KRONIKË / Skafi plot me hashash mohon akuzën: Xhevon e kisha për përdorim personal

May 4, 2018 21:56

KRONIKË / Skafi plot me hashash mohon akuzën: Xhevon e kisha për përdorim personal

 

BRINDIZI – Lajmi që mbizotëroi kronikën policore të javës së kaluar, kur një skaf me hashash u kap në bregdetin e qytetit Italian të Brindizit në flagrancë, pasi në zotërim të tij u gjet 33 vjeçari Xhevo Burdullaku nga Radhima, ka pasur vijim së fundmi.

Ngjarja është rikthyer fuqishëm në faqet e para të shtypit, pasi gazetarët kanë mundur të shtijnë në dorë deklarimet e skafit para policisë italiane dhe strukturave hetimore.

“Ma signori, guarda… Nuk mund të më akuzoni për asnjë lloj trafiku të paligjshëm. Xhevon e kisha vetëm për përdorim personal”, mësohet se ka deklaruar skafi me dy motora të fuqisë 1000 kuaj secili, pasi u prangos nga Guarda di Fajancës.

Skafi ka pranuar çiltërsisht para forcave të rendit se ai vuante nga një varësi kronike ndaj Xhevos, nga i cili nuk ndahej pothuajse asnjëherë.

“Kjo është një vuajtje që unë kam pranuar ta pësoj, edhe me koston e dëmtimit të organizmit tim. Por a është kjo një krim në sytë e ligjit, apo një patologji e dhimbshme me të cilën duhet të merrej mjekësia”, mbajti një ligjëratë emocionale Skafi, në prani të avokates mbrojtëse Ina Koka.

Avokatja Koka, Ina Koka, shpjegoi për mediat historikun dramatik të varësisë kronike të Skafit ndaj Xhevos.

“Skafi i shkretë e ka provuar Xhevon që në adoleshencë, shtyrë nga kureshtja e pafajshme e moshës. Në mungesë të paralajmërimeve dhe këshillave të skafeve të tjerë, kjo lidhje kaloi në simbiozë të përhershme dhe këtu duhet të vërë dorë shkenca e mjekësisë dhe klinikat rehabilituese, jo ligji dhe forcat e rendit”, sqaroi Ina Koka.

Sipas saj, nëse Skafi do të kapej me një ose më shumë persona të tjerë përveç Xhevos, atëherë po, mund të dyshohej për trafik.

“Por në rastin konkret, kemi kazusin tipik të posedimit për përdorim personal”, tha Ina Koka.

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike tahiristike

May 4, 2018 21:56
Komento

1 Koment

  1. Dashi May 6, 17:49

    Per cilin Xhevo e kini or te uruar? Edhe Xhevoja i gazetes merret me te tilla pune?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*