Krim me plumb

Nga Ardian Vehbiu January 15, 2013 11:32

Krim me plumb

A ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë midis rritjes së nivelit të plumbit në ajër dhe shtimit të kriminalitetit të dhunshëm? Sipas një artikulli të Kevin Drum, botuar këto ditë në Mother Jones (“America’s Real Criminal Element: Lead”), lidhja është kaq e qartë, sa mund të merret e mirëqenë. Artikulli u referohet, mes të tjerash, studimeve të Rick Nevin dhe të Jessica Reyes, të cilat kanë hasur në një bashkëlidhje të habitshme midis ndotjes së ajrit me plumb dhe niveleve të krimit të dhunshëm. Në të dy rastet, autorët besojnë se lakorja e krimit në ShBA gjatë këtyre dekadave të fundit ka ndjekur – me besnikëri të madhe – lakoren e përdorimit të benzinës me plumb nga automjetet.

Nevin ka gjetur të njëjtën bashkëlidhje edhe në shumë vende të tjera anembanë botës. Drum vëren se hipoteza e lidhjeve mes krimit dhe përdorimit masiv të benzinës me plumb është e vetmja që arrin të shpjegojë, bindshëm, edhe rritjen e krimit në vitet 1960-1970, ashtu edhe rënien e krimit që prej viteve 1990. Natyrisht, efekti helmues i plumbit njihet prej kohësh, dhe ka qenë një nga arsyet që benzina me plumb sot nuk përdoret më. Është vërejtur, për shembull, se edhe ekspozime jo shumë të larta të fëmijëve ndaj këtij agjenti shoqërohen me agresivitet, impulsivitet dhe IQ më të ulët.

Megjithatë, hipoteza e Nevin-Reyes mëton të ketë hedhur dritë mbi një raport mes ekspozimit të hershëm ndaj plumbit atmosferik dhe përfshirjes së viktimave të mbiekspozuara në krime të dhunshme, në moshë të rritur. Në fakt, dy lakoret bashkëlidhen për bukuri, por me një diferencë rreth 20-vjeçare. Plumbi (më saktë tetraetili i plumbit, ose Pb(C2H5)4 filloi t’i shtohej benzinës në vitet 1920, për të përmirësuar rendimentin e motorëve të automjeteve. Sot benzina me plumb nuk përdoret më, të paktën në botën e qytetëruar.

Për Shqipërinë më mungojnë të dhënat e sakta. Një studim i mjedisit i komisionuar nga Kombet e Bashkuara në 2003, më thotë se normat shtetërore të përmbajtjes së plumbit në benzinë në atë kohë e kufizonin përmbajtjen e plumbit në max. 5 ppb; por “Në Shqipëri nuk ekzistojnë instrumente ekonomike për të reduktuar emisionet në atmosferë, përveç një takse ndaj makinave të përdorura të importuara. Për më tepër, akciza relativisht e lartë ndaj benzinës pa plumb (90%, krahasuar me 20% për benzinën me plumb) ka të ngjarë të shkurajojë importin e automjeteve që përdorin konvertues katalitikë.” Kjo në 2003; që atëherë situata ka ndryshuar dhe benzina me plumb nuk duket të përdoret më, për shkak edhe të nevojës për t’u konformuar me legjislacionin europian për mjedisin.

Edhe sipas të dhënave të INSTAT-it, përmbajtja e plumbit në ajrin e kryeqytetit ka mbetur relativisht e lartë së paku deri në vitin 2006: rreth 1 µg/m3; shumë, shumë më e lartë se në kryeqytete të tjera europiane dhe gjetiu në Perëndim; për të rënë pastaj në mënyrë dramatike (pas gjase, për arsye të ndryshimit të legjislacionit). Nëse hipoteza e mësipërme qëndron dhe duke u nisur nga fakti që brezi i fëmijëve i rritur në zonat urbane të Shqipërisë në vitet 1990-2005 (përafërsisht) u është ekspozuar niveleve tepër të larta të plumbit atmosferik me prejardhje nga benzina me plumb, atëherë, për fat të keq, është për t’u pritur një rritje domethënëse e krimit të dhunshëm në këto zona urbane dhe veçanërisht në Tiranë, duke filluar nga viti 2010 (gjithnjë përafërsisht), së paku deri në vitet 2020-2025.

Nga Ardian Vehbiu January 15, 2013 11:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*