Kreditë e strehimit, pas 8 qershorit nuk pranohen më dosje

June 3, 2017 12:25

Kreditë e strehimit, pas 8 qershorit nuk pranohen më dosje

Pranvera Kola – DITA

Data 8 qershor shënon edhe fundin e aplikimeve për 1000 kreditë e buta të strehimit të planifikuara për t’u ndarë tek familjet e pastreha të kryeqytetit për vitin 2017.

Autoritetet e Bashkisë së Tiranës bëjnë me dije se qytetarët duhet që brenda kësaj date të verifikojnë dokumentet e kërkuara, si dhe t’i dorëzojnë ato pranë strukturave përgjegjëse të këtij institucioni, për të vijuar më tej me fazën e dytë, që ka të bëjë me seleksionimin e përfituesve.

Çka do të thotë se përgjatë këtyre ditëve të mbetura, kanë ende një shans për të aplikuar për kredi të gjithë individët që në momentin e paraqitjes së kërkesës kanë mbushur moshën 18 vjeç, familjet të cilat në momentin e paraqitjes së kërkesës nuk kanë në pronësi banesë, personat që jetojnë në ambiente me sipërfaqe më të ulët se sa normat e miratuara të strehimit, si dhe familjet që zotërojnë të ardhura të kufizuara për të përballuar çmimet e lira në tregun e banesave.

Me mbylljen e afateve të përcaktuara për dozimin e dosjes, të gjitha aplikimet pritet t’i kalojnë komisionit të strehimit, i cili do të bëjë gati edhe listën finale të kandidatëve që do kalojnë për miratim si fitues të parë të kredisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

“Pas datës 8 qershor do ketë një vlerësim të të gjitha dosjeve që janë depozituar në Bashkinë e Tiranës, nga komisioni i strehimit, i cili do i propozojë listën përfundimtare për miratim Këshillit Bashkiak. Kemi 1100 aplikime të reja dhe rreth 1500 qytetarë janë drejtuar në njësitë administrative për të përfituar nga kreditë e buta të strehimit.

Programi është për 1 mijë përfitues.

Por, nëse nuk do kemi 1 mijë përfitues me thirrjen e parë, në bazë të udhëzuesit operacional që është miratuar tashmë nga Këshilli Bashkiak, do të dalim me një thirrje të dytë për të plotësuar numrin e 1 mijë kredive të miratuara për 2017”, bën me dije drejtoresha e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale në Bashki, Anisa Ruseti.

Prioritet në përzgjehdjen e përfituesve të këtij programi, do të jenë kryesisht çiftet e reja me fëmijë, si dhe kategoritë e tjera të familjeve në nevojë.

Referuar nevojave të evidentuara në vendimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës pak javë më parë rreth strukturës së apartamenteve, bëhet me dije se 51 për qind e kredive do të shkojnë për familjet që plotësojnë kushtet për të marrë garsonierë, 22 për qind për apartamente të tipit 1+1, 20 për qind për apartamente të tipit 2+1, si dhe 8 për qind për apartamente për familje me shumë anëtarë të tipit 3+1.

Qytetarët e përzgjedhur si përfitues të apartamenteve, pas miratimit të listës nga Këshilli Bashkiak, do të njoftohen zyrtarisht për procedurën që do të kryhet, strukturën e apartamentit që i takon referuar certifikatës familjare, si dhe hapat e mëtejshme për lidhjen e marrëveshjes së kredisë me bankën e përzgjedhur.

Sipas zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, kredia do të jetë e garantuar ndaj luhatjeve të tregut. Konkretisht kredia do të jetë në nivelin 3 për qind për 20 vjet dhe çdo interes mbi 3 për qind do të amortizohet nga Bashkia e Tiranës.

Vendimi i kaluar nga Këshilli Bashkiak saktëson edhe kriteret bazë që duhet të përmbushë çdo aplikues për të qenë pjesë e programit të kredive të buta të strehimit.

Ky program ofron një mundësi strehimi, dhe nëpërmjet tij familjet e deklaruara të pastreha mund të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës për të përfituar kredi nga banka me interes fiks 3 për qind, për gjatë gjithë viteve të shlyerjes së kredisë.

Bashkia do të vërë fillimisht në dispozicion një fond prej 1 milionë dollarësh dhe do të marrë përsipër subvencionimin e interesave shtesë të kredisë që ofron sot tregu bankar.

Banesat me kosto të ulët janë një alternativë për strehimin e të gjitha atyre familjeve apo individëve që nuk janë në gjendje ekonomike e sociale për të përballuar ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore.

Në vijim të shkrimit gjendet e detajuar edhe skema se si do vlerësohen me pikë rë gjithë treguesit e dosjes së dorëzuar në fazën e parë të aplikimit.

Pikët që do mund të fitoni për 4 kriteret e miratuara
1. Kushtet e strehimit 20 pikë në total
A. Nuk disponon apartament në pronësi. 3 pikë
B. Banojnë në banesa me rrezik shembjeje. 2 pikë
C. Banojnë në banesa të mbipopulluara sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi. 2 pikë
Ç. Kanë ngelur, ose rrezikojnë të mbeten të pastreha nga fatkeqësitë natyrore, ose zbatimi i një vendimi gjyqësor. 5 pikë
D. Familje të shpronësuara të cilat kanë dalë të pastreha si shkak i akteve normative për investimet e kryera nga bashkia. 8 pikë
2. KUSHTET FAMILJARE 28 pikë në total
A. Familje njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë 5 pikë
B. Çiftet që përbëhen nga familje të reja që kanë në ngarkim persona me aftësi të kufizuara, apo persona në pension, por që janë pa apartament, apo pasuri të tjera të ngjashme. 3 pikë
C. Familjet me më shumë se 3 fëmijë. 5 pikë
D. Familjet e reja ku çifti i bashkëshortëve ka moshë deri në 70 vjeç. 15 pikë
3. KUSHTET SOCIALE 22 pikë në total
A. Persona me aftësi të kufizuar 5 pikë
B. Persona me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesit shoqëror deri në moshën 30 vjeç. 5 pikë
C. Emigrantët e kthyer. 2 pikë
Ç. Familjet e policëve të rënë në detyrë. 3 pikë
D. Viktima të dhunës në familje. 5 pikë
E. Komuniteti rom dhe egjiptian. 2 pikë
4. KUSHTET EKONOMIKE 30 pikë në total
A. Të ardhura nën 80 për qind të të ardhurave mesatare. 15 pikë
B. Të ardhura 80- 100 për qind të të ardhurave mesatare. 10 pikë
C. Të ardhura nga 100-120 për qind të të ardhurave mesatare. 5 pikë

Në llogaritjen e pikëve për individët apo familjet aplikuese, Komisioni i Strehimit duhet të marrë në konsideratë rregullat e mëposhtme:
1) Pikët maksimale që mund të përfitojë një individ janë 100. Nuk mund të mblidhen brenda për brenda një kriteri pikët:
• Nga A deri në D të kriterit 1 për kushtet e strehimit.
• Nga A deri në Ç të kriterit 2 për kushtet familjare.
• Nga A deri në C të kriterit 4 për kushtet ekonomike.

2) Pikët nga A deri në D të kriterit 3 për kushtet sociale mund të mblidhen me njëra tjetrën sipas këtyre rasteve:
• Pika A mund të mblidhet me njërin prej rasteve në vijim, me pikat B dhe Ç, së bashku ose veçmas. Gjithashtu mund të mblidhet vetëm me pikën C, ose vetëm me pikën D.
• Pika B mund të mblidhet vetëm me pikën A.
• Pika C mund të mblidhet vetëm me pikën A.
• Pika Ç mund të mblidhet me pikat A dhe B së bashku, ose me njërën prej tyre. Nga mbledhja e pikëve A, B dhe C nuk duhet të jetë rezultat më i lartë se sa 20 pikë.

June 3, 2017 12:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*