E paparë: Ja si ndryshoi jeta në Shqipëri pas ardhjes së mbeturinave!

October 1, 2016 19:56

E paparë: Ja si ndryshoi jeta në Shqipëri pas ardhjes së mbeturinave!

Legjendat thonë se diku rreth vitit 2016 në vendin tonë të vogël  industria e riciklimit jetonte kohët e saj më të vështira.

Shqiptarët e kamur patën filluar të mbajnë dietë, e për pasojë, me ato pak mbeturina që mblidheshin kurrsesi industria e riciklimit nuk mund të mbahej dot në këmbë.

Pronarët e këtyre fabrikave shkonin çdo të diel deri në malin e Tomorrit për të pyetur orakullin se kur do të lejohej importi i mbeturinave. Lutjet e tyre më në fund u dëgjuan, falë edhe flijimeve që u ofruan perëndive që vëzhgonin botën me indiferencë diku andej nga Ostrovica e Skraparit.

Nga raportimet e një rubrike koti të një gazete koti të asaj kohe që quhej Gojët e Liga mësohet se një muaj pas miratimit të ligjit mbi riciklimin e mbeturinave, importi i tyre në vendin tonë i tejkaloi të gjitha parashkimet e mundshme.

Edhe impiantet ekzistuese, që aq shumë ishin ankuar për mungesë lëndësh të para nuk ia dilnin dot më, ndaj doli e nevojshme që të jepeshin liçenca të reja. Edhe kompanitë e transportit pësuan exploit.

Prodhimi i govatave, kovave dhe bidonëve plastikë i kaloi nevojat e Ballkanit Perëndimor, kurse Greqia fqinjë njoftoi se u plotësua me rezerva kartoni për dhjetëvjeçarin e ardhshëm.

Duke parë vështirësitë e industrisë për shitje, qeveria vendosi që çdo shqiptar të detyrohej me ligj të konsumonte dy ton plastikë në vit, e po aq edhe karton e alumin të ricikluar.

Jo pa sens u shfaqën sloganet patriotike: “Më mirë bli dhjetë sapllake sot që të kesh njëzetë të tjera nesër”, ose “kush ble birrën me kanoçe është kuqezi i vërtetë”.

Iniciativa private u përhap legalisht dhe ilegalisht. Gati çdo familje dispononte pafund karroca dore prej kartoni ose plastike, me të cilat suleshin maleve të mbeturinave dhe i futnin në shtëpi për t’i ricikluar në minikazanët artizanalë të uzinës së Poliçanit, njëlloj si në kohën e Enverit kur e bënin rakinë vetë.

Po kështu filloi të lulëzojë fuqishëm trafiku i gomoneve që niseshin nga Vlora plot me kartonë dhe sapllake të ricikluara, garuzhde apo topa llastiku, për t’i shitur kontrabandë në Puglia.

Rubrika e lajmeve nuk fliste për tjetër veç suksesit të industrisë ricikluese, që punësonte njerëz përditë në progresion gjeometrik.

Një ditë prej ditësh lajmi se një flotë e tërë me mbeturina qe nisur nga Kina drejt vendit tonë alarmoi Parlamentin Evropian, që dërgoi me urgjencë komisionerin Pyleh që të verifikonte nëse Kina po n’a furnizonte me tanke dhe raketa të fshehura nën mbeturina apo si?

Qeveria jonë e siguroi zotin Pyleh se as ia ka idenë se ç’po bëhet, por edhe në qofshin tanke e raketa ne do t’i riciklonim e me to do prodhonim rrjetë për gardhe emigrantësh, aq të kërkuara në tregun ndërkombëtar.

Me këtë rast zoti Pyleh vizitoi dy impiante kartoni që prodhonin eskluzivisht letra bixhozi dhe mori pjesë në inagurimin e impiantit modern të riciklimit të stilolapsave dhe tespiheve.

Kur impiantet tona ricikluese filluan të punojnë me 80 % të kapacitetit, Mesdheu u çlirua nga kolapsi dhe radha e kamionëve që nga Poloponezi deri në Laponi filloi të shkurtohet.

Sikur të ringjallej Hanibali, nuk do kish nevojë t’i binte nga Spanja me elefantë për të pushtuar Romën, mjaft që të kërcente njërën pas tjetrës malet lundrues me mbeturina krejt të gjelbra që prisnin radhën të zbrazeshin porteve tona.

Por, si çdo perandori që bie nga brenda, edhe industria jonë ekologjikisht ricikluese, diku nga viti 2107  filloi të ndjejë gradualisht kurbën e rënies.

Kompania më e madhe e riciklimit të plastikës ngjitur me Muzeun Kombëtar deklaroi mbylljen. Për arsye “ekologjike” – deklaroi themeluesi i saj Bojler Sapllaku, por tjetërkund flinte lepuri.

Prej një viti fabrika blinte jashtë me 5 lekë/kg uturakë për fëmijë fringo të rinj e pasi i riciklonte duke i kthyer në pjata plastike i shiste maksimumi për 4.5 lekë/kg. Biles, shiko sa interesante; muajin e fundit, pa ricikluar fare i shiti tërë për uturakë dhe doli me bilanc negativ më të ekuilibruar…

Njëra pas tjetrës edhe ndërmarrjet e aluminit filluan të dorëzohen. Fabrika e birrës greke “Gallofagos” me qendër në Tufinë furnizonte me birra të skaduara fabrikën e Vermoshit, me kushtin që mjafton të derdhje birrën në lumë dhe t’i ktheje kanoçen e quante të kryer proçesin e riciklimit…

Nga të fundit që u dorëzua ishte megaimpianti plastik i shtatë liqeneve të Lurës. Pasi i mbushi të shtatë liqenet me tapa botiljesh, pronari sqaroi se të riciklosh një botilje të thjeshtë me tre komponentë të ndryshëm plastikë është për të vënë duart në kokë…

Ra kështu edhe trafiku klandestin me gomone, madje edhe sikur t’ua falje plehrat, pardon.., mbeturinat, skafistët bënë nja dy llogari me smartphone dhe u doli që më shumë harxhonin benzinë sesa fitonin nga garuzhdet e ricikluara.

Tashmë, problemi më i madh që i dilte qeverisë përpara ishte se qysh do bonifikonte vendin nga bollëku i impianteve të riciklimit…

Legjenda më e re thotë se të tjerë biznesmenë qaramanë shkonin në Tomorr për të pyetur orakullin se kur Zotat do i thoshin në vesh kryeministrit të vitit 2110 që të miratonte një ligj për shitjen e skrapit të impianteve të lodhur, që tashmë s’i duheshin askujt.

Por perënditë indiferente ia kishin mbathur me kohë nga Ostrovica.

 

P.S. Kjo kronikë u shkrua diku nga viti 2196  

October 1, 2016 19:56
Komento

2 Komente

  1. intelektuali October 2, 09:00

    NJE VARIANT ME I PERMBLEDHUR PER GOJET E LIGA.

    Kur Zotat ne Ostrovice degjuan lutjen e shqyptareve ne 1990:

    O ZOTA NE OSTROVICE NA LARGO ENVERIN PO DERGO DJALLIN VETE PO DESHET!

    dhe Zotat larguan Enverin dhe sollen Saliun, por shqyptaret perseri u luten do vite me vone:

    O ZOTA NE OSTROVICE NA LARGO SALIUN PO DERGO DJALLIN VETE PO DESHET!

    Zotave ne Ostrovice perseri u erdhi keq per shqyptaret dru me pre dhe larguan Saliun dhe sollen Edi Ramen, por shqyptaret dru me pre kete radhe e kuptuan gabimin e tyre fatal dhe ne 2016 me ne fund e mesuan se Zotat ne Ostrovice i kishin derguar DJALLIN dora vedi dhe askush nuk kish mbetur per te degjuar shqyptaret qe vajtonin si kukumjacka pylli per fatin e tyre te keq me perjashtim te ambasadorit LU qe i ngushellonte me VETTINGJE nga matane oqeanit.

    PSE KESHTU?

    sepse:

    Perënditë indiferente ia kishin mbathur me kohë nga Ostrovica.

    Reply to this comment
    • gjermani i fundit October 3, 10:38

      Zotat e Ostrovices e morren me vete Enverin o nastro qe ne ’85. Pasi i kishin marre gjysmen e mendjes qe ne ’73. Keta te pas ’85 i kemi peshqesh nga miqte euroatlantike te juve intelektualeve properendimore qe s’è nxorret njehere qimen nga qulli.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*