Kremtimi i njëqind vjetorit të zbulimit të naftës shqiptare

September 20, 2017 12:44

Kremtimi i njëqind vjetorit të zbulimit të naftës shqiptare

 

Prof. Dr. Alfred Frashëri

Inxhinier Ahmet Çollaku

Njëqind vjetori i zbulimit të parë të naftës në Shqipëri, i gjakut të ekonomisë së vendit, i lëndës jetësore për zhvillimin dhe mbrojtjen e Atdheut, po troket tek pragu.

Pusi i parë për kërkimin e naftës në Shqipëri u shpua në Drashovicë të Vlorës në vitin 1918, i projektuar nga gjeologu italian profesori Leo Madalena dhe inxhinieri i naftës Moreti, mbi bazën e studimeve gjeologjike që kryen në vitin 1917 në zonën midis lumit Vjosa dhe Gjirit të Vlorës. Pusi kishte thellësi afro 200 m. Me shpimin e tij, në thellësitë 71,6 m; 84,6 m; 101,6 m; 119-121 m; 168 m dhe 179 m u konstatua prania e shfaqjes së naftës. Nga thellësia 101,6 m u nxorën 3.500 litra/ditë (z. Hamiti, 1966. Historiku i vajgurit në Shqipëri). Në Drashovicë u ngrit dhe kantieri i parë i naftës në Shqipëri. Këto litra nafte, si dallëndyshja e parë, njoftuan për pasurinë e madhe që natyra i ka falur tokës shqiptare, Atdheut tonë. Në vitin 1928 u shpua pusi i parë në Kuçovë, i cili dha 750 ton naftë. Më pas, u zbulua vendburimi i Patosit.

Duke e vlerësuar rëndësinë e naftës e gazit si për bukën, shteti shqiptar pas çlirimit të vendit e ngriti dhe e zhvilloi industrinë e naftës në nivelet e kohës, në të cilën punonin 25 mijë punonjës, midis tyre 2.800 inxhinierë dhe teknikë. Dy institute shkencore dhe dy ndërmarrje gjeofizike, realizuan projektet për kërkimin e naftës dhe të gazit në nivel shkencor dhe teknik bashkëkohor, duke projektuar mbi 80,000 metra linear/vit shpime të thella kërkimi etj. U ngritën Ndërmarrja e Shpimit dhe ajo e Nxjerrjes në Patos, ofiçinat mekanike, u ndërtuan rafineritë. U krijua Teknikumi i Naftës në Kuçovë dhe u hap dega e inxhinierëve të naftës pranë Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave në Universitetin e Tiranës. Pasi u vunë në punë dhe u zgjeruan vendburimet e Kuçovës dhe Patosit, filloi një punë kërkimore intensive. Nga vitet pesëdhjetë deri në vitet tetëdhjetë u zbuluan 10 vendburime të rinj nafte në ranorë dhe gëlqerorë: Marinza, Visoka, Ballshi, Gorisht-Koculi, Cakrani, Kolonjë-Bubullimë, Finiq-Krane, Amonicë, Hekal, Delvinë, si edhe vendburime gazi, Divkaja, Kryevidhi, Ballaj, Povelça, Currilat në detin Adriatik etj. Ky zhvillim dhe puna me dinjitet, përkushtim dhe sakrifica e armatës së naftëtarëve solli që të shpoheshin qindra puse të thellë, duke arritur edhe në thellësi deri 6700 m, si edhe të nxirreshin nga nëntoka dhe të përpunoheshin 2.250.000 ton nafte në vitin 1974 si edhe 940 milion m3 gaz në vitin 1982.

Fatkeqësisht, ashtu si edhe e gjithë industria shqiptare, në vitet e tranzicionit u rrënua edhe industria e naftës dhe e gazit. Nuk ka më institucione shkencore shqiptare të kërkimit të naftës dhe gazit, nuk ka më ndërmarrje të shpim kërkimit, të gjeofizikë etj. Kompania shtetërore ALBPETROL në vitin 2914 nxori vetëm 45.384 ton nafte, kurse kompanitë e huaja 1.322.000 ton nga vendburimet ekzistuese. Nëse gjatë një çerek shekulli naftëtarët shqiptarë zbuluan 15 vendburime të rinj nafte dhe gazi, në 25 vite të tranzicionit, kompanitë konçesionare nuk kanë zbuluar asnjë. Nuk kanë konkretizuar as edhe zbulimin e disa viteve më parë të një vendburimi në zonën e Shpiragut, paçka që edhe këtë zonë e kishin vlerësuar gjeologët shqiptarë që në vitet tetëdhjetë. Por ajo çka është më e dhimbshme është flakja e specialistëve të naftës, nga punëtorët e pontit të manovrës në puse, deri tek teknikët, inxhinierët dhe shkencëtarët. Më të fortët, më të diturit, më të përgatiturit u detyruan të braktisin vendin dhe sot punojnë në profesionet e tyre në vende të ndryshme të botës. Ata u përgatitën gjatë dhjetëra viteve, shteti shqiptar investoi shumë për formimi e tyre profesional. Ata ishin vlera të çmuara të ekonomisë dhe kulturës së atdheut, që u detyruan të emigrojnë dhe nuk i kemi sot më. As kjo armatë e madhe naftëtarësh, as edhe institucionet shkencore, që u ngritën gjatë dhjetëvjeçarëve, me mund dhe shpenzime të mëdha, nuk ngrihen në një ditë dhe me një urdhër a vendim.

Kjo gjendje solli rënien e prodhimit të naftës, aq sa në vitin 2005 u nxorën vetëm 448,000 tonë naftë. Pas këtij viti, në kuadrin e veprimtarive të kompanive të huaja konçesionere filloi një rritje graduale e nxjerrjes së naftës, duke arritur në 1.368.000 ton në vitin 2014. Por, fatkeqësisht, nuk ka asnjë të dhënë se sa ka përfituar shteti shqiptar nga kjo rritje, ku vajti gjaku i ekonomisë shqiptare.

Kjo gjendje aktuale e industrisë së naftës i shqetëson dhe i bën të vuajnë shpirtërisht naftëtarët, që ende janë këtu në moshën e tretë, se për brez pasardhës të ri nuk bëhet fjalë. Prandaj e gjejmë të udhës t’i drejtohemi institucioneve shtetërore shqiptare dhe naftëtarëve: Le të kujtojmë 100 vjetorin e zbulimit të naftës në Atdheun tonë, le të nderojmë punën vetëmohuese, me sakrifica të mëdha të naftëtarëve, ditën dhe natën, në zhegun e korrikut dhe në acarin e dimrit. Por ky kremtim nuk ka vetëm rëndësinë e nderimit. Ai ka një vlerë jashtëzakonisht të madhe për të ndërgjegjësuar dhe programuar ç’duhet bërë në të ardhmen, që pasurinë e paçmuar që na ka falur natyra ta kërkojmë, ta nxjerrim dhe ta vëmë në dobi të ekonomisë së vendit, siç duhet, në nivele teknike dhe sociale të ditëve tona. Kjo veprimtari do të jetë një premtim frymëzues dhe mobilizues për institucionet shtetërore dhe për brezin e ri.

Për këtë veprimtari kombëtare, një projekt program po u paraqitet institucioneve qendrore dhe lokale shtetërore të Shqipërisë, komunitetit akademik dhe gjithë naftëtarëve kudo që janë për diskutim dhe miratim. Është herët mund të thotë ndonjë. Jo nuk është herët, një veprimtari madhore do shumë kohë dhe mund që të përgatitet si duhet. A mund të heshtim për naftën, për arin e zi?

Është në moralin e popullit tonë dhe te armatës së naftëtarëve shqiptarë, sidomos të elitës së saj të moshuar dhe të re, që këtë jubile ta organizojë dhe ta festojë sa më mirë, që ti bëjmë të ditur gjithë botës se Shqipëria është një vend naftë-mbajtës, se nafta ka qenë vaji i kuzhinës tonë ekonomike, se nafta shqiptare është zbuluar kryesisht nga specialistët dhe shkencëtarët shqiptarë.

Ky program – thirrje i drejtohet Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ALBPETROLIT, Akademisë së Shkencave, Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës, Kompanive të Naftës dhe Gazit që veprojnë në Shqipëri, Shoqatës së Inxhinierëve të Naftës dhe Gazit të Shqipërisë, Shoqatës së Gjeologeve të Shqipërisë, Shoqatës së Gjeofizikëve të Shqipërisë:

 

Projekt-program për kremtimin e 100 vjetorit të zbulimit të naftës në Shqipëri

Viti 2018 të shpallet zyrtarisht si 100 vjetori i zbulimit të naftës shqiptare, një jubile jo më pak i rëndësishëm se ato të ditëve historike kombëtare.

Për festimin e këtij jubileu të shenjtë, të sensibilizohen në maksimum institucionet shtetërore qendrore dhe lokale, armata e naftëtarëve, që kjo festë të bëhet sa më madhështore. Për këtë të organizohen:

  1. Të krijohet një komision drejtues dhe një komision organizues brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2017. Komisionet të drejtohen nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Në komision të përfaqësohen të gjitha institucionet e sipërtreguara.
  2. Të planifikohet organizimi i një simpoziumi historik dhe shkencor, ku të ftohen të marrin pjesë specialistet shqiptare, edhe ata qe ndodhen jashtë vendit, si dhe personalitete të huaj.
  3. Të nisë botimi sa më parë i një reviste, apo gazete me stemën 100 VJETORI NAFTËS SHQIPTARE dhe t’u bëhet thirrje të gjithë specialistëve të naftës që të kontribuojnë me shkrime.
  4. Të shtohet fondi i literaturës së naftës shqiptare me punimet dhe studimet e specialistëve të huaj, që ndodhen nëpër institucionet, fondet apo bibliotekat e shteteve të huaja.
  5. Të shpallet një konkurs kombëtar për zbulimin e naftës shqiptare nga vetë specialistët shqiptarë, me stemën, ofertë për zbulimin e naftës.
  6. T’u ndahen çmime dhe dekorata veteranëve të armatës së naftës shqiptare dhe një memorial.
  7. Të rishikohet dhe rivlerësohet veprimtaria dhe kontributi i gjithë specialisteve dhe personaliteteve të huaj që kanë rilevuar dhe vlerësuar të ardhmen e naftës shqiptare.
  8. Të ngrihet një përmendore madhështore në Drashovicë të Vlorës për shenjtërimin e kësaj ngjarje simbolike.
  9. Të stimulohen botimet për naftën shqiptare.
  10. Të shpallet një konkurs kombëtar me krijimet më të mira me subjekt naftën dhe naftëtarët shqiptare.

A mund të heshtim më për naftën, gjakun e ekonomisë, siç kemi bërë këto 25 vjet?

 

September 20, 2017 12:44
Komento

2 Komente

  1. test September 21, 09:58

    bravo e madhe per shkrimin!

    Reply to this comment
  2. arben September 21, 14:39

    Shkaterimi i te gjithe ekonomise shqiptare pas 1990 ishte tradhetia me e madhe qe i eshte bere kombit shqiptar.Cdo justifikim me faktin se per te ndertuar ekonomine kapitaliste duhet te shkaterohej ajo socialiste eshte nje justifikim banal dhe fyes.Edhe njeriu me i pa shkolle e di se nga zero vetem zero vjen dhe asgje tjeter.Ne asnje vend te ish bllokut komunist nuk ndodhi ajo qe ndodhi me ne per te vetmen arsye se tradhetaret i cuan ne gijotine kurse ne i beme presidente e kryeministra e sot pas 27 viteve bredhim si cifuti neper shkretetire kur pasurite e vendit tone po na i vjedhin ujqerit e cakejte vendas e te huaj.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*