Kriteret e aplikimit për masterin në të 23 profilet e Ekonomikut

August 1, 2017 13:41

Kriteret e aplikimit për masterin në të 23 profilet e Ekonomikut

 

Pranvera Kola – DITA

Profili i studimeve të kryera në nivelin e parë “Bachelor”, si dhe njohja e njërës prej 5 gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian (anglisht, italisht, spanjisht, gjermanisht  dhe frëngjisht), janë dy kriteret bazë që duhet të plotësojë çdo kandidat që kërkon të vijojë studimet e larta të nivelit të dytë, në programet  “Master profesional” dhe “Master shkencor” në universitetet publike të vendit.

Fakulteti Ekonomik, pjesë e Universitetit të Tiranës, është edhe institucioni i parë që ka miratuar dhe shpallur kriteret e aplikimit për të gjithë studentët që duan të ndjekin ciklin e masterit përgjatë vitit të ri akademik 2017-2018.

Konkretisht, ky fakultetet do të ofrojë studime të nivelit master në 23 profilet e 6 departamenteve përkatëse. Në vijim do të gjeni të plota kriteret e pranimit për secilin profil.

Kriteret për master në Departamentin e Marketing-Turizëm

Aplikimet për studimet e nivelit të dytë në këtë departament do të zhvillohen në katër programe të ndryshme, dy në ciklin profesional dhe dy të tjerë në atë shkencor.

Në mënyrë të detajuar, bëhet me dije se për programet e nivelit shkencor në Marketing dhe Turizëm, kanë të drejtë të aplikojnë, të parët studentët që kanë mbaruar ciklin “bachelor” në degën Administrim Biznes pranë këtij fakulteti, të cilët do të jenë edhe prioritet në përzgjedhje.

Në varësi të kuotave të pranimeve, do të mund të aplikojnë edhe kandidatët që kanë diploma të tjera të nivelit të parë, në fushën e ekonomisë dhe të biznesit të fituara në fakultete të tjera ekonomike publike dhe jopublike brenda, apo edhe jashtë vendit, por vetëm pasi të jetë bërë njohja e tyre sipas rregullave ligjore në fuqi. Drejtuesit e këtij departamenti konfirmojnë se çdo kandidat gjatë fazës së aplikimit duhet që të zotërojë të paktën në nivelin B1 (të vërtetuar me dokumentin përkatës) të një prej pesë gjuhëve të huaja të vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas kritereve të miratuara, në këtë program fituesit do të përzgjidhen mbi bazën e mesatares së arritur në studimet e ciklit të parë, ku të parët përfitojnë studentët e këtij fakulteti, më pas ata të fakulteteve të tjera publike dhe jopublike.

Ndërsa në rastet kur aplikohet për dy masterat e nivelit profesional, do të respektohen po të njëjtat kushte, duke përjashtuar detyrimin e njohjes së gjuhës së huaj që në fazën e aplikimeve.për studimet e nivelit profesional mund të aplikojnë edhe studentët që kanë fituar diplomat “Bachelor”, në fushën e ekonomisë dhe të biznesit të fakulteteve të tjera ekonomike të shkollave publike dhe jo publike, si edhe studentët që kanë fituar një diplomë të nivelit të parë në Shkenca Sociale, Shkenca Politike, Drejtësi, Agro-biznes, shkencave inxhinierike të fakulteteve të tjera. Studentët fitues në këtë program do të përzgjidhen mbi bazën e mesatares së arritur në studimet e ciklit të parë dhe sipas kriterit ku kanë mbarur studimet e nivelit të parë.

Kriteret për master në Departamentin e Kontabilitetit

Në këtë departament mund të aplikohet për dy programe të nivelit master. Konkretisht në nivelin shkencor “Kontabilitet”, do të pranohen në aplikim të gjithë kandidatët që kanë mbaruar ciklin “Bachelor” në Fakultetin Ekonomik, më pas do të vijohet me pranimin e të gjitha diplomave të tjera të nivelit të parë, të degëve Informatikë Ekonomike, Ekonomiks të këtij fakulteti, si dhe degës Administrim Biznes të fakulteteve të tjera ekonomike të shkollave publike e jo publike vendase dhe të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre sipas rregullave përkatës.

Detyrim është edhe njohja e gjuhës së huaj, por vetëm në rastin e aplikimeve për master shkencor. Studentët fitues në këtë program, gjithashtu do të përzgjidhen mbi bazën e mesatares së arritur në studimet e ciklit të parë dhe kushteve të institucionit ku kanë mbaruar studimet e këtij cikli të parë. Po të njëjtat kritere do të zbatohen edhe për pranimet e reja në nivelin profesional, me ndryshimin e vetëm që studnetët nuk janë të detyruar që të dorëzojnë gjatë aplikimit dëshminë e njohjes së gjuhës së huaj.

Kriteret për master në Departamentin e Menaxhimit

Mund të aplikohet për programin e studimit Master i shkencave në Administrim Biznes, Master i shkencave në Administrim Publik, si dhe Master profesional në Administrim Biznes dhe Master profesional në Administrim Publik. Në aplikim do të pranohen diplomat “Bachelor” të fituara në degën Administrim biznes të këtij fakulteti, diplomat e nivelit të parë fushën e ekonomisë dhe të biznesit, si edhe të administrimit publik të fakulteteve të tjera të shkollave publike dhe jo publike, vendase e të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre.

Do të pranohen edhe aplikimet e studentëve që kanë fituar një diplomë të nivelit të parë në Shkenca Sociale dhe Filologjike, Shkenca Politike, Drejtësi dhe Agrobiznes të fakulteteve të shkollave publike dhe jo publike, vendase e të huaja. Në të gjitha këto raste, pranimi i studentëve kërkon paraprakisht njohjen e tyre sipas rregullave përkatëse. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për njohjen e gjuhës për aplikimet në nivelin shkencor të këtyre masterave, teksa mbeten të përjashtuara nga ky detyrim aplikimet për nivelin profesional.

Kriteret për master në Departamentin e Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar

Në këtë departament mund të aplikohet për pranime të reja në 6 programe master, të nivelit profesional dhe atij shkencor. Konkretisht, mund të aplikohet për studimet në  degën Master i Shkencave në “Sisteme Informacioni në Ekonomi” dhe në Master i Shkencave në “Siguria e Informacionit” që realizohen me 120 kredite.

Për këto degë mund të konkurojnë studentët që kanë fituar një diplomë “Bachelor” në Informatikë Ekonomike, në Informatikë, Teknologji Informacioni të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në Inxhinieri Informatike të Universitetit Politeknik. Më pas do pranohen edhe aplikimet nga kandidatët që kanë fituar diplomat e nivelit të parë në fakultete të tjera publike apo private, që përkojnë me formimet e mësipërme, ose të ngjashme me to.

Të tretët në radhë për aplikime janë edhe kandidatët që kanë fituar diplomat e nivelit të parë në Ekonomiks, Administrim Biznes dhe Financë të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, në Inxhinieri Elektronike dhe Inxhinieri Telekomunikacioni të Politeknikut.

Po në këtë departament mund të aplikohet dhe për në programet e studimit Master i shkencave në “Kërkime Operacionale në Menaxhim” me 120 kredite. Këtu mund të aplikojnë studentët që kanë kryer studimet e nivelit të parë në profile të tilla, si: Informatikë Ekonomike, Administrim-Biznes, Financë, Ekonomiks të Fakultetit të Ekonomisë, ata që kanë diploma të nivelit të parë në Informatikë, Teknologji Informacioni, Matematikë të fituara në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, si dhe degëve të Inxhinieri Informatike, Inxhinieri Elektronike dhe Inxhinieri Telekomunikacioni të Universitetit Politeknik.

Të fundit që mund të aplikojnë janë kandidatët me diploma të fituara në degë të ngjashme pranë fakulteteve të tjera që nuk janë përmendur më lart, pavarësisht nëse janë publike apo private. Do të pranohen edhe kandidatët që kanë diploma të të nivelit të parë të fituara në Administrim Biznes, Financë.

Niveli profesional

Po me të njëjtat kritere do të aplikohet edhe për studimet në degën Master profesional në “Sisteme Informacioni në Ekonomi” që do të realizohen po me 120 kredite.

Ndërsa në programet e studimit Master profesional në “Teknologji Informacioni dhe Menaxhimi i proceseve të biznesit”  që do jenë me 90 kredite, do mund të aplikojnë kandidatët që kanë një diplomë të nivelit “Bachelor” në Informatikë Ekonomike, në Informatikë, Teknologji Informacioni, Matematikë të fituar nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, diplomat në Inxhinieri Informatike, Inxhinieri Elektronike dhe Inxhinieri Telekomunikacioni të Politeknikut, si dhe të gjitha diplomat e tjera të nivelit të parë të fituara në universitete private dhe publike që janë të ngjashme me këto profile.

Gjithashtu do të pranohen edhe diplomat në Ekonomiks, Administrim Biznes dhe Financë të Fakultetit të Ekonomisë, si dhe degë të ngjashme me to. Fituesit do të klasifikohen sërish nëpërmjet mesatares së studimeve të nivelit të parë.

Ndërsa në programet e studimit Master Profesional në Sisteme Informacioni në Ekonomi me 60 kredite  do të ndiqen po të njëjtat kritere, duke përjashtuar detyrimin për njohjen e gjuhës së huaj.

Kriteret për master në Departamentin Ekonomiks

Në këtë departament mund të aplikohet për Master i Shkencave në Ekonomiks, si dhe Master profesional në Ekonomiks (Master në Studime Ekonomike Evropiane).

Kanë të drejtë që të garojnë studentët që kanë kryer studimet “Bachelor” në degën Ekonomiks të Fakultetit të Ekonomisë, studentët e degëve të tjera të po këtij fakulteti, si dhe në fund do të pranohen diplomat “Bachelor” të fakulteteve të tjera ekonomike të shkollave publike dhe jo publike, vendase e të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre sipas rregullave përkatës.

Pranohen edhe aplikimet edhe për diplomat “Bachelor” në degët matematikës, fizikës, informatikës, inxhinierisë, të fakulteteve të ekonomisë të shkollave publike dhe jo publike, vendase e të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre sipas rregullave përkatës.

Kriteret për master në Departamentin e Financës

Për Masterin Shkencor në Financë (MSHF), Master Profesional në Financë (MPF, 120 kredite), Master Profesional në Bankë, Master Profesional në Sigurime (MPS, 60 kredite) dhe Master Profesional në Financat e Ndërmarrjes (MPFN, 60 kredite) mund të aplikojnë:  Të gjithë studentët që kanë mbaruar studimet universitare në këtë fakultetet dhe që kanë të paktën një diplomë bachelor në Financë-Kontabilitet dhe Administrim Biznes.

Më pas mund të aplikojnë të gjithë studentët që kanë një diplomë të nivelit të parë në degët Ekonomiks dhe Informatikë Ekonomike të po këtij fakulteti, si dhe të të gjithë studentët që kanë një diplomë të nivelit të parë në Financë-Kontabilitet dhe Administrim Biznesi në fakultete të tjera të ekonomisë (publike dhe jopublike).

Ndërsa për Masterin profesional në Financë, Kontabilitet dhe Auditim (MPFKA, 60 kredite), mund të aplikojnë:  “Të gjithë studentët që kanë mbaruar studimet universitare në këtë institucion dhe që kanë paktën një diplomë të nivelit të parë në Financë-Kontabilitet, kandidatët që kanë një diplomë të nivelit të parë në degën Administrim Biznesi të Fakultetit të Ekonomisë, si dhe të gjithë studentët që kanë një diplomë të ngjashme të fituar në fakultete të tjera publike dhe private.

Aplikanti në Programet Master i shkencave duhet të zotërojë të paktën në nivelin B1 (të vërtetuar me dokumentin përkatës) në një nga gjuhët e huaja të vendeve të Bashkimit Evropian (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht).

Studentët fitues në programet e mësipërme do të përzgjidhen mbi bazën e mesatares së arritur në studimet e ciklit të parë dhe preferencave (studentët e degëve, apo profileve të tjera pranohen pasi janë plotësuar kërkesat e studentëve të nivelit “bachelor” të asaj dege).

Detyrimi për gjuhën e huaj

Aplikantët për programet e nivelit shkencor duhet që të zotërojnë të paktën në nivelin B1 (të vërtetuar me dokumentin përkatës) një nga gjuhët e huaja të vendeve të Bashkimit Evropian (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht).

Shpallja e fituesve

Studentët fitues në programet e studimeve master si në nivelin profesional, ashtu edhe në atë shkencor do të përzgjidhen në bazë të kriterit të mesatares së studimeve të 3-vjeçarit në “bachelor”, si dhe kriterit të profilit të degës se ku i kanë kryer studimet e këtij cikli.

Kreditet për studimet e masterit

  • Programet e studimit “Master i shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në: programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike, si dhe në programe të integruara të studimeve të ciklit të dytë që realizohen me 300 dhe 360 kredite dhe me kohëzgjatje normale respektivisht pesë dhe gjashtë vite akademike. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ofrohen në fushat e drejtësisë, mjekësisë, të stomatologjisë, të farmacisë, të veterinarisë e të arkitekturës.
  • Programet e studimit “Master i arteve” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, në fushën e arteve. Këto programe realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master i shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
  • Programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 60 ose 120 kredite dhe  kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
August 1, 2017 13:41
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*