Kredia e keqe, humbasin pa lënë gjurmë 280 milionë euro në sistem

Genc Kondi November 7, 2012 12:34

Kredia e keqe, humbasin pa lënë gjurmë 280 milionë euro në sistem

Huatë e humbura, që bankat nuk shpresojnë se do t’i rikuperojnë më, kanë arritur në një nivel rekord prej 7% të totalit të kredisë së sistemit, apo 280 milionë euro në fund të tremujorit të tretë, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në statistikat e saj tremujore. Kredi të humbura quhen ato mbi 365 ditë vonesë, kur banka nuk ka më shpresa se mund ta marrë huanë për shkak se kreditori mund të ketë falimentuar, kredimarrësi mund të ketë vdekur dhe askush nuk mund të paguajë kredinë; banka ka nisur procesin e ekzekutimit të kolateralit, apo dhe kredia është ristrukturuar më shumë se dy herë dhe situata nuk ka ndryshuar.

 

Huatë e humbura kanë arritur në nivelin më të lartë që nga tremujori i dytë 2001, kohë në të cilët sistemi bankar u pastrua nga kreditë e këqija të bankave shtetërore (BKT dhe ish Banka e Kursimeve), që më pas u pastruan në prag privatizimi.

 

Në total, niveli i kredive me probleme ka arritur 22.7% në fund të tremujorit të tretë 2012, nga 21.17% që ishte në fund të tremujorit të dytë dhe 22.4% që rezultoi në fund të gushtit.

 

Sipas Shoqatës së Bankave, niveli i treguesit të huasë me probleme reflekton vështirësitë me të cilat përballet biznesi në kushtet aktuale ekonomike dhe ngadalësimin e ritmit të rritjes së kredisë.

 

Në krahasim me dhjetorin 2011, huaja për ekonominë është zgjeruar me 15 miliardë lekë në shtator 2012, apo 2.8%. Për periudhën përkatëse të një viti më parë, këto shifra ishin përkatësisht + 45 miliardë lekë dhe + 9.3%.

 

Me bazë vjetore, huadhënia për ekonominë është rritur me 5.5%. Një vit më parë ky zgjerim ishte 14.5%.

Genc Kondi November 7, 2012 12:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*