Kruja “pushton” Tiranën

October 12, 2017 12:16

Kruja “pushton” Tiranën

Entela Resuli -DITA

Këtë të mërkurë, Pazari i Ri i Tiranës ishte kthyer në Pazarin e Krujës. Dhjetëra artizanë nga ky qytet kishin ardhur për të ekspozuar produktet e tyre në këtëhapësirë mikpritëse të kryeqytetit.  Aktiviteti i quajtur “Mozaik Kruje” solli edhe organizimin e disa aktiviteteve kulturore dhe artistike, ku në fokus ishte promovimi i produkteve artizanale shqiptare.

Në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë drejtues të Bashkisë së Tiranës, Bashkisë së Krujës, Agjencisë për Zhvillim Rajonal, etj që organizojnë dhe mbështesin aktivitetin, si dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

AndiSeferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, gjatë fjalës së tij theksoi se aktiviteti  është i rëndësishëm për promovimin e kulturës dhe të traditës kombëtare.

“Sot ne do të kemi kohë dhe mundësi të shikojmë çdo element të traditës dhe të kulturës kombëtare. Pazari i Ri është kthyer në një pikë të promovimit të vlerave kulturore jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë qytetet e Shqipërisë që prezantojnë për qytetarët e Tiranës vlerat e tyre. Pazari i Ri është një atraksion jo vetëm për promovimin e vlerave shqiptare, por edhe të huaja”, theksoi Seferi.

Puna që (s) ka çmim

Të vendosura në stenda, pranë njëra-tjetrës, zonjat krutane ekspozuan punimet e tyre të dorës duke filluar nga qilimat, rrugicat, çantat e deri te qeleshet, veshjet dhe bizhutë.  Për disa ishte hera e parë që merrnin pjesë në një aktivitet të tillë, ndërsa të tjera ishin mësuar me këtë rutinë.

Për Rudina Kurtinështë hera e parë.  Punimet që ajo ekspozon janë të gjitha të punuara me dorë dhe në tezgjah. Nëse dikujt i duken të shtrenjta ekspozimet e saj, ajo ngre supet duke pohuar se mundi për realizimin e tyre është i madh.

“Janë të gjitha të punuara me dorë. Për realizimin e njëçante duhet një javë dhe po të punosh intensivisht, në të kundërt zgjatë më tepër. Do shumë durim kjo punë. Ndonjëherë me duket se nuk ka çmim kjo puna jonë, por ja që ka shumë që nuk e vlerësojnë”, shprehet ajo për Dita-n.

Teksa shprehim kuriozitet për punimet e saj, Rudina na tregon se e ka filluar këtë punë që 14 vjeçe. Ka qenë nëna që ia ka trashëguar, e cila edhe sot ndjek me vëmendje punën e së bijës. Sot është 47 vjeç dhe nënë e katër fëmijëve. Është munduar t’ia mësojë edhe vajzave të saj,  ashtu siç ka bërë e ëma me të, por është e vështirë që ato të angazhohen vetëm me këtë punë.

“Është një punë që të sjell të ardhura të pakta dhe të ngadalta”,- thotë ajo. “Lodhja është e madhe. Të rinjtë e sotëm nuk e kanë durimin tonë. Ne jemi mësuar dhe i qëndrojmë punës te koka”- shprehet Rudina duke iu buzëqeshur vizitorëve të shpeshtë që ndalojnë në stendën e saj.

Jo vetëm veshje

Kalendari i këtij aktiviteti zgjati për gjatë gjithë ditës, deri në mbrëmje vonë.  Në mesditë nëqendër të Pazarit të Ri zonjat krutane ekspozuan mënyrën e tyre të gatimit të njëëmbëlsirë. Kabunia, njëëmbëlsirë tradicionale e Krujës ëmbëlsoi edhe të pranishmit në këtë aktivitet.

Po ashtu, u improvizua mënyra e bërjes së rakisë nga burrat e Krujës,  një moment që ata e kanë të freskët, pasi kjo është pikërisht periudha kur zihet rrushi dhe prodhohet rakia.

Gjithashtu, pati performanca nga nxënës dhe gjimnazistë, të cilët vunë në skenë pjesët e tyre muzikore dhe teatrale. E gjithë kjo ditë u mbyll me një koktej dhe sfilita me veshje që ndërthurnin modernen me motivet tradicionale.  Dita e djeshme në Pazarin e Ri ishte e gjitha krutane. Urojmë që këtë fat mos ta ketë vetëm Kruja, por rituali të vazhdojë duke thirrur edhe qytete të tjera,  në të cilat nuk mungojnë as traditat dhe as mjeshtrit që i trashëgojnë ato. Pasi vetëm kështu do të ndihen jo vetëm të dobishëm, por edhe të motivuar për ta çuar edhe më tej, atë çka është më e çmuar në një zonë të caktuar, traditën.

 

 

October 12, 2017 12:16
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*