Kristo Luarasi, “Mirëbërësi më i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare”

July 2, 2017 11:26

Kristo Luarasi,  “Mirëbërësi më i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare”

 

Pas një bisede me prof. Genc Luarasin, nipin e Kristo Luarasit, botuesit më të madh dhe më të famshëm të Rilindjes sonë Kombëtare

Zylyftar Hoxha

Në vitet 1975-80, duke shkruar një monografi për patriotin rilindës Meleq Staravecka, mik dhe bashkëpunëtor i Kristo Luarasit, isha ndeshur me mjaft dokumente që bënin fjalë për veprimtarinë e spikatur të Kristos, këtij  rilindësi të shquar, por vetëm kaq, nuk kisha gjetur për të një vepër të plotë dhe të sistemuar.  Në këtë kohë kisha mundur të prekja një pjesë të makinerive të shtypshkronjës së tij ”Mbrothtësia”, shtetëzuar në Tiranë që në vitin 1946 dhe sjellë në vitin 1971 në Skrapar, si rezervë, që në rast lufte aty do të shtypej “Zëri i Popullit”, por kisha gjetur edhe një mik të Kristos, një specialist të vjetër të poligrafisë,  të quajtur Jak Banda, që kishte ardhur për të montuar makineritë në Skrapar. Ky shkodran i urtë e i mençur, rritur e plakur mes atyre makinerive, nuk linte rast pa folur për Kriston si “Gutenbergu i pakokurrueshëm shqiptar”, por edhe aftësitë e zotësitë e të shoqes, Poliksenit dhe djalit, Theodhorit, që, pas vdekjes së Kristos, mbanin në këmbë gjithë atë industri me një ritëm madje më të lartë se në kohën e Kristos.

Më vonë, rasti e solli që, duke shkuar për në punë, të pyes burrin që kisha në krah në sediljen e autobusit, se e dija që ishte Luaras, por nga cilët Luaras. “Nga të Kristos, jam nipi i tij”, më tha. Lëviza nga vendi. “Ti, nipi i Kristos”?! Dhe nisëm një muhabet të gjatë…

*

Genci ka një histori interesante, ai ka punuar në disa vepra të quajtura “të pesëvjeçarëve” në periudhën komuniste. Për vite me radhë Genci ka qenë teknolog dhe kryeinxhinier kimist në Uzinën e Superfosfatit në Laç, por edhe në vepra të tjera.

Tani, në moshën kanonike, në pension, profesor Gencit, “s’i zë vendi vend” për të vënë në vend disa gjëra, aq sa mund të vërë, nga humbjet e mëdha pasurore dhe morale të Luarasëve të famshëm. Dita e tij është intensive: sa në një gjykatë në tjetrën; sa nënjë arkiv, në tjetrin; sa në hipotekë, në zyrat e kthimit dhe kompensimit të pronave për një padrejtësi të madhe me pronën e familjes Luarasi. Edhe pse shpesh del duarbosh dhe i zhgënjyer nga këto zyra, ai nuk tërhiqet nga angazhimi moral ndaj djersës, mundit dhe gjakut të të parëve.

Megjithëse i matur, i rezervuar dhe modest, Genci ka edhe një merak tjetër: Gjyshi i tij me gjithë këto merita, si kolos i shqiptarizmës, fatkeqësisht, përveç librit “Kristo Luarasi, jeta dhe vepra”, një monografi e shkruar bukur nga profesor Uran Asllani, por që lë shumë gjëra jashtë, disa dekoratave e tituj të një klasi të dorës së dytë, s’ka gjë tjetër. Figura e tij në kujtesën historike kombëtare, ku nuk kujtohet askush, duket se është zbehur. Dhe kjo është një traum e vërtë për të vdekurit po e po, por më tepër për të gjallët.

Natyrisht, si një pasardhës me gjak patrioti, Genci e vuan këtë. Nisur nga ajo, që po harrove veten, të harrojnë edhe të tjerët, ai mundohet të bëjë diçka. Qëmton në arkiva për jetën e Kristos, se në atë mal me punë të tij, gjithmon gjen diçka të re, të panjohur më parë.

Para disa vitesh Genci shkoi në Luaras të Kolonjës, në vendlindjen e të parëve të tij. Bëri një kënd muze në atë shkollëz gjysmë të rrënuar që ishte. Çoi një kompjuter, 70-80 libra nga biblioteka e tij, disa artikuj kancelarie, lapustilë, stilolapsa, fletore për t’ia dhuruar nxënësve.

Më pas shkoi në Selanik për të gjetur gjurmët e shtypshkronjës së Kristos në atë vend. I ishte përqasur vendit, por nga Selaniku i dikurshëm gjysmë shqiptar, s’kishte ngelur asgjë. Jo nga koha, nga strategjia antishqiptare e ekstremistëve grekë të Megaloidesë.

E teksa po bisedoja me Gencin, me këtë  degëz autentike të Luarasve të shquar, të njohur krejt rastësisht në një udhëtim të shkurtër, mendoja se kështu duhet të jenë të gjithë pinjojtë e kësaj race, punëtorë, të heshtur, të pabujshëm, që nuk mburren asnjëherë me origjinën e tyre.

*

Ne ende nuk mund ta dimë dhe nuk mund ta marrim dot me mend se cili do të kishte qenë fati i veprave të rilindasve tanë të mëdhenj, sidomos vëllezërve Frashëri, dhe i gjithë asaj pune për zgjimin kombëtar nëpërmjet gjuhës dhe shkollave shqipe, pa përkushtimin aq të zellshëm atdhetar të një prej apostujve më të shquar të shqiptarizmës gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, Kristo Luarasit. Ndoshta shumë prej veprave të tyre s’do ta kishin parë kurrë dritën e botimit e do t’i gjenim sot dorëshkrime nëpër arkiva ose do të ishin botuar me vonesë dhe jo me atë vrull, me atë numër e me atë shpejtësi që i botoi Kristo Luarasi. Dokumentet flasin se Kristo Luarasi ishte i vetmi botues i asj kohe që kishte marrë ekskluzivitetin e botimit të veprave të vëllezërve Frashëri, veçanërisht të Naimit, që kur ky i fundit ishte gjallë.

E gjithë veprimtaria mbi 40-vjeçare e tij, si një mision atdhetar dhe politik, është  mishëruar në shtypshkronjën “Mbrothtësia”, fillimisht në Sofje, kur ai ishte një djalosh 20-vjeçar, në Selanik e më pas në Tiranë, me shtëpitë botuese “Kristo Luarasi”, “Luarasi” etj., me një gamë të madhe botimesh prej 600 e ca tituj librash politikë, juridikë, artistikë, fetarë, shkollorë, disa të ribotuara me dhjetëra herë me  tirazhe të ndryshme, duke plotësuar për herë e më mirë nevojat e një populli të etur për arsim, kulturë e dije, duke sjellë veç Frashërllinjve edhe  autorë si De Rada, Sterjo Spasse, Mit‘hat Frashëri, Haki Stërmilli, Nexhat Hakiu, Thoma Floqi, Xhevat Belegu, Milto Sotir Gurra; autorë të huaj si Viktor Hygo, Honore de Balzak, Aleksandër Dyma, De Foe, Alfons Dode, Leon Tolstoi etj. etj

Pas vdekjes Kristos veprimtarinë botuese e vazhdoi i biri, Theodhori, deri më 1946, kur shtëpia botuese dhe shtypshkronja “Luarasi”, pavarësisht back-graundit historik, u shtetëzuan thjesht si pronë e thjeshtë private që binte në kundërshtim me interesat e regjimit të ri komunist që po instalohej në Shqipëri. Madje “alergjia” ndaj pronës private e regjimit komunist u reflektua edhe te qëndrimi indiferent politik ndaj të gjithë pinjojve të familjes Luarasi, që ishin rritur mes letrash dhe një mjedisi atdhetar, që ishin shkolluar në shkollat më të mira të kohës; dy djemtë e mëdhenj të Kristos, Thomai dhe Theodhoriu ishin përkrah të të atit, anëtarë të shoqërisë “Dëshira” të Sofjes dhe më pas në rrethet patriotike në Selanik e në Tiranë, Skënder Luarasi (jo ai i Petro Nini Luarasit), djali i tretë i Kristos, u bë një arkitekt i zoti. Po kështu edhe e bija, Margarita, një mësuese e talentuar.  Një pjesëtar i kësaj familje, nip i Kristos, Stefan Luarasi, zëvëndës komisar i Çetës së Sllovës në Dibër, ka rënë dëshmor i atdheut më 8 korrik të vitit 1943.

Në fushën e shtypshkrimeve Kristo Luarasi pa frikë mund të cilësohet si “Gutenbergu shqiptar”, por ai shkëlqen edhe si publicist, editorialist, botues i disa gazetetave të rëndësishme të kohës, autor i shumë shkrimeve redaksionalë e problemorë.  Duke patur edhe ndihmën e Mit’hat Frashërit dhe Shahin Kolonjës, ai zë një vend nderi në historikun e medias shqiptare si themelues i disa organeve shtypi si “Kalendari Kombiar”, “L’independence albanaise”, gazetat “Lirija” dhe “Dituria”, “Drita”, për të vijuar më tej me  gazetat “Lajmëtari” dhe “Liri e Shqipërisë”.

Duhet theksuar se veprimtaria patriotike e Kristo Luarasit nuk ishte kufizuar vetëm në fushën e botimeve, ai ishte një protagonist kryesor në tërë teatrin e ngjarjeve historike që ndodhën gjatë jetës së tij (1875-1934), kryetar i shoqatës atdhetare me një rol të spikatur patriotik, “Dëshira” të Sofjes, bashkëpunëtor me veprimtarët më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, si me ideologët, por edhe me komandantët e çetave për liri Kombëtare si Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Naum Veqilharxhi, Athanas Tashko, Shahin Kolonja, Mit’hat Frashëri, Fan S. Noli, Hilë Mosi, Çerçiz dhe Bajo Topulli, Mihal Grameno e shumë të tjerë.

Profili i Kristos është i gjerë dhe i jashtëzakonshëm, si atdhetar, si dijetar, si shkrimtar, si gazetar, si poet, si poliglot që dinte 7-8 gjuhë, si enciklopedist. Ai bashkoi në një të vetme jo vetëm atdhetarin, po dhe drejtuesin e organizatorin e zot, njeriun e ditur po dhe bisnesmenin e suksesshëm, si ndofta askush në Rilindje. Ai ish një botues që diti të aktivizojë patriotët më të shquar nga kolonitë shqiptare të mërgimit, si Bukureshti, Misiri, Italia, Amerika, dhe nga vetë Shqipëria rreth vetes së tij në gazetat që botoi e drejtoi vetë.

Sakrifica që bëri ky burrë i Shqipërisë është e madhërishme dhe e papërsëritshme, ai ishte dhe mbetet një rilindas vizionar iluminist i një kalibri të rëndë. Shahin Kolonja, me të cilin bashkëpunoi për 8 vjet rrjesht për nxjerrjen e gazetës kombëtare “Drita” (1901-1908), shkruan se “kontributi i Kristos për çështjen shqiptare është më i vlefshëm se kontributi i të gjithë emigrantëve së bashku”. Noli i madh nga përtej oqeanit, do ta përcaktonte Kristo Luarasin si “një prej 28 personaliteteve shqiptare që vunë themelet e shtetit shqiptar” dhe si një “gud bisnesmen”  që vuri gjithçka, jetën e tij, familjen, kamjen e gjënë e vet në shërbim të Shqipërisë.

Me gjithë këto merita si mirëbërësi më i madh i Rilindjes, siç e ka cilësuar Mi’hat Frashëri, institucionet tona shkencore i kanë shumë borxhe Kristos për ta vënë atje ku i takon, të rishikohet dhe ridimensionohet figura e tij në ato përmasa që ka patur në të vërtetë.

Kam dëgjuar se ka një projekt për ribotimin e “Kalendarit Kombiar”, do të jetë një mrekulli që do të hedhë dritë të re mbi veprimtarinë e këtij atdhetari të shquar dhe do të plotësojë një mungesë të madhe në raftet e bibliotekave tona shkencore.

Shtëpia historike te Rruga e Kavajës dhe problemet me të

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Kristo Luarasi e konsideroi të përfundur misionin e tij rilindës në Sofje të Bullgarisë, ku ai për 25 vjet sëbashku me shumë shqiptare kishte gjetur mikpritjen e shtetit bullgar, ku ishte krijuar shoqëria atdhetare “Deshira”, ku ai kishte milituar dhe përpjekur së bashku me bashkëshorten e tij, Polikseni Dhespoti-Luarasi pas ngritjes se shtypshkronjës “Mbrothësia” (Zhvillimi) për botimin e shtypit të pavarur shqiptar, sidhe kishte shtypur gazetat përparimtare si “Drita”, “Liri e Shqipërisë, “Dituria”, “Kalendarin Kombiar” për vite të tera etj.

Shtëpia e tyre në rrugën “Car Simeon” ishte bërë streha e kryengritësve shqiptarë, të vëllezërve Topulli, Mihal Grameno e shumë të tjerë që kishin gjetur në katin e tretë të asaj shtëpie strehë, bukë dhe vend mbledhjesh Pra, në 1920 vendosi të kthehej në Shqipërinë e pavarur për të vazhduar punën e tij botuese për  administratën e re të shtetit shqiptar. Me gjithe shtypshkronjën, tashmë më të madhe se më parë, ai u thkye në Atdhe, në Tiranë, fillimisht në Rrugën e Shkabës (sot afër Pazarit të Ri) në shtëpinë e familjes së madhe të Stërmasëve deri sa bleu truallin e nevojshëm për të ringritur shtypshkronjën, e cila i ishtë bërë si fëmijë e parë e tij.

Në ato vite filloi të popullohej dhe të urbanizohej zona perëndimore e Tiranës, e quajtur Tirana e Re, ku brenda vitit 1931 bleu 1800 m2 tokë buzë rrugës së quajtur Rruga Mbreterore dhe më vonë në Rrugën e Kavajës që është edhe sot. Në Rrugën e Kavajës ndërtoi shtëpinë e re dhe në truallin e blerë sëbashku me shtëpinë e vjetër vendosi shtypshkronjën e tij ku rinisi aktivitetin botues me libra shkollore dhe materiale për administratën e shtetit.

Pas vdekjes këtë aktivitet e trashëgoi njëri nga bijtë e tij, i cili e zgjeroi këtë aktivitet edhe më tepër me produkte shtypshkrimesh, gazeta, libra të letersise shqipe e botërore, kartolina e pulla postare, duke u bërë një aktivitet i zëshëm në Tiranë, në Shqiperi, në Kosove dhe jashtë kufijve shqiptare.

Në vitin 1947 aktiviteti i shtypit u shtetëzua nga qeveria shqiptare e kohës, që u përthith në shtypshkronjën “Mihal Duri”, Heroi i Popullit, ku veç Mihal Durit kishte punuar edhe Qemal Stafa si dhe shumë tipografë të tjerë si Mulosmani, Dh. Lubonja, J. Banda, Xh. Hatibi, etj. Në këtë kohë në shtepinë e Kristos jetonte familja me brezin e tretë të Luarasëve. Në kopshtin e famshëm të trendafilave të Poliksenit që banorët rreth e qark e njihnin, hyni e dilni plot miq, vendas dhe të huaj.

Gjatë Luftës së Tiranës në vitin 1944 në bodrumet e shtepisë së re u strehuan 160 fqinjë të rrugëve të Lanës dhe Spahijve dhe i bënë ballë me qetësi dhe durim bastisjes së forcave gjermane, që për presion çuan tek muri i Kishës Katolike të zotin e shtëpisë Thoma Luarasi. Por prifti Pater Mushkalla e garantoi komandantin gjerman se ata ishin banorë afër asaj shtëpie dhe njerëz paqësore.

Pas çlirimit për 50 vjet gjetën strehim sipas ligjeve të kohës me dhjetëra familje në atë shtëpi, si farmacisti S. Papaj, ku u rrit këngëtarja soprano L. Papaj dhe të motrat, inxhiniere e muzikante; banoi vetë familja e kryemjeshtrit të shtypshkronjës J. Banda,  S. Spiro, prokuror i procesit të T. Sejkos etj.

Për një periudhë të shkurtër  mjediset e asaj shtëpie legjendare strehuan studentët e shkollës pedagogjike. Më së fundi, në 1992 mjediset e shtëpisë u liruan. Të zotët e shtëpisë e rikonstruktuan dy herë me idenë për ta kthyer në identitet si një shtëpi me vlera arkitektonike dhe historike ku ishin zhvilluar veprimtari të Rilindjes Kombëtare. Por ende që atëherë e deri kësaj dite, megjithëse është një shtëpi tipike e rrallë, që lidh të djeshmen me të sotmen ende nuk është bërë gjë nga shteti shqiptar. Dhe jo vetëm që nuk është bërë gjë, por pronarët e saj të ligjshëm po ndeshen me uzurpatorë që kanë zaptuar në mënyrë të paligjshme mjedise të kësaj shtëpie. Është për të ardhur keq, që këta njerëz ndihmohen dhe përkrahen në paligjshmërinë e tyre nga njerëz me pushtet!…

Mit’hat Frashëri: “Askush nuk e ka njohur Kriston mirë se unë”

Për vdekjen e Kristo Luarasi shkruajti i gjithë shtypi shqiptar i kohës brenda dhe jashtë vendit si: “Besa”, “Demokracia”, “Gazeta e Korçës” “Gazeta Shqiptare”, “Minerva”,  “Vlora”, “Albania” etj., por shkrimi më i mirë, më i plotë dhe që në ekstakt përmbledh gjithë jetën e Krisos, është shkrimi i  Mit’hat Frashërit, botuar në “Minerva”. Me kënaqësi dhe për kënaqësi ia japim më poshtë lëxuesit:

…Që të bënj fjalë për Kriston, duhet të marr shtegun drejt burimeve të kujtimeve të mia, të vetë tridhejtë e shtatë viteve më parë. Një mbrëmje, duke u kthyer në shtëpi me vapor, Sami Frashëri më rrëfeu se kishte parë te Naimi një libër të ri që rrëfente ditët e muajt, me artikuj dhe Avjersha, një botim te shtypur në Sofje të Bullgarisë.

Një libër shqip i ri? Për neve? Për ata të asaj kohe ishte një ngjarje e pashembullt, një eveniment shpirtëror, shoqëror dhe politik. Pastaj për neve ishte një habi e madhe, emri i qytetit të ri ku botohesh një libër shqip…

…Dymbëdhjetë vjet me rradhë, nga moti 1897 e gjer në 1908, Kristua përhapi fjalën e drejtë, mbolli farën e mirë, jo vetëm në Shqipëri, por tekdo që gjendej një shqiptar, në të gjithë qytetet e të gjerës Imperatori Otomane, në viset e largëta të të dy Amerikave, gjer në çipat e ngrirë të Siberisë e në shkretëtira të përvëluara të Afrikës. Edhe ky punim bëhesh me një durim plot fisnikëri, me një ide plot çinteresim, me një ëmbëlsi karakteri të rrallë. I theksonj këto cilësi të rralla të Kristos se më duket se askush nuk e ka njohur atë njeri më mirë se unë…

…Ata dymbedhjetë vitet e para formojnë epopenë më të bukur të punës dhe të veprës së tij.

Dhe në qoftëse mirësia më e madhe në jetë është t’i japësh tjatrit kënaqësi, gëzim dhe kandje, padyshim Kristua duhet të shikohet si një mirëbërës fort i madh, një mirëbërës për mijë dhe mijë lëçitës të libravet dhe të gazetavet që dilnin nga duar e Kristos, dhe një mirëbërës më i vlefshëm akoma për bashkëpunëtorët e tij.

 ———–

*Shkrim i botuar në revistën “Minerva”, nr. 23-24, 1934, tri ditë pas vdekjes së Kristo Luarasit , i marrë me shkurtime 

 

July 2, 2017 11:26
Komento

2 Komente

  1. demo July 2, 17:25

    mor edepsyza,mor llumi proletariatit,or maloket e llumit te zi te Vucidolit,o gjarperinjte e Rilindjes!Kthejani pronen ajkes se kombit shqiptar,familjeve qytetare qe bene Shqiperine shtet.Angazhoni nje task-force me juriste,police,permbarues me page shteterore qe te ktheje pronat familjeve fisnike ne baze te tapive te vjetra,para 1944.Ato tapi jane te shenjta.Ky eshte VETINGU.

    Reply to this comment
  2. fshatari pafshat July 3, 14:30

    Keta qe vjedhin dhe tjetersojne pronat e borgjezis te vjeter jane komunistet kriminele, dhe te pakorigjueshem. Sepse, ne rembat e tyre rrjedh ende gjak i ndotur me shtetzimet e padrejta te pasclirimit, qe sot perkthehet me grabitjet e “drejta” per shkak te qenit militant i PD, PS, LSI, etj., thene ndryshe, ndihmestar per ndertimin e demokracise te hajduteve dhe tradhetareve per hajdutet dhe tradhetaret e kombit. Keta qenbirqenesh dhe pasardhesit e tyre nuk duhet te merziten diten kur shpata e drejtesise sociale dhe asaj gjyqesore do ta ktheje haken te i zoti. Me vonese, po nuk do te mungoje.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*