Krijohet “Shtegu i nënave”, mbillen 500 pemë në parkun e liqenit

March 8, 2018 14:23

Krijohet “Shtegu i nënave”, mbillen 500 pemë në parkun e liqenit

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, rezervoi një urim të veçantë sot, në 8 Mars, për të gjitha gratë dhe vajzat e kryeqytetit, duke u shprehur atyre mirënjohjen për sakrificën dhe përkushtimin për qytetin.

“Sot apeli më i madh është për ne burrat dhe djemtë, që të tregohemi më zotërinj me to, të kuptojmë që pjesën më të madhe të sakrificës, por edhe të mundit, nga mbajtja e shtëpisë e deri te punët e qytetit, e marrin nënat dhe vajzat. Më vjen mirë që me një gjest të vogël simbolik transporti publik për to ishte falas sot. Është një gjest i vogël mirënjohjeje për sakrificën dhe kontributin që gratë dhe vajzat japin për suksesin e qytetit të Tiranës”, deklaroi Veliaj, i cili së bashku me anëtaret femra të Këshillit Bashkiak, drejtueset e njësive administrative, si dhe shumë prej drejtueseve të organizatave të shoqërisë civile që operojnë në qytetin e Tiranës, mbolli 500 pemë në një hapësirë të re të Parkut të Liqenit, e cila do të quhet “Shtegu i Nënave”.

“Jam shumë i lumtur që bashkë me zonjat fantastike të Këshillit Bashkiak, zonjat tona administratore dhe shumë zonja aktiviste në qytetin e Tiranës, mbollëm pemë në këtë shteg, që për shumë njerëz është akoma sekret. Bëhet fjalë për një kantier që kemi hapur në pjesën jugore të Liqenit dhe një territor që u lirua nga ndërtimet pa leje, nga ferrat, nga gjithë zaptimet që ka pasur dhe sot me të drejtë, do të jetë Shtegu i Nënave dhe i zonjave të qytetit të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se Tirana është në krye të emancipimit dhe të përfaqësimit në jetën publike sa i takon femrës.

Ai shprehu bindjen se edhe në zgjedhjet e ardhshme këshilli bashkiak do të jetë i dominuar nga gratë dhe vajzat.

Teksa i falenderoi për sakrificën dhe kontributin e dhënë për qytetin, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Tirana, jo vetëm që  ka një shumicë të zonjave në Këshillin Bashkiak, por 70 % e menaxhimit të qytetit realizohet nga gratë dhe vajzat. “Më vjen mirë që bashkë me koleget, Tirana është një qytet i zonjave. Jo vetëm kemi një shumicë të zonjave në Këshillin Bashkiak, ashtu siç kemi një barazi totale në qeverinë qendrore, por 70% e menaxhimit të qytetit ndodh nga menaxheret që janë gra dhe vajza të Tiranës. Kështu që, ajo shprehja ‘pas çdo burri etj. etj. qëndron një grua’ është kot sepse në fakt e vërteta është që pas çdo qyteti që funksionon, qëndrojnë një pafundësi grash edhe zonjash të afta dhe që e çojnë përpara punën e qytetit”, tha Veliaj.

Gjithashtu, këtë 8 mars, nismës së Bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë iu bashkuan edhe një grup i nënave me fëmijë autikë  të cilat në afërsi të Amfiteatrit mbollën pemë në emër të sakrificës së tyre si nëna.

a.s/dita

March 8, 2018 14:23
Komento

1 Koment

  1. Kris 1 March 8, 17:06

    Mbillni peme me koqe

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*