Kryegjyqtari Frederik Nosi: Ja fajësia e Koçi Xoxes dhe 4 të pandehurve si agjentë të jugosllavëve

Kujtim Boriçi May 27, 2013 14:15

Kryegjyqtari Frederik Nosi: Ja fajësia e Koçi Xoxes dhe 4 të pandehurve si agjentë të jugosllavëve

Ekskluzive / Seanca e XIII-të e gjyqit, datë 10.06.1949, vendimi i Trupit Gjykues për të pandehurit Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Vango Mitrojorgji, Vaskë Koleci dhe Nuri Huta. Kur nisi aktiviteti armiqësor i tyre dhe skenari i Titos e Rankoviçit për aktivitetin kriminal të grupit trockist në Shqipëri.

 

Koçi Xoxe: Puna jonë në formë grupazhi kishte objekt goditjen e shokut Enver, goditjen e unitetit. Detyra nga jugosllavët ishte të nënshtronim udhëheqjen, ta përçanin atë, të zbatonim politikën e tyre mbi Partinë e vendin tonë, që të bëhej Partia dhe vendi ynë një pjesë e Jugosllavisë me një indipendencë formale!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Pasditen e 10 qershorit të vitit 1949, pas shumë seancash, Frederik Nosi, Kryetari i Trupit Gjykues, nis leximin e vendimit për fajësinë e të pandehurve Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Vaskë Mitrojorgji, Vaskë Koleci e Nuri Huta, të akuzuar për veprimtari kriminale në grup, si pjesëtarë të grupit armiqësor e trockist, vënë në shërbim të udhëheqjes jugosllave e UDB-së së Beogradit. Që në nisje të vendimit, në argument të fajësisë, Kryetari Nosi paraqiti një fragment të dëshmisë së të pandehurit Koçi Xoxe: “Puna jonë në formë grupazhi kishte objekt goditjen e shokut Enver, goditjen e unitetit. Detyra nga jugosllavët ishte të nënshtronim udhëheqjen, ta përçanim atë, të zbatonim politikën e tyre mbi Partinë e vendin tonë, që të bëhej Partia dhe vendi ynë një pjesë e Jugosllavisë me një indipendencë formale!”

 

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Nisim sot seancën gjyqësore(datë 10.06.1949) me leximin e Vendimit kundër të pandehurve Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji dhe Nuri Huta. Po lexoj vendimin e Trupit Gjykues:

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË

VENDIM NË EMËR TË POPULLIT

Këshilli Gjyqësor Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:

Kryetar, Frederik Nosi, Nën-Kryetar i Gjykatës së Lartë

Anëtarë, Niko Zoto dhe Vasil Trimçev, Anëtarë të Gjykatës së Lartë

-Sekretar, Kozma Toçi

Me pjesëmarrjen e Akuzës Publike të përbërë, në bazë të Dekret-Ligjit Nr. 746/A datë 10.I.1949 prej: Bedri Spahiut, Gaqo Floqit dhe Sotir Qirjaqit.

Me asistencë të avokatëve mbrojtës: Spiro Stringa, Vasil Bidoshi, Kol Dhimitri, Fuat Fico dhe Dhimitër Shkurti.

-Në seancat gjyqësore të zhvilluara në qytetin e Tiranës nga 11 maji deri në 10 qershor të vitit 1949.

-U dëgjua procesi kundër të pandehurve:

1)- Koçi Xoxe, i biri i Dhimitrit dhe i Vasillos, lindur në vitin 1911 në Negovan(Greqi), ish Nën-Kryeministër, ish Nën-Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, ish-Ministër i Brendshëm dhe Gjeneral Leitnant, rreshtuar (arrestuar) më 2 dhjetor të vitit 1948.

 

2)- Pandi Kristo, i biri i Kristos dhe i Poliksenit, lindur në vitin 1914 në Korçë, ish-Ministër i Shtetit, ish-Kryetar i Komisionit të Kontrollit, rreshtuar(arrestuar) më 2 dhjetor të vitit 1948.

 

3)- Vaskë Koleci, i biri i Sotirit dhe i Amalisë. Lindur në vitin 1923 në Korçë, ish-Ndihmës-Ministër i Punëve të Brendshme dhe me gradën Nënkolonel, rreshtuar(arrestuar) më 19 fryer të vitit 1949.

 

4)- Nuri Huta, i biri i Zydiut dhe i Metijes, lindur në vitin 1921 në Tiranë, ish-Anëtar i Drejtorisë së Agjitacionit dhe Propagandës së Partisë Komuniste të Shqipërisë, rreshtuar(arrestuar) më 2 korrik të vitit 1948.

 

5)- Vango Mitrojorgji, i biri i Kristos dhe i Angjelinës, lindur në vitin 1921 në Delvinë, ish-Shef i Seksionit në Ministrinë e Brendshme, me gradë Nënkolonel, i rreshtuar(arrestuar) më 19 shkurt 1949.

 

Të akuzuar se: Kanë kryer faje të parashikuara nga nenet 2,3 pikat 1,2,3,7,8,9,10 e 12 të Ligjit Nr 372 datë 12.12.1946 mbi fajet kundër popullit dhe shtetit. Të pandehurit Koçi Xoxe e Pandi Kristo akuzohen dhe për shkeljen e nenit 63 të Statusit të Republikës dhe të nenit 5 të ligjit nr. 5 mbi mbrojtjen e pasurisë së përbashkët të popullit dhe të asaj që ndodhet në administrimin e shtetit.

Gjykata, pasi shqyrtoi aktet, dhe bisedoi çështjet, konstaton:

 

Në pranverën e vitit 1943, ndërsa valonte lufta Nacional-Çlirimtare, klika e Titos dërgon në vendin tonë emisarin e saj Svetozar Vukmanoviç-Tempo për të rënë në kontakt me udhëheqjen e luftës Nacional-Çlirimtare. Por mandati i vërtetë i emisarit të Titos nuk është intensifikimi i luftës çlirimtare i të dy popujve dhe koordinimi i saj, por hedhja e farës së tradhtisë, krijimin e një agjenture në krye të Pushtetit, e cila më vonë do të bëhej vegël e verbër në duar të trockistëve të Beogradit.

 

Svetozar Vukmanoviç-Tempo, i dërguar nga Tito në maj të vitit 1945, ra në kontakt në Kucak me Koçi Xoxen, të cilin ai e bëri për vete me lehtësi për të hedhur farën e parë të përçarjes në gjirin e udhëheqjes së luftës Nacional-Çlirimtare. Koçi Xoxe u solidarizua me pikëpamjet trockiste të Tempos prapa shpinës së udhëheqjes dhe duke i dhënë atij përkrahjen e plotë dhe të ndërgjegjshme, goditi vijën e drejtë të luftës Çlirimtare, duke akuzuar udhëheqësit e kësaj lufte për oportunizëm me Ballin Kombëtar.

 

Në Odriçan dhe në Berat, në shtator-tetor të vitit 1944, para çlirimit të Shqipërisë, Velimir Stoiniç, emisari i Titos, mbante kontakte të fshehta me Koçi Xoxen kundër udhëheqjes së luftës dhe pushtetit shtetëror. Koçi Xoxe, me ardhjen e Velimir Stojniçit, përvetësoi platformën trockiste që agjenti i Titos solli me vete për të mposhtur rezistencën e udhëheqjes së luftës Nacional-Çlirimtare, të shokut Enver Hoxha.

 

Në këtë fazë të punës armiqësore e trockiste kundër atdheut tonë, Koçi Xoxe ka me vete Pandi Kriston, i cili bashkohet me pikëpamjet e tij  dhe në mbledhje, prapa shpinës së udhëheqjes së shtetit, kurdisin planet puçiste. “Prapaskena e Beratit, thotë Pandi Kristo gjatë hetimeve, kishte për qëllim të godiste shokun Enver që mbronte vijën e drejtë të Partisë, për t’i hapur rrugën elementit karrierist dhe ambicioz dhe ti hapte rrugën grupazhit që ishte disponuar të bënte lojën e jugosllavëve. Jugosllavët mbështeteshin tek ky element grupazhi në udhëheqje…(Procesi hetimor i Pandi Kristos, fq. 15).

 

Po këtë gjë konfirmon në deklaratat e tij dhe i pandehuri Koçi Xoxe, bërë para Kongresit të Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë në nëntor të vitit 1948, ku ka thënë: “Pas Kongresit të Përmetit, puna jonë ka qenë në zvogëlim dhe në formë grupazhi për goditjen e shokut Enver, për goditjen e unitetit, ti largohesha dhe autokritikës së hapët kundër përgjegjësive dhe kundërshtimeve që mund të ekzistonin në udhëheqje. Por bëja kritikë prapa krahëve. Luftoj në platformë personale, me frymë ambicie të sëmurë dhe mikroborgjeze!” Dhe më tutje ka thënë: “Jugosllavët në Berat donin të arrinin të nënshtronin udhëheqjen, ta përçante atë, ta bënte që të shikonte nga Komiteti Central i Jugosllavisë shpëtimin dhe të zbatonin politikën e tyre mbi Partinë dhe vendin tonë, që të bëhej Partia dhe vendi ynë një pjesë e Jugosllavisë me një indipedencë formale!” (Deklaratë e Koçi Xoxes, fq. 7)

 

Pas çlirimit, Koçi Xoxe, i mbështetur për së afërmi dhe vazhdimisht nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë Pandi Kristo, përforcon dhe intensifikon lidhjet e tij konspirative dhe prapa shpinës me emisarët e një pas njëshëm të Titos, që u dërguan në vendin tonë për të përgatitur nënshtrimin dhe aneksimin e Shqipërisë. “Jugosllavët mua më thoshin se ti je dora e Partisë, Partia është e punëtorëve, ti do të jesh Sekretar Organizativ, Drejtor i Mbrojtjes së Popullit, Drejtor i Personelit dhe Gjeneral-Leitnant ashtu siç janë caktuar edhe në Partinë e Jugosllavisë funksionet e Sekretarit Organizativ. Këto të gjitha mua më bënin përshtypje se këta i thoshin me autoritetin e Komitetit Central të Partisë Komuniste Jugosllave. Por këto i bënin me qëllim që unë të përkrah, ashtu siç përkraha, vijën e tyre, të lidhem, me pak fjalë me politikën e tyre, të bëhem një garant i fuqishëm në Partinë tonë për të plotësuar ata qëllimet e tyre” – ka deklaruar Koçi Xoxe para Kongresit të I-rë të Partisë. (Deklarata në Kongres, faqe 8). Më vonë, Koçi Xoxe pati në pushtet dhe në Parti të gjitha funksionet e lartpërmendura.

 

Në Plenumin e II-të të Partisë Komuniste Shqiptare në Berat, në tetor të vitit 1944, me mbështetjen e Koçi Xoxes e Pandi Kristos, të cilët kishin bërë për vete platformën e  emisarit trockist Velimir Stojniç, u godit udhëheqja e Pushtetit Popullor, u krijua një e çarë në krye të udhëheqjes, e cila do të shërbente më vonë për të minuar pushtetin dhe për të nënshtruar atdheun tonë.

 

Tezat e revizionimit të Beratit, që u parashtruan në qershor të vitit 1946 nga Udhëheqësi i popullit shqiptar dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave, shoku Enver Hoxha, u hodhën poshtë dhe nuk u pranuan nga grup[i trockist, pasi pranimi i tyre do të zbulonte prapaskenën e Beratit.

 

Koçi Xoxe dhe Pandi Kristo, duke pasur në dorë Sigurimin e Shtetit, Komisionin e Kontrollit të Shtetit, Aparatin e Komitetit Central të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Ministrinë e Brendshme punuan aktivisht për të shtrirë në dorë pushtetin, Partinë, ekonominë dhe ushtrinë.

 

Trockistët e Beratit, të mbështetur në grupin trockist të Koçi Xoxes, u bënë për herë më të guximshëm në kërkesat e tyre këmbëngulëse për të nënshtruar vendin tonë. Këta, në pranverën e vitit 1947 akuzuan pa të drejtë udhëheqjen tonë dhe pasi kjo akuzë u hodh poshtë, klika e Titos, për të mposhtur rezistencën e udhëheqjes sonë, më 8 nëntor 1947, paraqiti akuzën e dytë, akuzë për të cilën i pandehuri Koçi Xoxe kishte folur më parë dhe kishte thënë “se po të vazhdojmë kështu, do të na vijë një grusht i rëndë nga jashtë”. (Deklaratë e të pandehurit Pandi Kristo në faqen 82 të procesit gjyqësor).

 

Përpara se kjo akuzë e fundit të nisej për në Tiranë, Ministri i Punëve të Brendshëm i klikës trockiste në Beograd, Aleksandër Rankoviç, pyet nëse i pandehuri Koçi Xoxe ishte kthyer në Tiranë nga Bashkimi Sovjetik. (Nga deklarata e të pandehurit Koçi Xoxe, faqe 27 e procesit gjyqësor). Me këto akuza u armatos grupi trockist i kryesuar nga Koçi Xoxe për të përmbysur udhëheqjen shtetërore dhe për të rrëzuar me dhunë organizimin shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë

 

Më 2 dhjetor të vitit 1947, Koçi Xoxe mban një fjalim në Shkollën e  Partisë në Tiranë(U botua në revistën ‘Agjitatori’  nr. 7, dhjetor 1947). Ky fjalim i cili u pasua në të gjitha organizatat e Partisë, ishte platforma politike e jugosllavëve dhe e grupit trockist për përgatitjen e Plenumit të VIII-të, që është triumfi i ndërhyrjes së nacionalistëve jugosllavë në punët e brendshme të vendit tonë. Plenumi i VIII-të, flamurtarë të të cilit ishin Koçi Xoxe e Pandi Kristo, nxori rezolucionin e tij. Me anën e këtij rezolucioni u imponua i ashtuquajturi “fraksion në kokën e Partisë”, që përmblidhte pjesën e shëndoshë të udhëheqjes shtetërore, mes tyre shokun Enver Hoxha, dhe “bërthamën bolshevike me zemër proletare”, e cila përmblidhte Koçi Xoxen me shokët e tij.

 

Triumfi i përmendur i kryetarit të grupit trockist, provohet dhe me deklaratat e bëra prej tij në mbledhjen e Byrosë Politike më 30 dhjetor 1947, ku midis të tjerave ka thënë: “Unë them se jemi në momentin kur e kemi vënë nën këmbë armikun e Partisë… Është moment mjaft delikat, shkatërrojmë një vijë të tërë, këtë vijë, kush e mban fort, kush jo. Këtu nuk duhet të ketë lëkundje dhe s’duhet të bëjmë e të veprojmë sikur të mos ketë ndodhur gjë. Pra, të udhëhiqemi nga kjo, të kemi parasysh se çfarë ka ngjarë në Parti e të japim goditjet që duhen, të jemi nën këtë presion nën këtë ngjarje dhe brenda saj të veprojmë”.

 

Koçi Xoxe, më vonë, në mbledhjen e datës 1.1.1948, në Byro thotë: “Fraksioni i Nako Spiros del i sigurt në kokën e Partisë, s’ka më, është apo nuk është”. (Dosja nr. 1 e procesit të Byrosë, datë 1.1.1948). Në vazhdim të analizës që ai i bën situatës më 8.1.1948, shton se: “Tek Nako dhe tek Enveri dilte se këta kanë qenë pak të prekur se si do bashkëpunohej me jugosllavët, për këta dilte çështja e indipedencës… Nako ka thënë haptazi se po të veprohet kështu do humbasim indipendencën… Në këtë vijë të Nakos, Enveri u gjend i pari, edhe shokë të tjerë u gjendën… Edhe në fakt, Enveri zbatoi vijën e Nakos edhe në çështjet e brendshme”.

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Vazhdimin e vendimit për të pandehurit Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji e Nuri Huta, komunikuar nga Kryetari i Gjykatës Frederik Nosi.

-Gjykata: Si e vunë të pandehurit ekonominë e vendit nën diktatin e plotë të jugosllavëve, me qëllim aneksimin e Shqipërisë si Republikë të 7-të të Jugosllavisë.

-Provat e fajësisë së të pandehurve në një periudhë 6-vjeçare bashkëpunimi me drejtues të lartë të Jugosllavisë dhe funksionarë të zbulimit të Beogradit, në dëm të interesave të Shqipërisë.

Kujtim Boriçi May 27, 2013 14:15
Komento

6 Komente

  1. beni May 27, 14:30

    Edhe ne rast se e ka pasur ndermend,qe ta kish bere Shqiperin Republik te 7 te Jugosllavise do te kishim jetur 100 here me mir, se nen regjimin e diktatorit Hoxha!
    Lavdi idese se tij te ndritur!Lavdi per njerez te mencur si Koci xoxe!

    Reply to this comment
  2. Lemi LLuka May 27, 19:36

    O Koci more Koci, o mavria ti qe s’ke as varr! Po ku mund te ja dilje ti, nje punetor hallexhi , bandillit Enver Hoxha?! Ne 8 nentor 1941 tyj fashizmi te kish rrasur ne burg kurse Enveri,diplomati i mbretit, bashkjetonte me bashkpuntoret e fashizmit dhe si aventurjer lozte rolin e revolucinarit.Enverin na e lane peshqesh dy hajvane jugosllave.Nuk e di , na e bene me qellim apo pa qellim ?! Ju e paguat me koken tuaj fajin qe bete duke pranuar Enverin ne radhet tuaja por edhe popullin e moret ne qafe.
    Ne shqipetaret nuk veme mend:Si mund te vihet ne te levizjes demokratike enveristi I
    thekur, servili i bllokut,Sali Ram Sheqere Berisha?! Keshtu ne nxorem komunistin me te madh ne bote,Enverin, dhe demokratin Po aqe te madh Saliun. Pika te dyve dhe neve bashke me ta qe s’pame nje dite te bardhe!!!!

    Reply to this comment
    • beni May 28, 07:31

      Na i beri peshqesh Dashnori i Nexhmije Xhuglinit Hoxha Miladin Popovici si kujtim per Virgjerine e saj!
      Kurse ai i dyti Mugosha ishte shum i pergatitur,nacionalist i thekur,dhe duheshe patjeter qe ne krye te sillte nje te ideologjise Islame edhe pse flitej per Komunizmin?
      Prapaganda Serbe,edhe sot ne medjet e saj,tregon negativitetin per shqiperine,kulturen Islame dhe rastet me negative,qe ti thote popullit te tij,ja kush jane Shqiptaret,por as edhe njehere Korcen me Kulture,Shkodren me tradita perendimore!?
      Nje mysliman ne krye te Shqiprise,nje ecje perpara per Serbine ne politiken e saj,nje i Krishtere ne krye te politikes ne Shqiperi,nje kancer per Serbine dhe politiken e saj shum te mprehte rajonale!
      Serbia i ka menduar shum e shum perpara se si mundet ti shfrytezoj Shqiptaret,duke u futur ne krye te tyre djallin Islamik!
      Tito dhe Xoxe do tu jepte Shqiptarve shancin per tu bashkuar, njeher e pergjithmone,por te Europianizuar e jo te Islamizuar!

      Reply to this comment
  3. Toni May 27, 23:06

    O beni lavdi mamit tend qe me kembet lart ma bere nje kopil si puna jote

    Reply to this comment
  4. Zgerbonja perballë May 28, 11:07

    Koci Xoxe,e pranon dhe Hrushovi ne librin e tij”Kujtime” ishte agjent i Titos!Ate e denoncoi vet Stalini kur u prish me Titon sepse KGB,kish krijuar UDB dhe dinte gjithe agjentet!…Hoxha kuptohet perpak ra pre e UDB;ndaj beri mire qe zhduku Xoxe!Problem mbetet kush e morì drejtimin e UDB ne Tirane,pas Xoxe,sepse Krushovi aludon per R.Aline qe e spostoi me urdher drejtimin tek Berisha!Duhen fare pak dokumenta per kete, te kuptohet pse UDB i kundervihej Hoxhes;qe sipas prof. Vujevic”që ne vitet ’60,sponsorizonte irredentiste kosovare ne Zvicer,Gjermani,Belgjike”Duhej Kosova te mos shkeputej nga Jugosllavia,ndaj UDB ngriti rrjet te forte me V.Tempon,ku bleu mbi 200 te rinje kryesisht veriore si agjente!Shqiperia duhej te forconte luften e klasave,interrnimet,burgjet,varferine qe kosovaret kur te kujtonin Shqiperi të puthnin Titon,Ramkovicin,Milloshevicin!Dhe kjo u realizua edhe nga Berisha!Lufta civile ne Shqiperi eshtë plan i Beogradit qe vazhdon në veprimet e Bandes se Veriut,drejtuar tani nga Berisha!Te mos kuptosh kete do të thote të jesh antishqiptar!Xoxe ishte drejtuesi i parë i UDB ne Tirane….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*