Kredia për biznesin bie 57 për qind
Alarmi për krizën që po kalon sipërmarrja, po reflektohet cdo ditë në të gjithë treguesit ekonomik. Shifra më e fundit vjen nga bankat, për uljen e ndjeshme të kërkesës për kredi nga sipërmarrësit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se edhe gjatë muajit mars, për të tretin muaj radhazi, kreditë e reja të biznesit ishin në vlera të ulëta dhe në rënie krahasuar me vitin 2012. Për marsin, e gjithë kredia e re për biznesin kishte vlerën e 9.6 miliardë lekëve. Kjo shifër është disi më e përmirësuar krahasuar me shkurtin, por në rënie me afro 57 për qind ndaj marsit të vitit 2012. Veçanërisht e dobët paraqitet kredia për investime. Për muajin mars, kredia për investime ra me 43 për qind ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe përbënte vetëm 27 për qind të kredisë së re të marrë nga biznesi. Në tremujorin e parë të vitit, kredia e re e marrë nga bizneset në banka dhe në institucionet e tjera financiare është afro 43 për qind më e ulët krahasuar me tremujorin 2012. Banka Qëndrore insiston se faktori kryesor që po e mban të ngadaltë kreditimin është kërkesa e pakët nga biznesi, në kushtet kur kërkesa agregate paraqitet e plogësht dhe sipërmarrja po vepron nën kapacitetet e veta. Rënia e kredisë së re ka prekur pa përjashtim të gjithë sektorët me peshë në ekonomi dhe në kredinë bankare. Kështu për marsin, kredia e re për tregtinë ra 63 për qind me bazë vjetore, për ndërtimin me 13 për qind dhe për industrinë përpunuese me 50 për qind.
Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.
Komento