Kreu i opozitës në Maqedoni nën akuzë për spiunazh

January 31, 2015 17:10

Kreu i opozitës në Maqedoni nën akuzë për spiunazh

Pasi kryeministri Nikola Gruevski e akuzoi atë për tentativë për grusht shteti, kreu i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev është vënë nën akuzë për spiunazh dhe është urdhëruar të dorëzojë pasaportën.

Udhëheqësi i partisë kryesore në opozitë të Maqedonisë, partisë Social Demokrate, SDSM, u urdhërua të mos dalë nga vendi ndërsa pasaporta e tij është konfiskuar.

Në një fjalim dramatik të transmetuar në të gjitha stacionet kryesore televizive, kryeministri Nikola Gruevski të shtunën akuzoi Zoran Zaev për tentativë për grusht shteti.

Akuzat e ngritura kundër tij përfshijnë “spiunazh dhe dhunë kundër zyrtarëve më të lartë të shtetit”.

Tri të dyshuar të tjerë, përfshirë ish shefin e policisë sekrete, Zoran Verusevski i cili u arrestua një javë më parë, janë vendosur nën arrest, tha policia.

Përgjatë muajve të fundit, Zaev pati kërcënuar në mënyrë të përsëritur se do të zbulojë të ashtuquajturën “bombë” politike, e cila do të turpëronte Gruevskin dhe do të detyronte qeverinë të jepte dorëheqjen.

Ndërsa opozita ka heshtur mbi “bombën politike”, ka patur shumë spekulime.

Në deklaratën televizive, kryeministri Gruevski tha se Zaev pati kërcënuar se do të publikonte të dhëna kompromentuese për bisedime mes zyrtarëve më të lartë të shtetit në rast se kryeministri nuk pranonte të krijonte një qeveri të përkohëshme që do të përfshinte SDSM.

“Unë nuk pranoj kërcënime dhe shantazhe të këtij lloji inskenimesh. Ata nuk do të kalojnë,” tha Gruevski.

Sipas Gruevskit, Zaev e pati takuar atë katër herë vonë në vitin 2014 për të diskutuar çështjen, gjatë së cilës Zaev i tha atij se ka siguruar materjale kompromentuese nga “shërbime të huaja të spiunazhit”.

Pasi dëgjoi Zaev, Gruevski tha se ai doli në përfundimin se “një pjesë e saj qe e vërtetë, një pjesë pjesërisht e vërtetë dhe diçka qe e pavërtetë. Por fakti që diçka qe e vërtetë tregon faktin tjetër se ai i ka siguruar këto materjale në mënyrë ilegale dhe në kundërshtim me kushtetutën”.

Gruevski premtoi një “procedurë gjyqësore publike dhe transparente” dhe shtoi se qe i gatshëm të jepte më shumë detaje mbi çështjen.

Në përgjigjen e parë, SDSM tha arrestimi i udhëheqësit të tyre nuk do t’i ndalojë të publikojnë “provat e krimeve të Gruevskit” dhe të “diktaturës kriminale dhe të korruptuar të tij”.

“Kjo është një përpjekje e partisë në pushtet për t’i mbyllur gojën opozitës dhe qytetarëve demokratikë… është koha që BE të ndërmarë masa të ashpra kundër qeverisë së Maqedonisë për të shmangur dhunën ndaj opozitës dhe qytetarët,” thanë social demokratët.

Arrestimet dhe akuzat vijnë gati një vit pasi opozita bojkotoi parlamentin e krijuar nga zgjedhjet e përgjithshme të prillit 2014. Opozita akuzoi Gruevskin se ka fituar zgjedhjet përmes manipulimeve.

Gruevski ka qenë në pushtet që nga viti 2006 dhe është akuzuar se ka kufizuar liritë demokratike, akuza që ai i ka hedhur poshtë.

BIRN

January 31, 2015 17:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*