Kritizerët liliputë…

February 16, 2017 18:37

Kritizerët liliputë…

 

Nga Idajet Jahaj

 

Para disa ditësh në njërin nga televizionet tona, në Tiranë, në orët e vona të mbrëmjes u zhvillua një diskutim për Dritëro Agollin. Të gjithë e dinë se çfarë u fol aty, por dua të bëj një refleksion të shkurtër : Dritëroi i madh nuk ka veçse disa ditë që ka vdekur. A nuk pritën këtë diskutantë të shtyhej për më vonë ky diskutim ? Të paktën pas disa muajsh ? Se është një shenjë jo e mirë, që, kur familja e të Ndjerit pret ngushëllime, të dalin këtu, në ekran, disa  diskutantë e kritikë e t’i bëjnë vlerësimin një gjiganti të tillë të letrave. Aq më keq kur ndonjëri prej tyre e kritikikonte politikisht ! Dhe kush ishte ky “ndonjëri” ? Një njeri i rëndomtë, i një shërbimi ultra-politik ndaj krahut mohues të realitetit … Dhe tha se …Dritëroi kishte qenë kryetar Lidhjeje, anëtar i Komitetit Qendror, etj. Dhe më tej “ pse nuk u distancua nga Diktatura; pse nuk ndenji në errësirë si Lasgushi”, e të tjera llomotitje bajate e ligësuese ndaj një figure të tillë madhore.

E para, as feja nuk e lejon të flasësh negativisht për një njeri, i cili sapo ka ikur nga jeta.Nuk e lejon as morali fisnik i popullit tonë, që ka formuar kode morale në shekuj… E dyta : Për Dritëroin nuk mund të flasin njerëzit e rëndomtë politikë, ata veç mund ta përbaltin atë. Këta nuk e shohin dot artistin e fjalës, të letrave madhore shqipe, por veç gugasin e këlthasin atë vrerin që tradicionalisht i helmon shqiptarët. E Dritëroi ishte një kolos , të cilit i përkuleshin edhe udhëheqësit e Diktaturës. I përkuleshin, sepse merrnin prej tij një frymë e ideal popullor të përmasave të mëdha, impopnuese edhe për politikanët e kohës. Këtë s’e kuptojnë këta – liliputët.

Nuk e kuptojnë që artsistë të tillë si Dritëroi nuk maten nga raportet politike me një regjim, por maten nga mesazhet madhore që i sjellin popullit, kombit,… nga arsenali i bukur artistik, filozofia dhe mistika e Fjalës që sjellin, e veprave, nga teknologjia e veçante e tyre artistike , nga risia…Por misionarët e përbaltjes nuk i dijnë  dhe as që i duan të gjitha këto. Prandaj kombi vuan nga këta separatistë , megjithëse liliputë…

Dritëro Agolli është një nga IKONAT e kombit, e veç me një nderim të tillë mund të diskutohet për ‘të. Por edhe ky diskutim- larg, larg në kohë, që të rroket më mirë mali i veprës së tij…

 

February 16, 2017 18:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*