ka dhe institucione të pavarura dhe KQZ-ja është njëri prej tyre. Madje në demokracitë perëndimore insitucionet e kontrollit i jepen tërësisht opozitës kurse ato të aksionit i rezervohen qeverisë. Ekzekutivi ka të tjera institucione për të mbështetur dhe siguruar mbarëvajten e zgjedhjeve në këtë vend nëse e dëshiron vërtet këtë gjë. Në këtë mënyrë as Parlamenti dhe aq më pak ekzekutivi nuk mund të zëvendësojë vullnetin e shprehur nga institucinonet e pavarura, si në rastin e miratimit me akt parlamentar të hartës elektorale, që ligji i kishte deleguar KQZ-së. Shteti i së drejtës ndryshe nga ai komunnist nuk i njeh “superioritetin” parlamentit të bëjë dhe çbëjë aktivitetin e organeve krijuar me ligj, por bazohet tek ndarja dhe pavarësia e pushteteve dhe insitucioneve. Në demokracitë liberale kushtetushmëria detyron që dhe populli të shprehë sovranitetin në përputhje me rendin kushtetues, aq më pak mund të mendohet që një organ, qoftë ky Parlamenti mund të devijojë prej kësaj aksiome të padiskutueshme për shtetin e së drejtës.

“Hipersensibiliteti” i shprehur prej mazhorancës se me ndryshimin e balancave poltike po tradhëtohet fryma e Kushtetutës është vështirë të besohet duke kujtuar se si kjo mazhorancë iu kundërvu Presidentit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ apo se si paralizoi funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë duke marrë peng emërimet e Presidentit  kur ky i fundit doli nga rreshti. Edhe për qytetarin e thjeshtë gjithashtu nuk besoj se iu duk në përputhje me frymën e Kushtetutës, zgjedhja për President të gjithë shqiptarëve, një ministër i brendshëm, për të mos folur për varrmihësen e parlamentarizmit shqiptar, asaj qe Kushtetuta i kerkon te jete mbi palet, që nuk lë rast pa denigruar dialektikën parlamentare me sulmet obskurantiste ndaj opozitës.

Sulmit total që i vazhdon tu bëhet institucioneve të këtij vendi duhet përgjigjur medeomos me një mbojtje po aq totale prej të gjithëqytetarëve të këtij vendi, duke kuptuar se shoqëria ngrihet ndaj një respekti ekstrem tek ato dhe jo tek shpresa apo bujaria e atyre që iu hipin përkohësisht këtyre të fundit.

*PhD in Law

Nga LEDIAN DROBONIKU* April 15, 2013 08:09
Komento

1 Koment

  1. kris April 15, 14:32

    Saliu do ti vjedhe zgjedhjet ne tavoline me anen e KQZ dhe me Kolegj Zgjedhor.Opozita ,por edhe nderkombetaret duhet te kene planin B!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*