Krisje me klubin, Grabova: Vllaznia s’është ekip prove

July 31, 2014 14:33

Krisje me klubin, Grabova: Vllaznia s’është ekip prove

Ditët e fundit kanë mbërritur në Shkodër shumë futbollistë, kryesisht të huaj të cilët kanë ardhur për provë tek Vllaznia. Kjo situatë ka shkaktuar njëfarë rrëmuje në skuadër sepse edhe niveli i lojtarëve të ardhur lë shumë për të dëshiruar. Në një moment të tillë, kanë ndërhyrë dy drejtuesit e lartë të klubit, presidenti Roberto Nava dhe administratori Ardian Grabova. Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka folur në emër të numri 1 të klubit duke thënë: “Të them të drejtën është shkaktuar një situatë aspak e këndshme. Kanë ardhur tek Vllaznia lojtarë pa asnjë lloj CV-je dhe kjo është e papranueshme për ne. Në rrethana të tilla, edhe në emër të presidentit Nava më duhet të ngre zërin për të thënë se Vllaznia nuk është ekip prove për futbollistët. Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur. Futbollistët e ardhur kanë afat vetëm 24 orë për të bindur stafin teknik nëse duan të qëndrojnë ndryshe do largohen të gjithë pa përjashtim. Ne në ditët e ardhshme do të sjellim lojtarë shumë cilësorë. Po ju konfirmoj faktin se do të vijë një mbrojtës boshnjak me shumë përvojë e pas tij edhe të tjerë lojtarë të mëdhenj. Vllaznia dhe tifozët e saj të mrekullueshëm meritojnë një ekip cilësor dhe jo lojtarë të një niveli më të ulët se ai mesatar”. Në fakt, duket se ka pasur një krisje mes drejtuesve të klubit dhe orët e fundit po përflitet gjithmonë e më shumë për një largim të mundshëm të “Geasport” nga Shkodra, duke prishur kështu marrëveshjen.

 

Vllaznia, stafi largon 5 të huajt

Tek Vllaznia nuk kanë fund ardhjet dhe ikjet e futbollistëve, kryesisht të huaj. Ditën e sotme, stafi drejtues i kuqebluve ka larguar nga prova pesë futbollistët e huaj që kanë qenë në stërvitje ditët e fundit. Bëhet fjalë për tre futbollistët shqiptaro-malazezë, Mollabeqiroviç, Divanoviç e Regjinoviç. Po ashtu është larguar edhe sulmuesi serb Smajoviç dhe mesfushori italian Papareli. Arsyeja e largimit ka qenë mosbindja e stafit teknik me në krye trajnerin Raineri për vlerat e tyre. Të pestë këta futbollistë nuk kanë qenë të pranishëm në stërvitjen e sotme. Të vetmit nga të ardhurit në provë që vazhdojnë të jenë prezent në stërvitje janë kosovari Osman dhe lushnjari Xhafa. Por pritet që në vazhdim të vijnë edhe futbollistë të tjerë. Dy futbollistët e kampionatit shqiptar, Semiran Çela dhe Albi Llenga, do të jenë në provë për dy ditë me rradhë sepse Vllaznia ka nevojë për përforcime në repartin e mbrojtjes. Por nëse këta dy të fundit, do jenë për provë, një tjetër futbollist me peshë pritet të vijë tek skuadra shkodrane. Bëhet fjalë për mbrojtësi serb Radoslav Aleksiç. Ai është 28 vjeç dhe kohët e fundit ka luajtur në kampionatin bosnjak të futbollit. Mbrojtësi serb është 28 vjeç dhe i gjatë 190 centimetra. Edhe ky futbollist do jetë në provë por kuptohet që pa bindur stafin drejtues, nuk do të mundet të firmosë. Në ditët në vijim ndërkohë priten edhe të tjerë lojtarë cilësorë që do vijnë.

July 31, 2014 14:33
Komento

1 Koment

  1. Pac August 1, 17:41

    Bashkia shkoder ka 23 vjet qe nuk ben asgje te mire per shkodren as per vllaznine , mjafon te shikosh stadiumin se si eshte katandisur si te ishte madh pa zot , po te ishte bashki qe punonte do te ishte stadumi me i mire ne vend . Vllania eshte djepi i futbollit shqiptar por kjo bashki po e ndryshke dhe po ja heq vlerat me menyren si po e menaxhon .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*