Kroacia ndalon negociatat e Serbisë për në BE

April 7, 2016 16:26

Kroacia ndalon negociatat e Serbisë për në BE

Një grup pune i Këshillit Europian të mërkurën hoqi nga axhenda e tij debatet e tij mbi hapjen e kapitujve të pranimit 23 dhe 24 të Serbisë, të cilët kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor dhe të drejtat e njeriut, pasi Kroacia nuk u dha atyre dritë të gjelbër.

Grupi i punës e hoqi këtë nga axhenda e tij, sepse nuk pati pëlqimin unanim nga përfaqësuesit e të 28 shteteve anëtare të BE-së; Kroacia është e vetmja që nuk ka dhënë ende pëlqimin e saj.

Edhe pse Zagrebi ende nuk ka paraqitur zyrtarisht arsyet e tij, gjatë javëve të fundit zyrtarët kroatë kanë thënë se ata mund të bllokonin negociatat e Serbisë, nëse nuk plotësohen disa kushte.

Zagrebi po kërkon që Beogradi të respektojë plotësisht të drejtat e pakicave kombëtare në vend, bashkëpunim të plotë me gjykatën e krimeve të luftës në Hagë dhe anulim të një ligji serb mbi juridiksionin universal për krime lufte të kryera në të gjitha konfliktet e viteve 1990 e në ish-Jugosllavi.

Bojan Elek nga një shoqatë monitoruese serbe për integrimin në BE, Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë, tha për BIRN se vendet e tjera anëtare të BE-së mbështesin hapjen e kapitujve dhe se qëndrimi i ashpër i Kroacisë mund të bazohet në motive politike në vend.

“Komisioni Evropian mund t’i hapë kapitujt vetëm me një konsensus. Shumica e vendeve të BE-së janë për hapjen e kapitujve. Kroacia nuk e ka bllokuar ende Serbinë, ata janë thjesht me vonesë për një opinion për momentin. Sjellja e tyre hezituese mund të interpretohet si pjesë e një politike të brendshme,” tha Elek.

Jadranka Joksimoviç, ministre e Serbisë për Integrimin Europian, tha të mërkurën se negociatat me BE-në nuk janë bllokuar dhe se Kroacia “ndoshta ka nevojë për më shumë kohë për të marrë një pozicion” në lidhje me hapjen e kapitujve të Serbisë.

Zyrtarët kroatë nuk kanë deklaruar në mënyrë të qartë se ata kanë si qëllim të bllokojnë integrimin e Serbisë, por zv/kryeministri Tomislav Karamarko, kryetari i Bashkimit Demokratik Kroat, partia e qendrës së djathtë udhëheqëse në qeveri në vend, tha të mërkurën se Serbia duhet të përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme për të hyrë në BE.

“Serbia duhet të miratojë të gjitha standardet që duhet të miratojmë, njësoj si të gjithë ne që kemi hyrë në Bashkimin Europian. Këtë ne e bëjmë gjatë negociatave të gjata që ndonjëherë ishin dramatike. Ky nuk është një proces i lehtë dhe për Serbinë kjo është një periudhë shumë e vështirë,” tha Karamarko.

Ai këmbënguli se Serbia duhet të tërheqë ligjin e saj mbi juridiksionin universal për krimet e kryera në luftërat jugosllave të viteve 1990, duke u shprehur se “Serbia s’mund të sillet sikur Gjykata e Hagës është në këtë pjesë të Europës”.

“Nuk po i hapim probleme Serbisë. Ajo i hap vetë probleme vetes,” shtoi ai.

Parlamenti kroat miratoi një deklaratë në tetor 2011, kur ajo i kishte përmbushur tashmë kushtet e nevojshme për t’iu bashkuar BE-së, duke thënë se do të zgjidhte çështjet bilaterale me vendet fqinje dhe nuk do të bllokonte procesin e pranimit në BE, nëse kushtet e vendosura nga BE-ja përmbushen./BIRN

April 7, 2016 16:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*