Kreditimi për biznesin bie rreth 5 % në muajin janar

March 14, 2016 10:02

Kreditimi për biznesin bie rreth 5 % në muajin janar

Kreditimi në ekonomi nuk po njeh dot përmirësim.

Edhe nisja e vitit 2016 e ka mbajtur biznesin larg bankave në marrjen e kredive. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për janarin totali i kredisë për biznesin ishte 385 miliardë lekë, në rënie me 4.9% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Portofoli i kredisë është tkurrur ndjeshëm nga fshirja e kredive të humbura, por edhe nga plogështia e kreditimit. Shumica e sektorëve strategjikë të ekonomisë kanë pësuar rënie të kreditimit, me përjashtim të industrisë nxjerrëse apo bujqësisë.

Këta dy sektorë kanë regjistruar një rritje vjetore modeste, megjithatë pesha e tyre specifike në totalin e kredisë për biznes është mjaft modeste, me 4.3% të totalit.

Sektorët e tjerë, që përbëjnë edhe themelin e kredisë për ekonominë nga sektori bankar janë të gjithë në rënie. Kredia për tregtinë, që zë edhe pjesën më të madhe në portofolin e kredisë për biznesin, pësoi rënie vjetore me 6.7%.

Edhe industria përpunuese rezultoi në rënie me 5.4%, ndërsa për ndërtimin rënia e portofolit të kredisë arriti në 5% me bazë vjetore. Një ndër të paktët sektorë që kishin ruajtje pozitive në dy vitet e fundit, ai i energjisë, prej disa muajsh ka rrëshqitur në rënie, që për janarin ishte 9.3% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Rënia e kredisë për këtë sektor ka ardhur nga maturimi i disa prej kredive të marra nga Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare në sistemin bankar.

Kreditimi i bizneseve ngelet i vështirë, për shkak të kërkesës ende të dobët, por edhe kujdesit të shtuar nga bankat, në kushtet kur rreziqet e perceptuara në huadhënie ngelen të lartë.

Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit, javën e kaluar, drejtuesit e bankave u shprehën se për këtë vit kreditimi do të rritet, por kërkuan sërish përmirësime të mëtejshme në sistemin ligjor të ekzekutimit të kolateralit dhe mbledhjes së kredive të këqija.

March 14, 2016 10:02
Komento

1 Koment

  1. Arben March 15, 08:35

    RRITJE KA VETEM NE SHIFRAT QE THOTE EDI RAMA, SE NE QE JETOJME DITA DITES NE KETE VEND E NDJEJME NE KURRIZIN TONE GJENDJEN E MJERUESHME.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*