Krimi në Shqipëri dhe telenovelat

Robert Përmeti August 20, 2013 09:40

Krimi në Shqipëri dhe telenovelat

Ndodhte shpesh me parë, kur deshëm me kritikuar prapambetjen tonë thoshim: “Na ka lënë prapa 500 vjet pushtimi nga Turqia”.

Me thënë të drejtën e kundërshtoja këtë mendim duke argumentuar se kanë kaluar shumë vite që nga pushtimi turk dhe s’është çudi që ne shqiptarët ta kemi lënë prapa Turqinë e jo Turqia ne.

Ka ca kohë që ekranet shqiptare i kanë pushtuar filmat turq, me personazhe që në thelbin e tyre përfaqësojnë mllefe të akumuluara, urrejtje e vëllait për vëllanë, pabesi e nënës me fëmijët, intriga e diferencime brenda familjes etj, etj. Në gjithë serialet kushdo qofshin ato, mungon buzëqeshja, mungon gëzimi që duhet të përfaqësojë bashkëjetesa në familje, mungon respekti i fëmijës për babanë e anasjelltas. Ndjenja “dashuri” pretendohet se ekziston kur ata i drejtohen njëri-tjetrit me pseudonimet “vëlla” e është armik, “xhaxha” e në fakt e sheh për ta vjedhur, “motër” e në fakt planifikon për ta keqtrajtuar, etj etj.

Kur ndeshesh me këto subjekte me keqardhje ndien se çfarë peshe të rëndë ka përballuar populli ynë në 500 vjet pushtim. Tërësia e këtyre filmave apo telenovela, që prodhohen për konsum, të shtjelluar në frymën e rrymës natyraliste e deri në natyralizmin naiv, me nivel artistik spekulativ dhe shpesh pa vlera, në tërësi, të krijojnë një shije të zymtë. Kur ndjek këto subjekte nuk ndien as urrejtje, as mëshirë e për më tepër, aspak dashuri njerëzore. Por një ndjenjë angushtie të mbështjellë duke të krijuar një ndjenjë apatie, ashtu sikurse ndodh, kur sheh një sherr apo një aksident afër teje.

Dhe kështu shfaqen nëpër rrugët e Tiranës shqiptarë të vrenjtur, agresiv, që ulërijnë me borijet e makinave, që shajnë të pambrojturit, bëjnë si cuba me më të dobëtin, njësoj sikur të jenë personazhe reale të telenovelave turke. Në këtë maskaradë të përditshme të Tiranës, por që nuk mungojnë edhe ne qytete të tjera, shfaqen edhe miset me miniveshjet e tyre, me makina luksoze e që duken si mini shofere brenda fuoristradave, por në fakt zotërojnë një fjalor agresiv, dhe hakërrehen sikur të jenë cuba të vërtetë. Kuptohet që pas tyre janë në sfond garipat që shpesh mbushin kronikat e zeza televizive me gjëmat e tyre si plagosje me armë te ish blloku, aksident me makinë se u përplas me trenin, e çau makinën më dysh te trafikndarësja etj.

“Lugina e ujqërve” e mbushur tërësisht me vrasje, ku kriminelët me kostume të prodhimeve turqe, mendojnë vetëm për shfarosje kundërshtarësh, mendojnë për prita dhe gjak.

Kuzej i mbushur me urrejtje për vëllanë e tij gjenetik dhe me një dashuri ideale e të pajustifikuar për shokun e vet, dashuron disa dhe nuk dashuron asnjë. Edhe kur ndjehet i dashuruar buza nuk i qesh kurrë, por përkundrazi ndjen turbullirë e mllefe. Kuzej, personazh kryesor një i injorant i pashkolluar, prodhon vetëm xhelozi për vëllanë e vet dhe synimet e tij. Dhe gjatë gjithë serialit ky personazh merr atributet e njeriut pozitiv, sepse gjatë gjithë serialit qëndron në qendër të ekranit. Te dashurat e tij, intrigante të të gjitha stileve, që përfundojnë në lidhje brenda një rrethi të mbyllur sa te njëri te tjetri, i imponohen publikut naiv si personazhe interesante e pse jo si personazhe pozitivë apo modern e të emancipuara. Gjithë kjo lukuni personazhesh që na serviren nga regjisorët turq, duket sikur ata kërkojnë të promovojnë para opinionit të huaj, dëshirën për tu emancipuar, për tu duk europian. Por e gjithë kjo maskaradë të krijon bindjen se turqit akoma janë të pushtuar në mentalitet nga psikologjia mesjetare. Akoma janë po ata të shekullit të 14. Dhe lufta për t’u çliruar nga kjo psikologji qenka me të vërtetë një betejë e zorshme për tu fituar. Edhe pse “Sulejmani i madhërishëm” paraqitet me një nivel të spikatur regjizorial, ku historia shpaloset bukur nëpërmjet personazheve psikologjik, ku vlerat aktoriale paraqesin nivel, ku kostumografia paraqitet me vlera, mesazhi mbetet i njëjtë:

“Sundimtari, me ligj vret vëllezërit e vet për të mos pasur rivalë”.

Ky mesazh i zymtë e aspak njerëzor, që shpaloset në të gjithë episodet dhe rangjet e sarajeve të sulltanatit, vjen realisht deri në ditët tona duke u ndeshur në jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare.

Zgjidhja e problemeve nëpërmjet të skemës së asgjësimit fizik, të lyerjes së duarve me gjak të afërmi, shfaqet sot si një mentalitet i ndryshkur që mbartet nga shekujt.

Për fat të keq mediat shqiptare, kanë vite që në forma nga më të ndryshmet e nga më abuzivet e përcjellin këtë mesazh ogurzi gjatë 24 orëve të ditës.

Kronikat e zeza të stër interpretuara nga mëngjesi në darkë, kthehen nga kronika të zeza ne kronika ogurzeza. Ato kanë filluar ta trajtojnë një krim jo si një “klithje e dhimbshme e shoqërisë”, por si një “lajm interesant i ditës”. Dhe mbas këtij lajmi interesant nuk merren fare në konsideratë e harrohet që shumë fëmijë mbeten jetimë, shumë prej tyre kthehen pre e hakmarrjes, shumë prej tyre plaken që në fëmijëri.

Shqiptarët e ndodhur nën presionin e tranzicionit torturues, të gjymtuar psikologjikisht nga diktatura komuniste, të papërgatitur psikologjikisht për përballjen me fenomenet e reja sociale, të turbulluar e të mbushur me konfuzion nuk dinë të gjejnë rrugëdalje tjetër veçse të vrasin. Vriten burra, gra, fëmijë, vriten pleq, vriten plaka. Dhe psikologjia dhe mesazhet e këtyre telenovelave janë kthyer si sfond makabër i tragjedive shqiptare.

Dhe ashtu si në filmat turq, ku mungon dashuria njerëzore, ku mungon buzëqeshja, ku mungon hareja, shqiptari jeton në botën e tij të vetmisë i mbushur me re të zeza.

Rrëqethëse shfaqet vrasja e grave nga burrat e tyre. Një dukuri sa primitive aq edhe burracake. Një burrë që nuk përballon dot vështirësitë e kohës, gjen ngushëllim te alkooli e droga e më pas i kthehet dhunës në familje. Një burrë fisnik mbron gjithmonë të pambrojturin apo më të dobëtin, ndeshet gjithmonë me një të fortë dhe nuk bënë kurrë cubin me një më të dobët ashtu sikurse është seksi femër. Nuk ma thotë mëndja se do të ishte ky problem në qoftë se gruaja fizikisht do të ishte njësoj si burri, nuk do të ishte masiv ky problem në qoftë se burri do të ishte xhentëlmen e jo burracak e turkoshak në mentalitet. Burra qe i japin të drejtë legale vetes të kenë dashnore, kthehen në kriminela nëqoftëse gruaja e tij ka një shok, shok jo të dashur.

Shoqëria shqiptare është aktualisht në krizë sociale e psikologjike, është në krizë e asnjëri nuk merr kurajon të çajë këtë barrierë ogurzezë që po na prezanton para botës si popull skizofren që vetëm vrasim, prodhojmë drogë, stimulojmë prostitucion e klandestinitet, vritemi nëpër rrugët me makinat tona sepse duam të tregojmë se ç’jemi kur në fakt nuk jemi asgjë. Dhe numri i frikshëm i viktimave është një tregues kokëfortë e rrënqethës.

Mbas 23 qershorit ekranet tona kanë shpëtuar nga klithjet e ish kryeministrit, një dukuri kjo që ka ndikuar ndjeshëm në jetën e përditshme qytetare, por kaq nuk mjafton. Kjo lloj qetësie relative duhet shijuar si nga fëmijët dhe nga të rriturit si një fillim që duhet ti hapi rrugën jetës së përditshme shqiptare për të pasur më shumë buzëqeshje, më pak krim, më shumë mirëkuptim dhe më shumë zgjidhje problemesh.

Paraqitet si domosdoshmëri përzgjedhja e ushqimit shpirtëror të popullit, arti, sepse për sa kohë populli do ti rrijë larg artit, ai ka për të qëndruar shumë më afër krimit e drogës, Prandaj ka ardhur koha që edhe kontrolli mbi ekranet të jetë jo çensurues, por pretendues për vlera e barrikadë për antivlerat.

Robert Përmeti August 20, 2013 09:40
Komento

9 Komente

  1. Bocari August 20, 10:37

    Jam plotsisht dakort me mendimet e cfaqura ne artikull. Por shtroj pyetjen;
    1- A nuk eshte kjo menyre trajtimi, nderkombetare? Figurat e historise dhe kinematografise jane gjithmone kriminelet. Alexandri, Cezaret e Romes, Sulejmani, Napoleoni, Hitleri, etj… ne fund te fundit sjane tjeter vecse, stratege lufterash te cilet vrare dhe pushtuan boten, por megjithate mbeten qendra studimi dhe monumente qe i njeh gjithe bota. Keni pare ndonje film me figura pozitive te Luftes II boterore? Pra njerezit ndoshta duhet ta njohin te keqen qe ta menjanojne ate. Pse jo edhe nepermjet figurave si Kuzei, Husei etc….
    Ne 50 vjet socializem kemi pare vetem filma me figura pozitive. Pas renies se sistemit pame qe te gjitha masat e ndermara ne socializem, atdhedashuria, familja, shoqeria, vullnetarizmat, humanizmat qe u mbollen ne keto vite kishin prodhuar nje potencial kaq negativ sa me te thirrur i cmenduri nga malet ju erren syte dhe shkaterruan gjithshka te mire qe kishim arritur. Pra keto figura pozitive te heronjve te filmave tane nuk kishin lene asnje gjurme. Them se mbrapa ketij negativiteti te pershkruar nga autori , Turqia ne na la mbrapa por vete eshte zhvilluar, me shume se ne.

    Reply to this comment
    • robert PERMETI August 20, 19:14

      Pershendetje ! Me vjen mire qe shqetesimi im qytetar, arrin deri te ju. Problemin nuk e shoh thjesht te regjite e telenpvelave, por te jehona shekullore e prapambetjes. problemet tona jane te shumta dhe shume shetesuese, problemi me i madh jane femijet e ngujuar qe presin te rriten duke pritur radhen qe ti vrasin. Edhe pse po te jap nje mini sqarim, kur i perfytyroj ata me ngjethet mishte. Te gjithe pa perjashtim duhet te luftojme per nje jete me te mire, jo per nje jete qe te dendemi duke ngrene, por nje jet me shume dashuri. Njeriu pa dashuri jeton ne erresire dhe nga erresira nuk mund te presesh asgje te mire. Te shpresojme per nje te ardhme.

      Reply to this comment
  2. betixho August 20, 12:33

    E vlerësoj lart artikullin e z.Robert Përmeti,mendimin e thellë që e përshkon,dhe ndihmën urgjente që apelon.Unë duke qënë plotësisht dakort me të, për ndërhyrje urgjente të autoriteteve që përgjigjen për frymën e harmonisë në shoqërinë shqiptare kundër efekteve shkatërruese të mediave mafioze mbështetur mbi frymën e fitimit pa kriter,dhe mase edhe të qëllimëshme,po e ripostoj edhe një herë këtu më poshtë,përgjigjen online për artikullin e z.Sokrat Abilaj të dt,22 Korrik 2013 me titull “shpëtoni gratë” nga ana ime-betixho- për të përforcuar faktin se z.Robert Përmeti ka qëlluar në shenjë mbi një krim që i bëhet shoqërisë shqiptare,duke apeluar se është urgjente ndalimi i menjëherëshm i telenovelave turke.

    SHPËTONI GRATË NGA KËTA PALO BURRA!
    3
    Sokrat HABILAJ
    Postuar më: 22 Korrik, 2013 tek Analiza

    1. [email protected]
    23 Korrik, 2013 at 11:19 am

    Pezulloni nga ekranet serialet Turq te krimit,tek te cilet shqiptaret gjejne veten si patologji e krimit,te gjendur ne skutat e subkoshiences shqipatre, te presuara nga sundimi 500 vjecar i tyre, qe pothuajse ja dolem te shkeputemi,por per fat te keq “dikush” nderhyri per ti rilidhur e risalduar mbi nje plage qe ishte akoma e pa thare.Kejo duhet te jete terapia e pare pastaj analizoni te tjerat.

    Reply to this comment
    • robert PERMETI August 20, 19:23

      Krimi ne familje, vrasja dhe dhunimi i gruas po kthehet ne nje plage te dhimbeshme. Ekranet tona nuk e kane gjet vehten e tyre, per te relaksuar sado pak nivelin social te shoqerise. Veç telenovelave qe une i kam marre si shkas per te shpalosh shqetesimin tim, jane disa rubrika apo emisione vulgare. Kini parasysh emisionin e z. Bashkim Hixha nga TV24 Pa hapur mire syte shqiptaret ngulmojne per te kapur sinjalin qe te fillojne te flasin per lloj lloj problemesh, por qe nje gje e kane te njejte :Te gjithe ulerasin: Konkluzioni : Çfare zgjidh z. Bashkim me kete emision ? Qe ne pike te mengjezit ne stresohemi. Ka edhe disa pseudogazetar rrugesh qe marrin lloj lloj intervistash, thjesht per te mbushur minutazhet, sepse si perfundim ata nuk thone asgje e mbi te gjitha nuk zgjidhin asgje. Keto e te tjera jane pjese e garnitures se mbijeteses shekullore te mentalitetit primitiv e mesjetar qwe na serviren nga telenovelat turke qe kane zaptuar gjithe ekranet tona. Nuk jam fanatik per filmate e kohes se diktatures ku personazhi pozitiv mbizoteron, por do te kujtoja me shume qef filmin “Kapedani”, “Z. nga Qyteti etj. Te shpresojme per te investuar per nje edukim me bashkohor e europian.

      Reply to this comment
  3. Dike Mullai thote- August 20, 13:11

    Shume NJERZOR shkrimi i R. Permetit! “Shqiptaret e ndodhur nen presionin e tranzicionit ,torturues, Te GJYMTUAR psikologjikisht nga diktatura komuniste…”(?!) Mendoj se pjesa e dyte e kesaj shprehjeje, eshte bere ‘mode’ ne shkrimet keto kohe te ‘trazicionit’! Kesaj nuk i shpeton as R. Permeti, pa e analizuar ‘te gjymtuarit psikologjikisht’ (?!) Mos vall prodhimet e filmave Shqiptare nga Kinostudioja “Shqiperia e Re”?, filmat e se ciles i shohim me kenaqesi ne Stacionin “Tring Shqip”! Thellohu i nderuari R. Permeti! Nuk na kane ‘gjymtuar’ Regjizoret, Kineastet, Artistat e Popullit…Temat qe kane trajtuar ne ato filma! Prodhimtaria e Kinostudios “Shqiperia e Re” ne kohen e ‘Diktatures’ arriti deri 10 filma ne vit! “Jepi Qezarit ate qe i takon Qezarit”. Faleminderit per Temen qe keni trajtuar.

    Reply to this comment
    • robert PERMETI August 20, 19:28

      Pershendetje ! ” Te gjymtuar psikologjikisht NGA DIKTATURA, nuk e kam zhargon te gazetarise sepse une nuk jam gazetar, opr thjesht intelektual e qytetar qe me shetesojne hallet e vendit tim. Por en vazhdim do te desh te te them se ne kohen e diktatures propoganda partiake e kohes fliste shume per cilesite e shqiptarit si : Jemi popull trim, kur ne 97 ne u vrame me njeri tjetri, jemi popull me kulture, kur sheshet tona nuk kane vepra arti por vetem fasada betoni, jemi popull i beses kur ne vritemi neper prita etj. Kur ne shqiptaret të bëhemi te vetedijshem se jemi popull qe duhet te kurojme vetvehten, duke u arsimuar, duke u kulturuar, duke krijuar nje shoqeri te shendeteshme, atehere kjo shprehje nuk ka per tu perdorur më

      Reply to this comment
  4. hosteni August 20, 22:10

    po qe tani e tutje do shikojme telnovelat e janulles,,,,,,,,,,,,,,,sepse jane plot me buzeqeshje,,,,,,,,,,,,,a ju nuk jeni mire te gjithe nga trute e kokes,,,,,,,,,,,,,,shqiperia ka mijra probleme me te renda ju merreni me telenovelat edhe serialet,,,,,,,,,,,,,,,!!!!!!!!!!!!!!!

    Reply to this comment
    • robert PERMETI August 21, 19:23

      Me vjen keq qe me shkrimin tim ju kam harxhuar kohen per zgjidhjen e probleme kardinale qe ju ja dedikoni vendit dhe atdheut, fermereve e shqiptareve. Por mos e merr shume seriozisht se telenovelat nuk jane objekti im por pikerisht dashakeqesia e shprehur ne forma nga me te ndryshmet.

      Reply to this comment
    • robert PERMETI August 21, 19:27

      Me vjen keq qe me shkrimin tim ju kam harxhuar kohen per zgjidhjen e probleme kardinale qe ju ja dedikoni vendit dhe atdheut, fermereve e shqiptareve. Por mos e merr shume seriozisht se telenovelat nuk jane objekti im por pikerisht dashakeqesia e shprehur ne forma nga me te ndryshmet. Me vjen mire qe nepermjet shkrimit tim ju keni aritur te verifikoni veten tuaj qe jeni ne rregull, ndersa ne vuajme nga trute e kokes e besoj se per kete duhet te ndihesh i lumtur.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*