KRONIKË / Konflikt tek tregu i gabit, asnjë dëshmitar nuk pranon se ishte myshteri tek gabi

June 5, 2018 19:03

KRONIKË / Konflikt tek tregu i gabit, asnjë dëshmitar nuk pranon se ishte myshteri tek gabi

 

TIRANË – Burime nga vendngjarja bëjnë me dije për Gojët e Liga se një episod i turbullt pengmarrjeje të mundshme ka bërë vaki pak më parë në tregun e gabit në kryeqytet, pranë spitalit numër 5.

Ngjarja ka përfunduar pa viktima dhe incidente të tjera, njofton reporteri ynë nga vendngjarja, Spiro Tërbufi.

Nga të dhënat e deritanishme, të cilat policia ende refuzon t’i paraqesë si përfundimtare, duket se incidenti nisi kur një blerës në tregun e rrobave të përdorura deshi të blinte një xhaketë lëkure, që atë çast e kishte kapur në dorë një tjetër blerës.

Episodi mbetet i mjegullt, pasi blerësi i ofenduar i tha tjetrit: “E kapa unë i pari. Lene xhaketën se të mora peng, për zotin!”

Duke nuhatur konfliktin në ajër, myshterinjtë e tjerë dredhuan dhe hapën rrugën, duke u distancuar, teksa një boshllëk me rreze prej 5 metrash u krijua rrotull të konfliktuarve.

Ngjarja e paqartë bëhet edhe më misterioze për punonjësit e policisë dhe mediat e mbledhura në vendngjarje, pasi askush nuk dëshiron të identifikohet si dëshmitar okular, e aq më pak të dalë para kamerave.

“Po ç’dëshmitare a derëbardhë. Kaloja rastësisht këtej. Nuk jam blerëse e gabit”, tha një vajzë e hijshme duke bllokuar kamerën me dorë.

“Pse, këtu është gabi? Unë dola për ca ilaçe tek farmacia”, dredhoi një zonjë me veshje zyrtare duke fshehur fytyrën.

“Nuk di gjë zotëri. Mos më filmo të lutem”, tha një burrë me kollare, duke u përpjekur të fshehë pas shpine një palë çizme të mira kamoshi.

Në mungesë të informacioneve dhe refuzimit të gjithë të pranishmëve për t’u ofruar si dëshmitarë, Gojët e Liga i luten korrespondentit Spiro Tërbufi, meqë ndodhet aty, të shikojë për një palë këpucë kalçetoje. Shiko Spiro, numër 42-shi, mirë?

Gojët e Liga sqarojnë lexuesit se këpucët nuk i duan për vete, por për një kushëri. Se ne nuk bëjmë pazar te gabi, thjesht na bie rruga ndonjëherë andej.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që herë përdor rrobat e blera, herë blen rroba të përdorura .

June 5, 2018 19:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*