Kreditë për strehimin, në fund të shkurtit nis dorëzimi i dosjeve, çfarë duhet të bëni

February 12, 2018 16:09

Kreditë për strehimin, në fund të shkurtit nis dorëzimi i dosjeve, çfarë duhet të bëni

Aplikimet për programin e strehimit nëpërmjet kredive të buta për 2018 do të nisin në mbyllje të këtij muaji. Edhe për këtë vit, prioritet në përzgjedhje do të jenë çiftet e reja, si dhe kategori të tjera në nevojë. Në këtë garë do të futen edhe të gjitha ato familje që gjatë aplikimeve të vitit të shkuar nuk arritën të dorëzonin në afatet e caktuara dosjen e dokumenteve të kërkuara.

Plotësimi i formularit të aplikimit dhe përgatitja e dosjes me dokumentet e kërkuara bëhet pranë Njësive Administrative ku banoni. Edhe përgjatë 2018-ës, kredia do të jetë në nivelin 3 për qind për 20 vjet dhe çdo interes mbi 3 për qind do të amortizohet nga Bashkia e Tiranës.

Kategoritë që duhet të aplikojnë:
Kategoritë përfituese të programit për mbështetjen për strehim me synim përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve janë: familjet e reja, familje një prindërore me fëmijë në ngarkim, familje me më shumë se tre fëmijë, familje të shpronësuara, familje të prekura nga investime publike, familje emigrant i rikthyer, si dhe në rastet e dhunës në familje.

Referuar nevojave të evidentuara në vendimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës pak javë më parë rreth strukturës së apartamenteve, bëhet me dije se 51 për qind e kredive do të shkojnë për familjet që plotësojnë kushtet për të marrë garsonierë, 22 për qind për apartamente të tipit 1+1, 20 për qind për apartamente të tipit 2+1, si dhe 8 për qind për apartamente për familje me shumë anëtarë të tipit 3+1.

Dosja e dokumenteve që duhen për të fituar kreditë e buta të strehimit
• Çdo aplikant, së bashku me kërkesën e tij, duhet të dorëzojë edhe dokumentet si në vijim:
• Formularin e strehimit të plotësuar pranë Njësisë Administrative ku aplikanti ka vendbanimin.
• Certifikatën e lindjes dhe certifikatën e gjendjes familjare.
• Vërtetimin për vendbanimin në bashkinë ku kërkohet të bëhet strehimi, ose lejen e banimit për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
• Vërtetimin e të ardhurave neto të familjes dhe të individit.
• Dokumentacionin përkatës nga punëdhënësi për detyrën dhe të ardhurat përkatëse të aplikantit, si dhe të personave të tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune.
• Dokumentin nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes.
• Vërtetimin nga Zyrat e Ndihmës Ekonomike dhe ato të Përkujdesit pranë njësive të qeverisjes vendore, për anëtarët e familjes që janë të përfshirë në programin e pagesave që jepen për personat me aftësi të kufizuara.
• Vërtetimin nga zyra e punësimit të njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
• Vërtetimin nga organet e sigurimeve shoqërore për personat që janë në pension.
• Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme që tregon se familja aplikuese, apo çdo pjesëtar i saj nuk disponon në pronësi ndonjë banesë, apo ndonjë mjedis tjetër të ngjashme që mund të përdoret si i tillë.
• Vërtetimin nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e banimit për familjen dhe anëtarët e tjerë që kanë në pronësi ambiente të cilat janë me sipërfaqe nën normat e përcaktuara të strehimit.
• Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit të origjinës, që tregon se aplikuesi nuk figuron i regjistruar në asnjë pronë, e cila mund të përdoret për strehim për familjet që kanë ndryshuar ambientet e vendbanimit.
• Dokumentin zyrtar të celebrimit dhe certifikatat personale për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja.
• Vendimin e gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën, ose fëmijët për çiftet që janë të divorcuara.
• Vërtetimin përkatës për institucionin ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për invalidët dhe statusin e jetimit.
• Vërtetimin e komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individët me aftësi të kufizuara.
• Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse për personat që kanë statusin si: emigrant, punëtor emigrant dhe azilkërkues.
• Dokumentin e lëshuar nga institucionet shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në krye të detyrës, që u përkasin Policisë së shtetit, Gardës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ, dhe Policisë së Burgjeve.
• Dokumentin e Lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje, punëtorët emigrant, dhe azilkërkues.
• Deklaratë noteriale që lëshohet nga kryefamiljari që shprehet se është dakord që kredia të lëvrohet për aplikuesin që rezulton i përfshirë në formularin e strehimit.

p.k/dita

February 12, 2018 16:09
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*