Kredia për bizneset, bankat zhvendosin preferencat te hotelet dhe restorantet

August 16, 2016 09:31

Kredia për bizneset, bankat zhvendosin preferencat te hotelet dhe restorantet

Sipas sektorëve të ekonomisë, portofoli i kredisë për biznese u dominua në tremujorin e dytë nga kredia për sektorin e tregtisë, hoteleve dhe restoranteve.

Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë për tendencat e kreditimit, pesha e kredisë së këtij sektori arriti në 38.1%, duke dhënë kontributin kryesor në zgjerimin e portofolit të kredisë për biznese në tremujorin e dytë. Ky portofol shënoi një rritje vjetore prej 2.9% në fund të muajit maj.

Kredia për sektorin e ndërtimit shfaqet gjithashtu e përmirësuar. Kredia për këtë sektor u rrit me 1.7% krahasuar me një vit më parë dhe pesha e tij mbeti në 12.8% të kredisë për biznese në fund të muajit maj.

Ndërkohë, kredia për sektorin e industrisë shënoi tkurrje me rreth 2% vit mbi vit. Kjo ecuri duket të jetë ndikuar kryesisht nga reduktimi i kredisë për nënsektorin e prodhimit të energjisë dhe lëndëve të tjera djegëse.

Këto zhvillime sektoriale të financimit të bizneseve janë në linjë me ecurinë e aktivitetit ekonomik të secilit sektor në ekonomi. Analiza e rezultateve të vrojtimit të aktivitetit kreditues, tregon se bankat kanë shtrënguar kushtet e kreditimit për bizneset gjatë tremujorit të dytë të vitit 2016.

Si faktorë kryesorë që kanë ndikuar këtë ecuri, vlerësohet të jenë situata makroekonomike dhe rreziku i kredisë, sikurse vihet re nga ecuria e treguesit të kredive me probleme të bankave.

Pavarësisht reduktimit të raportit të kredive me probleme, ai vijon të mbetet i lartë. Problemet strukturore në përmirësimin e ecurisë së kredisë për biznese e ka dhënë kreditimi në lekë. Zgjerimi vjetor i këtij portofoli shfaqet i përmirësuar në 4.2% për tremujorin e dytë.

Për tremujorin e tretë bankat presin të lehtësojnë kushtet e kreditimit vetëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në linjë me politikat e tyre të kreditimit për të rritur portofolin në këtë segment. Ndërkohë, për biznesin e madh këto kushte priten të mbeten të shtrënguara.

Në linjë me këto zhvillime, ato presin rritje të kërkesës për kredi nga bizneset në tremujorin e tretë të vitit, kërkesë e cila pritet të gjenerohet nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme./MONITOR

August 16, 2016 09:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*