KRIZA E ARSIMIT: Vetëm 20% e studentëve të seminareve fetare bëhen shenjtorë

December 6, 2018 16:32

KRIZA E ARSIMIT: Vetëm 20% e studentëve të seminareve fetare bëhen shenjtorë

Një studim domethënës për krizën e arsimit dhe punësimin në të ardhmen e afërt, zbulon se në pesëvjeçarin e fundit vetëm 20 përqind e studentëve të shkollave fetare të vendit, bëhen shenjtorë dhe perëndi pasi mbarojnë studimet.

“Të dhënat tona bëjnë me dije se situata në arsimin fetar shqiptar është alarmante,” theksoi para mediave studiuesi Petro Karathanasi.

“Një pjesë e madhe e studentëve që përpara diplomimit, vendosin të heqin dorë nga synimi për t’u bërë një qenie qiellore e përjetshme. Janë gjithnjë e më të paktë ata të rinj që arrijnë ta menaxhojnë presionin e përkushtimit të të gjithë jetës, plus përjetësisë, synimit të të qenurit një figurë mbarë-qiellore që frymëzon me jetën dhe veprat e veta, grigjën e besimtarëve tani dhe në brezat që do të vijnë,” sqaroi Karathanasi.

Sipas tij, janë disa faktorë që ndikojnë në ngurrimin e të rinjve për të ndërmarrë udhëtimin epik drejt panteonit të figurave të ndritura të fesë.

Këtu përfshihen stazhi i mundimshëm dhe i kushtueshëm pasuniversitar, pabarazia e dukshme gjinore në këtë sektor, si dhe tregu mjaft i kufizuar i punës për të siguruar një vend si shenjtor, apo më shumë akoma, si perëndi e plotfuqishme.

Është fakt që ngjashëm me shkollat laike, edhe kolegjet fetare i joshin studentët duke u premtuar se menjëherë pas diplomimit ata do të shenjtërohen, por realiteti është shumë më i zymtë.

“Edhe ata të paktë që i hyjnë mundimeve dhe në fund bëhen sundimtarë të parajsës, qiejve dhe tokës, studimi tregon se kanë kaluar mijëvjeçarë të tërë duke bërë punë të rëndomta dhe të keqpaguara,” thotë studiesi.

Në mënyrë të ngjashme, një raport paralel bën me dije se vetëm një e pesta e studentëve që kryejnë studime të thelluara në filozofi, arrijnë të bëhen Sokratë.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që beson se universiteti dhe universi janë dy gjëra krejt të ndryshme

December 6, 2018 16:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*